INTERVISTA/ Ardit Cikuli: Kandidati i PS nuk ka lidhje me Sarandën, sekti i Rilindjes vjen për të rrëmbyer detin

10:28, 04/05/2023
A+ Aa A-

"Ne jemi bashki ose nga të vetmet bashki në Shqipëri që mund të vetëfinancohet. Ne nuk kemi nevojë për qeverinë".

Sfida ime është që të kemi qytetin më të pastër në republikë brenda këtij 4-vjeçari; të kemi më shumë kopshte, çerdhe dhe shkolla për këtë qytet dhe do ta realizoj; të kemi një sistem taksapagues të drejtë duke bërë diferencim për ata që fitojnë më tepër dhe për ata që fitojnë më pak.

Të gjitha bizneset e reja, për një vit nuk do të paguajnë taksa në bashkinë Sarandë dhe përkundrazi, do të promovohen nga bashkia Sarandë për një vit falas."

Ardit Cikuli, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Sarandës, ka prezantuar sot vizionin e tij për këtë bashki në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV. Z. Cikuli ka evidentuar ndër të tjera, problemin e kandidatëve të importuar të Partisë Socialiste për këtë bashki dhe kaosin që kanë shkaktuar në 12 vjet, pas zgjidhur asnjë nga problemet që i shqetësojnë qytetarët.

Kafe Shqeto: Z. Cikuli, ju shoh entuziast.

Ardit Cikuli: Sigurisht që jam entuziast. Njerëzit mezi e presin ndryshimin më datë 14 maj.  Data 14 maj do të jetë një ditë e bekuar për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e Sarandës.

Kafe Shqeto: Ju keni pasur një prezantim goxha të rëndësishëm në qytetin e Sarandës, një qytet ndoshta jo më i madhi në Shqipëri, megjithatë u mbajtën fjalë nga liderët e koalicionit, z. Berisha, z. Meta. Çfarë ishte ai takim, në këndvështrimin tuaj?

Ardit Cikuli: Në fakt, Saranda është një nga qytetet më të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë. Është një nyje ekonomike, e cila, nëse do të funksiononte ashtu siç duhej, do të ishte një perlë e vërtetë për Shqipërinë dhe për Mesdheun. Vetë rëndësia e qytetit të Sarandës është pikërisht kjo. Jo duke e parë thjesht në kontekstin politik, por duke e parë në kontekstin e asaj çfarë duhej të ishte Saranda dhe çfarë në realitet personifikon Saranda, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin kulturor, qoftë në aspektin turistik. Dhe kjo është arsyeja pse këtu në Sarandë ka pasur një prezencë  shumë të madhe edhe politike.

Kafe Shqeto: Ndërkohë, qyteti im i preferuar, si do të jetë këtë verë z. Cikuli?

Ardit Cikuli: Mbas datës 14 maj, e cila është një datë vendimtare! Pranvera dhe vera më datë 14 maj fillojnë për qytetin e Sarandës, sepse gjatë sezonit të verës, Saranda përballet me problematika jashtëzakonisht shumë të mprehta që prodhojnë stres dhe ankth për qytetarët e Sarandës, por edhe për turistët. Situata është tejet e agravuar, duke filluar që nga ana e detit deri në majë të malit; kemi problematika që nuk janë menaxhuar ndër vite në lidhje me vijën bregdetare. Kemi problematika në lidhje me akseset dhe bulevardet në qytetin e Sarandës, pra trotuare dhe bulevarde që nuk janë menaxhuar ashtu siç duhet, kemi problematika që lidhen me parkimin, me ujin e pijshëm, me mungesën dhe mos evidentimin e pasurive kulturore që ka Saranda, kemi problematika që gjithë intensiteti i turizmit është flokuar vetëm në një pikë, vetëm gjatë vijës bregdetare, ndërkohë që Saranda ka mundësi të bëjë turizëm edhe me pasuritë e saj kulturore dhe artistike, me pjesë të ndryshme të agro-turizmit, ka mundësi të bëjë turizëm edhe me kulinari, me shumë e shumë gjëra që ia ka falur i madhi Zot, por bashkia Sarandë ka dështuar që nëpërmjet investimeve publike  t’i vërë në pah këto gjëra.

Kafe Shqeto: Flasim pak për kandidatët, z. Cikuli, ku dalloni ju nga kundërshtari juaj. E ka pak më të lehtë apo e keni ju më të lehtë?

Ardit Cikuli: Nuk jemi vetëm dy kandidatë, jemi katër. Unë nuk kam asgjë që më mungon mua në personalitetin tim, nuk ka asgjë që i mungon koalicionit politik që unë përfaqësoj. Nëse do të flisja për kandidatin e PS, që është partia kryesore në qytet, ai nuk ka asgjë që mund ta personifikojë me këtë qytet. Është një qytetar i një qyteti tjetër që është sjellë në Sarandë për arsye politike të partisë që përfaqëson, por arsye qytetare nuk ka. Nuk e lidh asgjë me Sarandën. Nuk dua të flas më tepër në lidhje me këtë gjë, por me qytetin e Sarandës nuk e lidh asnjë gjë.

Kafe Shqeto: Si e përjetojnë këtë gjë, qytetarët e Sarandës, z. Cikuli? Sepse ka ndodhur edhe në qytete të tjera me kandidatët e emëruar.

Ardit Cikuli: Në informacionin tim, e kanë përjetuar jashtëzakonisht shumë keq. Kjo është edhe një nga arsyet kur nga Partia Socialiste është prodhuar një kandidat, akoma, ku ish-kryetari i PS ka thënë “kandidat i pavarur” pikërisht për të shprehur revoltën e tij dhe revoltën e shumë socialistëve në qytetin e Sarandës. Nuk është mirëpritur dhe një prej ish-kryetarëve të PS ka dalë si kandidat i pavarur. Më vjen keq që e them, por kandidati i PS do të dali i treti.

Kafe Shqeto: E kuptoj. Pra, gara është me ish-kreun e PS së zonës dhe kandidatin e opozitës.

Ardit Cikuli: Unë jam çdo ditë në terren, takoj qytetarë dhe ky është realiteti që unë perceptoj.

Kafe Shqeto: Nga ajo që duket nga biseda juaj, është një marrëdhënie e afërt me qytetin. Ndër vite besoj  e keni pasur atë ide, atë fantazi, atë vend që do të duhej të kishte Saranda. Cila do të jetë në fund të mandatit tuaj, krenaria juaj më e madhe në rast të drejtimit të Sarandës?

Ardit Cikuli: Saranda është qyteti ku unë jam rritur, është qyteti ku unë rris edhe fëmijën tim. Është qyteti ku unë dua të plakem dhe qyteti ku pleqërojnë prindërit e mi. Për mua Saranda nuk është thjesht një mundësi për t’u bërë unë kryetar bashkie, për mua Saranda është atdhe. Krenari për mua do të jetë që do të zgjidh disa nga sfidat e këtyre dekadave që ne i kemi pasur si qytetarë sepse unë para se të jem kandidat, jam qytetar dhe unë i di hallet dhe problemet. Do të kisha dëshirë që të zgjidhja çdo sfidë në këtë qytet, sfidën e mungesës së akseseve,  bulevardet, të bëja zgjatimin e bulevardit, të zgjidhja problemin e ujit të pijshëm 24 orë. Është gjynah që një qytet ku ujin e kemi në mes të qytetit, lumi i Bistricës të derdhet në mes të qytetit të Sarandës dhe ne nuk e kemi në çezmat tona ndërkohë që kemi vende kufitare siç janë Greqia dhe Italia që na lusin ta marrin ujin tonë dhe ta çojnë nga 30 deri 300 km larg që ta shfrytëzojnë për qytetet e tyre. Ndërkohë ne që e kemi këtu përbri qytetit tonë, nuk kemi mundësi ta shfrytëzojmë.

Do të kisha dëshirë të zgjidhja rrënjësisht problemin e mungesës së shkollave, të çerdheve, kopshteve. Do të kisha dëshirë të zgjidhja problemin e mungesës së hapësirave të gjelbra, të mungesës së këndeve të lojërave që nuk kemi nëpër lagjet tona. Unë do të punoj me mish e me shpirt që të zgjidh çdo sfidë në këtë qytet duke i menaxhuar me nikoqirllëk të gjitha fondet publike siç i menaxhoj edhe sot në punën që unë bëj.

Unë punoj në sistemin më të mirëkontrolluar në botë dhe më mirëkontrolluar edhe në Republikën e Shqipërisë, në sistemin bankar dhe çdokush e kupton se çdo të thotë edhe një cent në sistemin bankar. Me të njëjtin integritet, me të njëjtin përkushtim do të punoj që të menaxhoj të gjitha problematikat e qytetit tim.

Sfida ime është që të kemi qytetin më të pastër në republikë  dhe kjo është sfidë personale brenda këtij 4-vjeçari. Sfidë e imja është që të kemi më shumë kopshte, çerdhe dhe shkolla për këtë qytet dhe kjo është sfidë e imja personale dhe do ta realizoj. Sfidë e imja është që do të kemi një sistem taksapagues të drejtë për të gjithë qytetarët duke bërë diferencim të drejtë për ata që fitojnë më tepër dhe për ata që fitojnë më pak. Të gjitha bizneset e reja, për një vit nuk do të paguajnë taksa në bashkinë Sarandë dhe përkundrazi, do të promovohen nga bashkia Sarandë për një vit falas. Sa shumë sfida ky qytet. Ka shumë sfida sepse është një qytet ku nuk është punuar kurrë. Prej 12 vitesh këtu investohen para dhe nuk zgjidhet asnjë sfidë. Prej 12 vitesh, ky qytet shquhet për kronikat e zeza. Prej 12 vitesh, tenderat e kësaj bashkie janë tendera më flamur të kuq. Në tetë vitet e fundit, afro 98% e fondeve publike...

Kafe Shqeto: Z. Cikuli, nëpër zyra kemi parë sikur është rënduar pak atmosfera...

Ardit Cikuli: Këtu, në qoftë se nuk njeh sekserin e çdo kryetari apo sekserin e çdo drejtori, nuk mbaron dot punë. kjo është për të ardhur keq. Dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët, të majtë apo të djathtë, myslimanë apo të krishterë, vendali apo të ardhur. E dinë të gjithë. E dinë të gjithë dhe më datë 14, kjo lloj borgjezie, kjo lloj hajdutërie do të ndëshkohet me votë.

Kafe Shqeto: Një mesazh të fundit për qytetarët e Sarandës, çfarë do t’u thoshit atyre që po iu ndjekin në këto momente?

Ardit Cikuli: Në këto zgjedhje, në diferencë me zgjedhjet e kaluara, ka ndodhur një fenomen akoma më i agravuar: po na shtrohen rrugët e qytetit!!! Po na shtrohen rrugët e lagjeve tona me asfalt elektoral 2 cm, me betone të shpejta, sepse pushteti në ikje nuk i dalin sondazhet!!!

Unë do t’u thosha qytetarëve, bashkëqytetarëve të mi, ata të cilët kanë 12 vjet që tallen me nevojat tona, u kujtuan që për 24 orë apo 48 orë, të na zgjidhin problemet që i vuajmë prej 12 vjetësh! Ne jemi nga qytetet taksapagues më të mëdhenj, ne jemi bashki ose nga të vetmet bashki në Shqipëri që mund të vetëfinancohet. Ne nuk kemi nevojë për qeverinë shqiptare. Kapacitetet dhe të ardhurat e kësaj bashkie mjaftojnë dhe teprojnë që të mbash administratën në punë dhe të kryesh edhe funksionet publike të kësaj bashkie. E megjithatë, kemi ne kemi 12 vjet që vuajmë për gjithçka. Dhe këta u kujtuan dhjetë ditë para zgjedhjeve  të bëjnë rrëmujë gjithë qytetin dhe të kolapsojnë gjtihë qytetin dhe lagjet duke hedhur asfalte dhe betone kudo edhe pse është e jashtëligjshme.

Mos e shisni votën tuaj! Ndëshkojini me votë se për atë copën e betonit që ju kanë hedhur para shtëpisë, do t’ju pinë gjakun edhe katër vjet të tjera, do t’ju rrisin tarifat e sekserëve siç kanë bërë deri më sot, do t’ju prishin shkollat, do t’ju rrëmbejnë detin se për atë kanë ardhur dhe atë kanë zili. Ne na shikojnë si provincialë të Shqipërisë që paskemi ca prona në anë të detit dhe do të vijnë këta të sektit të Rilindjes dhe do të zaptojnë gjithçka në këtë qytet. Ky qytet për ne është atdhe dhe ne nuk duhet të lejojmë askënd që këtë qytet ta trajtojë si plaçkë. /ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco