Albert Mëlyshi: Mirditës i duhet një vizion i ri, një qytetar i parë që është aty me banorët!

21:43, 02/05/2023
A+ Aa A-

Kandidati i koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Mirditës, Albert Mëlyshi shprehet se ndryshimi në 14 Maj është i domosdoshëm. 

Në "A Show" me Adi Krastën në Syri Tv, Mëlyshi tha se Mirditës i duhet një vizion i ri për të sjellë një qasje tjetër dhe një qeverisje që mendon për qytetarët. 

Si çdo qytet tjetër në periferi, edhe Mirdita është prekur nga shpopullimi. 

Albert Mëlyshi sjell në vëmendje se potencialet e Mirditës janë të shumta, por ajo që i mungon është qeverisja efikase gjë e cila po nxit largimin e qytetarëve. 

Ai shton se mirditorët duhet të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre në vendlindje, por për të bërë të mundur këtë duhet ndryshim në 14 Maj.  

"Mirditës, gjatë këtyre viteve i ka munguar vizioni qeverisës. Ka pafund mundësi për t'u zhvilluar, por mënyra si është qeverisur ka krijuar një ngërç të madh. Mirditorët po ikin, shpërngulja është masive. Duhet domosdoshmërisht ndryshim në Mirditë që mirditorët të shohin që Mirdita, vendlindja e tyre, është vendi ku mund të ndërtojnë jetën e tyre, ku mund të zhvillohen dhe ku patjetër mund të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre. Me mundësitë që ka, Mirdita mund të zhvillohet lehtësisht, duhet një vizion i ri, një vizion i qartë se si Mirdita mund të bëhet dhe tjetra më e rëndësishmja, duhet ta duash përpara dhe pastaj të punosh që ta bësh. Kjo është ajo që Mirditës i jep një tjetër qasje. Jam në një moment që mirditorët mund të më japin shansin që të jem aty, pikërisht për të ndihmuar Mirditorët dhe për të patur shansin që të gjithë qytetarët të kenë një qeverisje lokale në shërbim të tyre dhe patjetër me ato mundësi që ofron bashkia Mirditë të ofrojmë shërbimet që vërtetë meritojnë, një qeverisje, një qytetar i parë që është aty me ta, bashkëpunon me ata, diskuton me ata dhe ofron atë që ka bashkia", u shpreh ai. 

Albert Mëlyshi theksoi se është shqetësues zhgënjimi i qytetarëve nga politika, aq sa ata kanë humbur shpresën dhe besimin. Gjë të cilën ai e ka konstatuar në takimet e përditshme me qytetarët. 

"Njerëzit janë mërzitur me politikën, kanë pritur shumë, nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje. Dhe në fakt çdo kandidat që u paraqitet njerëzve përballë u duket njësoj si ata që kanë kaluar, e kanë shqetësim të brendshëm se edhe ky mund të jetë si ata. Kjo është realisht shqetësuese se qytetarët e kanë humbur besimin tek politika. E kanë humbur besimin tek politika jonë e ajo lokale, por edhe te institucionet ndërkombëtare", tha ai. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco