Takimi në Lezhë/ Mediu: Të bëjmë më të mirën për vendin, të gjithë bashkë për të votuar Pashk Gjonin

Takimi në Lezhë/ Mediu: Të bëjmë më të mirën për vendin, të gjithë bashkë për të votuar Pashk Gjonin

10:20, 28/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu iu bëri thirrje votuesve në Lezhë të votojnë këshilltarët republikanë dhe kandidatin e opozitës për Kryetar Bashkie doktor Pashk Gjoni.

Sipas tij, nëse ka një pyetje se çfarë duhet të bëjmë për të zgjidhur problemet që ka Shqipëria, përgjigjja është të bashkojmë shqiptarët.

“Nuk mundet që njerëz që kontribuojnë për familjet e tyre, mendojnë për familjet e tyre, sakrifikojnë për familjet e tyre, për vendin e tyre, të lihen në harresë sikur janë qytetarë të dorës së dytë. Detyra e parë është që gjithë diaspora, gjithë emigrantët, të votojnë.

Kjo do t’i jepte një vlerë tjetër marrëdhënies sonë politike, ekonomike dhe sociale në vend. Por jo vetëm kaq. Mendoj që ka ardhur koha, që këta njerëz, të rinj e të reja, jo vetëm në Bashkinë e Lezhës, por në gjithë Shqipërinë, të vijnë dhe të na përfaqësojnë në Kuvend dhe në qeveri”, tha Mediu.

Kreu i PR theksoi se ka ardhur koha gjithashtu që t’i themi të rinjve të rejave, njerëzve më të mirë të këtij vendi, që është radha juaj për të qeverisur, sepse e djathta nuk është pronë, është marrëdhënie me qytetarin, është marrëdhënie me njerëz të lirë dhe njerëz të mirë dhe njerëz të mire dhe të lirë ka në Lezhë dhe në mbarë botën, të cilët duhet të kthehen dhe të bëjnë qeverisjen më të mirë për këtë vend.

Zoti na ka falur jetën, lirinë dhe mundësinë për të ndërtuar lumturinë dhe këto nuk mund t’i zëvendësojmë dot me autoritete dhe pushtete njerëzish të gabueshëm.

Është shumë e rëndësishme ne të kuptojmë që kjo vlerë që na është dhënë ta vendosim në shërbim të jetës sonë. Prandaj ka dhe një gjë që mund ta kurojë mirë shoqërinë shqiptare, përveçse duhet të flasim fort për problemet, për krimin, për korrupsionin, e rëndësishme është të dimë si të flasim me shqiptarët.

Të flasim me ta duke i dëgjuar dhe jo vetëm duke ju thënë, të dëgjojmë hallet dhe problemet që ata kanë, të flasim me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës, me respekt për njëri-tjetrin, se mësimi më i madh i Zotit është; jo vetëm të duam Zotin, por të duam dhe të respektojmë njëri-tjetrin”, tha Mediu.

Ai theksoi se pa dashur dhe pa respektuar njëri-tjetrin, ne nuk mund të arrijmë asnjë lloj suksesi.

Ne, të gjithë duhet të kemi guximin për të qëndruar, përndryshe, ne, fëmijët tanë, do të futen në qerthull të errësirës, në një rrugë të gjatë, e cila do të jetë e dhimbshme dhe e mundimshme, për ne si prind, por dhe për ata. Ne kemi sot një takim me fatin dhe ky takim me fatin është 14 maji.

Prandaj ju bëj thirrje ju, të gjithë të bashkojmë, të flasim me çdo lezhjan, të trokasim në çdo derë, por në radhë të parë të trokasim në zemrat e njerëzve, të dëgjojmë me vërejtje problemet dhe hallet e njerëzve, mos të na duken si të tepërta, t`i japim kuptim dhe vlerë jetës së çdo qytetari, sidomos atyre që janë në nevojë, sepse duke i dhënë kuptim dhe vlerë problemeve dhe halleve që ata kanë, duke i dëgjuar me vëmendje dhe duke i dhënë zgjidhje, ne i kemi dhënë kuptim dhe vlerë edhe jetës sonë”, deklaroi kreu i PR.

Ai bëri thirrje për t’u bashkuar për atë që është më e mira për Lezhën.

Prandaj dua të bashkohem me ju, si bashkudhëtar i juaj, së bashku me Pashkun, për të bërë atë që është më e mira, për të sjellë Pashkun në krye të Bashkisë së Lezhës, për t’i dhënë Lezhës vlerën e saj historike, turistike dhe të një zhvillimi që i takon qytetarëve të Lezhës, për t`i dhënë mundësi, nëpërmjet Pashkut, Linditës dhe të tjerë, që Shqipëria të ndryshojë, të bëjmë më të mirën, duke votuar Pashk Gjonin”, tha Mediu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco