Mbrojtja: Pushteti ishte në duart e komandantëve lokalë, Thaçi nuk ka pasur motiv për të kryer krime

Mbrojtja: Pushteti ishte në duart e komandantëve lokalë, Thaçi nuk ka pasur motiv për të kryer krime

10:07, 04/04/2023
A+ Aa A-

Në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur deklaratën hyrëse që pritet të zgjasë tri orë.

Avokati Gregory Kehoe tha në nisje të seancës se në ditën paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar tentoi të ndërlidhë dokumente e komunikata për të dëshmuar se “kolaboracionistët ishin kërcënim ekzistencial”.

“Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencial. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por dha një shembull se si komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

“Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokalë”, tha ai.

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, në fjalën e tij hyrëse tha klienti i tij nuk ka pasur motiv për të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.

Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës. Sipas tij, atyre ju mungoi konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam t'i vendosim në kontekst”, tha ai.

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.

Sipas avokatit të Thaçit, Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen.

Avokati Gregory Kehoe, sërish mbështeti pretendimin e tij se Thaçi nuk kishte pushtet që të parandalonte apo ndëshkonte krimet e mundshme gjatë luftës.

“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco