Berisha thirrje shqiptarëve: Mos harroni. Çdo votë e shitur është votë për varfërimin tuaj!

19:32, 01/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri një apel të drejtpërdrejtë qytetarëve që do t'i drejtohen kutive të votimit në 14 maj, për të zgjedhur drejtuesit e pushtetit vendor. 

Nga Bulqiza ku mori pjesë në prezantimin e kandidatit të koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë", Dëfrim Fiku, Berisha akuzoi qeverinë se vjedh shqiptarët, ndërsa numëroi edhe dështimet në infrastrukturën rrugore ku prej 8 vitesh qeveria nuk ka bërë asnjë inaugurim të tillë. 

Duke iu drejtuar shqiptarëve, Berisha i kujtoi ata se çdo votë e shitur është votë për monizmin, për varfërimin tënd, për largimin e qytetarëve. 

"Në vitin 2013 në arritëm në një arritje historike të kemi rrogat më të larta në rajon. I meritonim, por ne jemi vendi më i pasur i rajonit. Nuk ka rajoni dhe Europa vend të pasur si ne. Absolutisht, vend me fusha nafte, vend me depozita kromi, depozita hekuri, vend me fushat më pjellore aq sa janë,  me ujëra të pafundme, me brigje fantastike. Nuk ka një vend të dytë në Europë me pasuritë e Shqipërisë. Jo nuk ka. 

Çfarë ndodh sot. Sot kemi rrogat më të ulëta në rajon. Sot paguhemi 30-40% më pak se në Kosovë. Buxheti i Kosovës është dy herë më i ulët e kanë 2 miliardë, e kemi 4 miliardë euro. Por qeveria e Kosovës, dhe çdo qeveri, ato që i merr gjen mënyra se si të ua kthejë qytetarëve, se ato janë të qytetarëve. Qeveria nuk ka një qindarkë, nuk prodhon një qindarkë, të gjitha ato janë mundi, djersa e juaja. Janë gjithçka e juaja. 

I kthehet në rroga, i kthehet në pensione, në rrugë, në shkolla, kanalizime, ujësjellësa. Çfarë ndodh në Shqipëri. Pyeteni pak zonjën Balluku, si ka mundësi që në 8 vite në këtë qark, nuk tregon dot një rrugë të përfunduar. Si ka mundësi që nuk ndodhi asnjë ndryshim, asnjë investime në rrugë dhe ura e Cerenecit në Peshkopi. Ura e Cerenecit në Librazhd, po si ka mundësi rruga e përfunduar Klos-Bulqizë, prej 8 vitesh pret dhe nuk përdoret. Po si ka mundësi, të injorohet në këtë mënyrë ky rreth që prodhon krom dhe ka rezerva botërore kromi. 

Të gjitha këto kanë vetëm një përgjigje. Ajo nuk investon dot në rrugën ura e Cerenecit-Peshkopi, apo Librazhd, sepse ajo investon në fushë. Ndërton 1 km rrugë me 24 mln euro. ajo kushton 2 milionë, vjedhin 22 milionë dhe kjo është e vërteta. Ajo ndërton rrugët anësore me një çmim 2.5 herë më të lartë se vetë autostrada. Ato ndërtojnë shkolla 6 mln euro, në një kohë kur shkolla kushton 700 mijë euro. 

Vjedhja është bërë universale. Këto kohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë merrte me qira një numër të madh makinash, 30 mijë euro për 4 vite. 30 mijë euro kushtonte secila prej këtyre makinave po të blihej. Po çfarë bëhet kështu. Po këta ndajnë paratë me pronarët e makinave. Po si ka mundësi të paguash qira aq sa e blen të re. 

Ndaj dhe këta nuk vijnë tek ju, nuk u takojnë. Këta rrinë si hije që mbushin strajcat dhe e bazojnë të gjithë fushatën në mashtrimin dhe blerjen e votave. Lutja ime është sot për çdo shqiptar, mos harron se, çdo votë e shitur është votë për monizmin, se çdo votë e shitur është votë për varfërimin tënd, se çdo votë e shitur është votë për largimin e shqiptarëve", tha Berisha. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco