SYRI TV/ Veliaj dështoi me pastrimin e ujërave të zeza, rrezikohet gjobë 81 milionë euro në Arbitrazh

13:44, 31/03/2023
A+ Aa A-

Shqiptarët sërish rrezikojnë të paguajnë një tjetër gjobë në Gjykatën e Arbitrazhit. Shkak sërish është shteti dhe Bashkia e Tiranës, të cilët dështuan të përmbushin zbatimin e një projekti për ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza, fakt ky i konstatuar nga kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, i cili pak ditë më parë tha se impianti që do të shmangte derdhjen e ujërave të zeza në Lanë nuk ekziston. Ndërkohë kompania shqiptaro-japoneze “Dondi e Kubota” tashmë e ka dërguar çështjen në arbitrazh.

Nga SYRI TV

Gjatë Bienales së Arkitekturës në Çikago, të zhvilluar në nëntor 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës informoi pjesëmarrësit se problemi jetik i largimit të ujërave të zeza të kryeqytetit do të eliminohej tërësisht brenda 5 viteve, nëpërmjet një projekti të financuar nga qeveria japoneze.

Ai i referohej një marrëveshjeje me vlerë 120 milionë dollarë, të nënshkruar nga qeveria Berisha.

Por, kur kanë kaluar më shumë se 5 vjet nga premtimi i Veliajt, problemi i ujërave të zeza jo vetëm që nuk është zgjidhur, por ekziston rreziku potencial që Shqipëria të paguajë edhe një gjobë me vlerë 81 milionë euro në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, konstatoi pak ditë më parë se impianti që do të shmangte derdhjen e ujërave të zeza në Lanë nuk ekziston. Kjo, pasi qeveria shqiptare prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me zbatuesit e projektit, bashkimin e kompanive “Dondi e Kubota” në vitin 2018.

Sipas institucioneve qeveritare, kompanitë zbatuese nuk kishin përmbushur detyrimet kontraktuale.

Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerësoi më herët se fajtore për prishjen e kontratës është qeveria shqiptare.

Sipas grupit të auditimit, vonesat në zbatimin e projektit kanë ardhur për shkak të mungesës së hapësirave për të kryer punimet, mungesa apo vonesa të tejzgjatura të pagesave për kontraktorin, mungesa e theksuar në zbardhjen e lejeve të ndërtimit, e të tjerë, të cilat janë të gjitha përgjegjësi e institucioneve shqiptare.

Pas prishjes së njëanshme të kontratës, kompanitë zbatuese “Dondi e Kubota” iu drejtuan Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku kërkojnë dëmshpërblim në vlerë 81 milionë euro.

Çështja është në shqyrtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Bankës Botërore dhe, sipas KLSH-së, shteti shqiptar, me shumë gjasë, do të dalë i humbur.

Pra, nga premtimi i Veliajt për eliminimin e plotë të qarkullimit të ujërave të zeza në Tiranë, tashmë situata është tërësisht negative. Projekti nuk ekziston dhe nuk dihet se kur do të realizohet, ndërkohë që vendi mund të përballet me një gjobë të majme nga Arbitrazhi Ndërkombëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco