Mbi 80% e shqiptarëve duan të ikin/ Berisha: Rezultat i një regjimi monist, shqiptarët do firmosin ndryshimin

Mbi 80% e shqiptarëve duan të ikin/ Berisha: Rezultat i një regjimi monist, shqiptarët do firmosin ndryshimin

12:23, 31/03/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, u ndal në konferencën e të premtes gjatë te çështja e largimit masiv të shqiptarëve. Ai citoi një sondazh të publikuar edhe nga EuObserver ku thuhet se mbi 80 përqind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi.

“Një studim tregon se mbi 80 përqind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria. Ky është një lajm tragjik, të cilin nuk e gjen as në vendet në pushtime të plota, as në vendet në luftëra të pamëshirshme, as në vendet që përballen me varfëri ekstreme.

Kjo ndjenjë është rezultat i një regjimi monist, që nuk njeh asnjë normë, asnjë parim, asnjë ligj, asnjë kufi në këtë vend.

Shqiptarët shquhen si njerëz inteligjentë, çfarë do të thotë se ata kanë një shkallë absolute papajtueshmërie me regjimin aktual. Por ata bëjnë zgjidhjen më të lehtë, largimin nga Shqipëria. Ky lajm dramatik, sipas të cilit mbi 80 përqind e shqiptarëve kërkojnë të largohen nga vendi i tyre, është një apel, një kushtrim për çdo shqiptar.

Të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë të kësaj situate dramatike që përjeton Shqipëria sot, më dramatike se në tërë kohërat e saj, në raportin e braktisjes nga qytetarët e vet.

Për shqiptarët, pasuritë e tyre përrallore janë shndërruar në një mallkim të vërtetë, sepse ato disponohen nga një organizatë kriminale që quhet qeveri, dhe klientela e saj. Kurrë ndonjëherë një shpërndarje më e pabarabartë nuk ka ekzistuar për të mirat materiale dhe pasuritë publike.

Por mbi 80 përqind kërkojnë të largohen se përballen me një varfëri të frikshme në rritje. Dhe me mashtrime gjithnjë e më të mëdha. Përballë kësaj situate, Edi Rama lëshon për qëllime elektorale, premtim-mashtrimin për rrogën mesatare 900 euro. Cinik, ndaj atyre që nuk kanë. I pamëshirë.

Premton vetëm e vetëm që t’i mashtrojë, siç i mashtroi me të gjitha premtimet e mëparshme. Pra, ky është aspekti kryesor që i detyron shqiptarët të mos e shohin të ardhmen e tyre në këtë vend,” tha Berisha.

"Pasiguria është e plotë. Këtu vriten njerëz kudo që janë nga bandat e qeverisë të lidhura me qeverinë. Sepse kurrë po të mos ishin të lidhur me qeverinë, nuk do guxonin të shkrehnin breshëri nga jashtë në një kafene plot njerëz, ndaj një televizioni me dhjetëra mos qindra punonjës brenda. Të gjithë kurajën këta e kanë te mbështetja e qeverisë dhe te licenca publike: vrisni njëri-tjetrin.

Regjimi i Edi Ramës tani është bërë i pashpresë. Ju i morët vesh hetimet për McGonigal. Në Uashington u konfiskuan pasuritë e tij. Uroj të vijnë në Tiranë të konfiskojnë pasuritë e tyre. Udhëtimet janë bërë për në Dubai dhe në Singapor nga Dorian Duçka më të shpeshta se ku të themi. Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës që ka vjedhur 2.2 miliardë euro, fshihet në Dubai. Gjobëvënësi Duçka dhe Agron Neza qarkullojnë të lirë në Tiranë dhe Shqipëri dhe vazhdojnë misionin e tyre.

Pra, është një situatë e paprecedentë. Situatë që fton çdo shqiptar të ngrihemi, të firmosim ndryshimin më 14 maj. Unë konstatoj një klimë të shkëlqyer në takimet, në xhirot që kam bërë. Shqiptarët janë të përgatitur për të firmosur ndryshimin, për të rivendosur pluralizmin. Por këto statistika, këto të dhëna e bëjnë edhe më emergjent këtë ndryshim. Janë një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari, të mos pajtohemi me këtë realitet dramatik," tha Berisha.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco