Boçi: Projekti për Elbasanin nis nga qytetari, të rikthejnë besimin tek vetja

Boçi: Projekti për Elbasanin nis nga qytetari, të rikthejnë besimin tek vetja

09:46, 27/03/2023
A+ Aa A-

Luçiano Boçi, kandidati i opozitës për kryebashkiak të Elbasanit, theksoi sot se programi i tij për qytetin nis nga qytetari i thjeshtë, pasi njerëzit kanë nevojë të nxirren nga depresioni i këtij regjimi.

“Projekti për Elbasanin nis nga qytetari, - shkroi Boçi në rrjetet sociale. -  Njerëzit kanë nevojë të nxirren nga depresioni depersonalizues i një regjimi, i cili ka tronditur themelet e integritetit njerëzor.

Qytetarët kanë nevojë të rikonfirmojnë dimensionet e natyrshme të lirive të tyre civile – politike, ekonomike e shoqërore, të rikthejnë besimin tek vetja dhe vlerësimin që meritojnë të kenë institucionet e një vendi normal."

Më herët, në një mesazh, Boçi bëri krahasimin me fushatën që po zhvillon kundërshtari:

"Po të mbështetesh tek ligjërimi politik i fushatës së socialistëve në Elbasan, do të kuptosh se qytetarët e kësaj bashkie kanë një armik: ajo është qeveria!- gjykoi ai. - Meqë bashkinë e drejtoka një njeri që ndërmjetëson me qeverinë, atëherë ky rrezik neutralizohet. Dhe ajo mund të bëhet miqësore – po u respektua ndërmjetësi.

Në të paktën 10 shfaqjet e fundit – drejtuesi politik i PS në Elbasan ka deklaruar se qeveria e ka mirë me kryetarin aktual. Kjo sipas tij garanton se premtimet boshe të një administrate që për 16 vjet nuk ka bërë dot as minimumin e pritshëm të punëve, duhen besuar.

Nuk po analizoj sa e dështuar ka qenë vetë qeveria! T’u thuash sot njerëzve se kjo qeveri që nuk ka përmbushur as detyrimet e veta do të plotësojë premtimet e një kukulle prej lecke, dëshmon një logjikë shumë të dyshimtë. Drejtuesi rilindas ka zgjedhur mesazhin e gabuar, qeverinë e gabuar dhe kukullën e gabuar për këtë shfaqje.

Nuk mund të ketë një qasje më poshtëruese për qytetarët e Elbasanit, një frazë më djallëzisht fyese, dhe njëherësh një arsyetim më të rrezikshëm për marrëdhëniet brenda-politike të një komuniteti qytetas, sesa ngulitja e bindjes se qeveria nuk njeh qytetarët, përveçse përmes filtrit të një ndërmjetësi.

Taksat që qytetarët elbasanas i paguajnë shtetit do t’u kthehen nga Qeveria me detyrim për t’u investuar në bashkinë e tyre, sepse janë paratë e djersës dhe të mundit të tyre.

Nuk ka qeveri që guxon të mbajë peng dhe të refuzojë përparimin e një rajoni kaq të rëndësishëm për fatet e vendit sa bashkia jonë.  Socialistët e ndershëm e dinë shumë mirë se kush i thotë të vërtetat edhe për ta dhe se kush mbron kauzat e tyre qytetare dhe projeksionet e tyre për zhvillimin e qytetit. Ne jemi me qytetarët demokratë dhe socialistë të ndershëm, dhe të çdo lloj bindjeje. Bashkë me ta do të qeverisim një qytet të pastër, të jetueshëm dhe njerëzor."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco