Berisha: Shqipëria kërkon ndryshimin, ne jemi përgjegjës para fëmijëve tanë për të votuar kandidatët e primareve

20:15, 24/03/2023
A+ Aa A-

Nga Kamza ku prezantoi Arjan Hoxhën, kandidatin e opozitës për kryetar bashkie, lideri demokrat Sali Berisha tha se zgjedhjet e 14 majit janë më shumë se zgjedhje vendore.

Berisha u shpreh se këta qeveritarë vendorë dhe qëndror vjedhin 80-90 % të fondit në çdo punë publike, ndaj dhe borxhi rritet, rrogat ulen, shqiptarët largohen dhe vetëm largohen nga Shqipëria. 

Fjala e Berishës:

Miqtë e mi! 
Ne jemi rropatur në varfëri në dekada dhe shekuj, por ne me djersë, me lumenj djerse, arritëm me reforma në vitin 2008, të bëhemi njerëzit më të paguar në Ballkan, të bëhemi njerëzit me rrogën mesatare më të lartë se të gjithë tjerët. Dhe kjo është arritja historike e jetës tonë.
Po çfarë ndodhi në këto vite? Nga viti 2013 e deri më sot, rrogat nuk u rritën, por u rritën çmimet dhe sot çdo qytetar i Kamzës, blen naftën me të njëjtin çmim që blihet në Berlin. Sot çdo qytetar i Kamzës, blen ushqimet me të njëjtin çmim me të njëjtin vend ku rrogat janë 6-8 herë më të larta. 
Sot rrogat dhe pensionet tuaja vlejnë së paku 30% më pak se sa vlenin në vitin 2013. Çfarë ndodh kështu. Pse u ndalua rritja e rrogave, rritja e pensioneve. Rritja e rrogave dhe pensioneve u ndaluan vetëm e vetëm se qeveria vjedh. Vjedh ditën, natën, çdo javë, muaj dhe vjedh gjithnjë e më shumë. 
Kjo qeveri në 8 vite ka marrë borxh në bankat Europiane 5 miliardë euro. Kjo qeveri me 5 miliardë Euro, mund të kishte rritur 6 herë rrogat e shqiptarëve, kjo qeveri me 5 miliardë euro mund të kishte rritur, 3 herë rrogat dhe 3 herë pensionet e shqiptarëve.
Ku shkuan, pa llogaritur të ardhurat e tjera. Të gjitha vidhen. Sepse kjo qeveri, si asnjë tjetër në Europë dhe botë, ndërton 1 km rrugë autostradë e cila kudo ndërtohet me 2-3 mln euro, e ndërton me 24 mln euro. Sepse kjo qeveri vjedh në 1 km autostradë, këta qeveritarë vjedhin së paku 20-21 mln euro. 
Këta qeveritarë vendorë dhe qëndror vjedhin 80-90 % të fondit në çdo punë publike, ndaj dhe borxhi rritet, rrogat ulen, shqiptarët largohen dhe vetëm largohen nga Shqipëria. Kjo qeveri rriti taksat për bizneset tuaja, përgjysmuan bizneset. Ku shkuan të tjerët? Ata që falimentuan u larguan dhe largohen. 
Kjo qeveri ndërpreu financimet për bujqësinë. Sot Shqipëria financon fermerët shqiptarë 5 herë më pak se Kosova. Sot kjo qeveri nuk jep asnjë garanci për çdo fatkeqësi natyrore që mund të ju ndodhë fermerëve. Ndërkohë që Kosova dhe çdo vend i rajonit, paguan me çmim bazë çdo prodhim të dëmtuar nga shkaqe natyrore, apo shkaqe të tjera.
Pra a mund të vazhdojmë në këtë mënyrë, të na vjedhin dhe të na rrjepin, një grusht qytetarësh si Edi Rama, Rakip Suli që tenderon dy herë një shkollë, siç ka bërë me shkollën ‘Azem Hajdar’. Që rikonstrukton shkolla me çmime 2-3 herë më të larta seç janë ndërtuar nga e para. 
A mund të vazhdojmë ne në këtë mënyrë? Jo nuk mund të vazhdojmë. Shqipëria kërkon ndryshimin, dhe ne jemi përgjegjës para vetes tonë, fëmijëve tanë, para njëri tjetrit, për të votuar ndryshimin, për të votuar Arjan Hoxhën, për të votuar kandidatët e primareve. Ne duhet të bëjmë gjithçka që në 14 maj të rivendosim pluralizmin.
Partia Demokratike bëri një gabim të pafalshëm kur nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale. Por PD-ja e korrigjon gabimin. Sot po bëjnë gjithçka për ta nxjerrë nga votimet, ne do të marrim pjesë, ne do të fitojmë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco