VIDEO-SYRI TV/ Raporti i DASH 'kryqëzon' Edi Ramën: Korrupsion në çdo degë të qeverisë

21:32, 20/03/2023
A+ Aa A-

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për Shqipërinë, një ndër raportet më kritike që DASH ka publikuar vitet e fundit. Në raport theksohet se korrupsioni është i  përhapur në të gjitha degët e qeverisjes në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale. Raporti evidenton avantazhet e përfituara nga Partia Socialiste përmes përdorimit të administratës shtetërore, blerjen e votave dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale. Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj.

Sipas këtij raporti, këto ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Një vëmendje të veçante DASH-i i ka kushtuar korrupsionit, që siç thuhet në raport, është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.

 

Korrupsioni ekziston në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private. Në gusht SPAK siguroi dënimin përfundimtar të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës, siguroi dënimin përfundimtar të një gjyqtari dhe një prokurori për akuzat e korrupsionit dhe u dërgua për gjykim një rast korrupsioni ndaj një prokurori tjetër.

Ish-zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda u dënua me 10 muaj burg dhe ish-kryebashkiaku Fatos Tushe u dënua me dy vjet e katër muaj për shpërdorim detyre. SPAK hetoi kontratat publiko-private për inceneratorët e mbetjeve në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, që dyshohet se dërguan në mënyrë të paligjshme (271.5 milionë dollarë) për zyrtarët e qeverisë dhe kontraktorët. Hetimi çoi në arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në dhjetor 2021 dhe ish-deputetit Alqi Bllako në mars.

RAPORT I DASH

Në pjesën për zgjedhjet e fundit parlamentare, raporti evidenton avantazhet e përfituara nga Partia Socialiste përmes përdorimit të administratës shtetërore, blerjen e votave dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale.
 

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve raportoi se partia në pushtet nxori avantazhe të rëndësishme nga fakti i të qenit në pushtet, duke përfshirë kontrollin e saj mbi administratat lokale dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative. Kjo u përforcua nga pasqyrimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media.

Misioni theksoi gjithashtu disa mangësi, duke përfshirë pretendimet e besueshme për blerje të përhapura të votave nga partitë politike si edhe nxjerrjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave të ndjeshme personale. Mediat raportuan pretendime për përdorimin e burimeve publike për qëllime të fushatës partiake në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe pati raportime për ndikim të padrejtë politik në media.

RAPORTI I DASH

Raporti vëren edhe problemet me organet e drejtësisë i cili nuk funksionon në mënyrë të pavarur dhe efikase.
 

Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, ‘presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase’.

RAPORTI I DASH

Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj.
 

‘Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente’. Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët thuhet se kanë praktikuar autocensurë.

RAPORTI I DASH

Ne raport përmendet mbyllja me forcë e një ambienti biznesi të deputetit të opozitës Agron Shehaj, i cili tha se kompania e tij ishte vënë në shënjestër, pasi ai kishte akuzuar vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion.

Duke iu referuar rastit të Irfan Hysenbelliut dhe shembjes së Prestige Resort, në raport përmendet fakti që pronari i hotelit, që është edhe pronar i disa mediave dhe bizneseve të tjera, pretendon se hoteli i tij u shkatërrua për të heshtur kritikat dhe kundërshtimet, ndërkohë që qeveria tha se veproi në përputhje me ligjet në fuqi.

Duke folur për të drejtat e grave, raporti vë në dukje se qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive kur bëhet fjalë për përdhunimet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco