Berisha: Çdo socialist i ndershëm dhe çdo qytetar pa parti duhet të bashkohet me ne!

19:37, 16/03/2023
A+ Aa A-

"Çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne, çdo qytetar i pa parti duhet të bashkohet me ne". 

Kjo ishte thirrja e kryedemokratit Sali Berisha nga Lushnja, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Eduart Sharka, drejtuar qytetarëve. 

Berisha ftoi shqiptarët që të votojnë kandidatët e opozitës, votë e cila do të përkthehet në ndryshim për vendin që sot po përjeton katastrofën e shpopullimit. 

"Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet që ndajnë historinë sepse ne duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë dhe të ndalojmë këtë katastrofë, shkretim të kombit dhe vendit tonë. Në harkun kohor prej 8 vitesh nga Shqipëria kanë emigruar në BE, 937 mijë shqiptarë, po të përfshihen edhe vendet jo Shengen, kjo arrin mbi 1 mln.

Po të ecnim me këto ritme në 16 vite nuk dihet se kush do të jetë më në Lushnje dhe Shqipëri. Por të ndalemi pak. 

Marrim vetëm Lushnjen, me fushat e saj, kodrat e kodrinat e saj valëzuese, brigjet, rërën, lagunat mrekulli natyrore, me njerëzit e saj punëtorë të ndershëm, atdhetarë me traditën e saj të themelimit të pluralizmit, vendosjes së pavarësisë  së vendit, kjo Lushnje në të vërtetë është një parajsë tokësore dhe nuk mund të përfytyrojë njeriu një parajsë tjetër më të bukur se Lushnja me gjithçka ka nga natyra dhe njerëzit e saj. 

Por kjo nuk është vetëm Lushja, kjo kudo është Shqipëria dhe megjithatë Lushnja, Shqipëria braktiset sikur të ishte jo tokë e bekuar, por tokë e mallkuar. Megjithatë Lushnjarët punëtorë, atdhedashës, shqiptarët ardhedashës, largohen, braktisin me qindra në ditë, me mijëra në javë vendin e tyre, më shumë se sirianët që janë në luftë civile dhe të tjerët që janë konflikte.  

Çfarë po ndodh me ne? Është koha që të shtrojmë këtë pyetje, çfarë do që jemi, demokratë, socialistë pa parti. Duhet të ndalemi çfarë po ndodh me ne. Një regjim ka vendosur monizmin, monizmat janë dramat më të mëdha të popujve në histori. Por nuk ka popull në botë ta dijë më mirë se ne shqiptarët se çfarë do të thotë monizëm, ne e kaluam atë për gjysëm shekulli.

Sot ne kemi një pushtet, kemi një njeri i cili ka në duart e veta çdo pushtet, ka pushtet më shumë se Ramiz Aliaj në vitin 1991. Sot kemi në pushtet një njeri i cili prodhon nga mëngjesi në darkë vetëm keqësi dhe negativitet për shqiptarët. Sot kemi një qeveri në të cilën të drejtat e qytetarëve shkelmohen me këmbë. Sot ne kemi një qeveri e cila varfëron dhe mjeron qytetarët e saj me vjedhjet që bën, çdo orë, çdo ditë, çdo stinë, çdo muaj, dhe çdo vit. 

Atëherë a duhet të vazhdojmë ne të ecim të përgjumur, a duhet të vazhdojmë ne të qëndrojmë indiferent. Çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne, çdo qytetar i pa parti duhet të bashkohet me ne".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco