VIDEO/ Belind Këlliçi flet për Tiranën dhe shoqërohet nga gjysma e tij më e mirë

23:01, 14/03/2023
A+ Aa A-

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi dhe e fejuara e tij Anna Shkreli ishin të ftuar në "A Show" me Adi Krastën, në Syri Tv. 

Kjo ishte dalja e parë publike në një studio televizive për Këlliçin dhe të fejuarën e tij, Anna. 

Anna Shkreli dhe Belind Këlliçi rrëfyen fillimet e tyre, përditshmërinë, por edhe si e shohin ata të ardhmen mes sfidës së Belindit për të qenë qytetar i parë i Tiranës, pas 14 majit. 

Në rrugëtimin e tij, sigurisht Belind Këlliçi ka një suport jo të vogël nga partnerja e tij, një vajzë e mirëshkolluar dhe e rritur mes librave, e cila nuk heziton të diktojë edhe defektet që ka kryeqyteti aktualisht dhe çfarë do të donte të ndryshonte. 

Anna nuk e fsheh për asnjë moment mbështetjen e saj për Belindin. 

"Jam këtu së pari prej ftesës tënde së dyti dua të tregoj mbështetjen ndaj Belindit pasi këmbëngulja e tij për të qenë në marrëdhënie me mua e ka paguar edhe shtrenjtë publikisht ndaj dua që ta mbështes edhe publikisht", tha Anna. 

Anna Shkreli ka qenë e prerë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Zgjedhja e saj ka qenë e bazuar mbi dashurinë për qytetin dhe trashëgiminë. 

"Ishte një kapitull profesional i jetës time. Kërkon kohë dhe diskutim shumë të gjatë. Unë dashurinë që kam për qytetin dhe trashëgiminë e qytetit, nuk flasim vetëm për trashëgiminë fizike, por edhe për atë set vlerash të cilat bëjnë pjesë në etnografi, kulturë, mënyrën si njeriu raportohet me hapësirën fizike që janë çdo gjë. Por pyetja e madhe është, a mund të ekzistojë kjo trashëgimi jo matariale në momentin kur nuk ekziston ana tjetër e medaljes". 

Në "A Show" ajo cek si esenciale edhe pjesën kulturore të Tiranës e cila duket se tashmë në qytetin tonë nuk ekziston. 

Qendra e Tiranës sipas asaj që kanë rikonceptuar Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk është ajo që duan qytetarët e Tiranës ndoshta në shumicën e tyre. 

Për Anna Shkrelin, qendra e qytetit nuk duhej prekur dhe zhvillimi duhej të ishte bërë në drejtime të tjera, siç janë zhvilluar metropolet më të njohura europiane. 

"Mendoj se Tirana në transformimet urbane për fat të keq nuk e ka ruajtur identitetin. Njerëzit e kanë parë qytetin të ndryshojë shumë shpejt dhe nuk janë mësuar me këtë ritëm madje humbasin edhe pika referimi si e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e qytetit. Unë qendrën e Tiranës do ta kisha ruajtur ashtu siç ka qenë, të paktën do kisha bërë atë që është bërë në shumë vende të tjera. Ok, do ta zhvillosh qytetit, por qyteti zhvillohet në një zonë tjetër, e kemi parë të ndodhë në Paris, e kemi parë të ndodhë në Londër", thotë Anna. 

Belind Këlliçi e di se sfida të cilën ka marrë përsipër nuk është ndër më të lehtat. Përpara ka një sistem shumë kompleks, shumë të fuqishëm që ka bërë shumë para... Por që Belindi duket se do të jetë rivali më pak i preferuar për establishmentin politiko-qeveritar. 

"Makineri paraje dhe propagande. Motivim i jashtëzakonshëm për t'u përballur me këtë makineri", shprehet Belind Këlliçit. 

Ai tregon se asnjëherë nuk është dorëzuar përballë diçkaje dhe një nga tiparet që Anna vlerëson tek ai, rrëfen Belindi, është insistimi. 

"Këmbëngulja ime për t'i shkuar betejave deri në fund Annën e ka impresionuar shpesh herë", shton ai.  

"Në këtë pikë ku jemi sot, ku të rinjtë e shohin të pamundur mbijetesën, përballjen me këtë regjim, me sistemin që është ngritur që ta pamundëson jetesën në Tiranë, as mund ta çojnë një pjesë e të rinjve në mend që mund të përballen me makinerinë dhe ta mposhtin makinerinë, për mua ky është dhjetëfish motivim. Për të dhënë të paktën shembullin, modelin tim personal që unë kësaj beteje do t'i shkoj deri në fund pa asnjë kompromis, siç e thonë amerikanët dhe britanikët shpesh herë "The underdog", nuk e kam problem fare, për t'u përballur dhe për t'ia dalë deri në fund", thotë Këlliçi. 

Njeriu tek i cili janë sytë e mazhorancës së banorëve të Tiranës, ajo shumicë që kurrsesi nuk është pajtuar me drejtimin aktual të kryeqytetit ku frymën po ua merr betoni dhe zhdukja e çdo këndi, parku dhe hapësire publike që deri dje ishte e gjelbëruar, nuk le pa përgjigje as stërkëmbëshat të cilët, siç thotë Belindi, duan të zhvendosin fokusin nga problemet reale të Tiranës, duke e atakuar atë për lidhjen me gjysmën e tij më të mirë. 

Dhe objektivi i tij është i përcaktuar tashmë: Të çrrënjosë atë model që po e bën Tiranën të pajetueshme!

"Unë jam Belindi, Anna është Anna, unë jam dashuruar me Annën për atë që përfaqëson Anna. Unë jam i dashuruar me Anna Shkrelin, unë dua Anna Shkrelin. Nuk besoj se jam i pari dhe i fundit në Republikën e Shqipërisë apo në Tiranë që kam bërë këtë zgjedhje. Kështu që me duket shumë absurde ndonjëherë, por tentativa për të më shqetësuar dhe zhvendosur vëmendjen nga objektivi final. Objektivi im final është i mirëpërcaktuar, është çrrënjosja e një modeli që ka vënë Tiranën nën thundër. Dhe nuk shqetësohem fare për goditjet dhe stërkëmbëshat gjatë rrugës sepse duhet të mbërrij në objektiv". 

Belind Këlliçi përfaqëson modelin e të riut në politikë që është produkt i garës, i votës dhe jo i kompromiseve dhe katapultimeve që rëndomtë i kemi parë dhe i shohim. 

Mbi të gjitha, kandidati i opozitës për Tiranën ka një program real, ka një alternativë për ta kthyer Tiranën në "shtëpinë e ëmbël" për të gjithë qytetarët dhe taksapaguesit, ndryshe nga klima e 'betontë' që mbizotëron tash e 8 vjet, ku fokusi i vetëm është përfitimi për një shpurë të vogël njerëzish. 

Dhe Tiranës i duhet pikërisht ajo që Belindi e thotë me zë të lartë: "Të ketë jetë"! "Tirana duhet të ketë jetë, se është kthyer në një fjetore e madhe, ku të gjithë qytetarët shkojnë në punë dhe shkojnë në gjumë. Jo, duhet të ketë jetë ky qytet". 

EMISIONI I PLOTË

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco