PD: Ministrat e Financës së BE e përcaktuan Shqipërinë me regjim fiskal problematik!

PD: Ministrat e Financës së BE e përcaktuan Shqipërinë me regjim fiskal problematik!

14:24, 16/02/2023
A+ Aa A-

Ministrat e Financës së Bashkimit Evropian, e përcaktuan dje Shqipërinë si një vend me regjim fiskal problematik, i cili nuk përmbush transparencën e nevojshme të standardit fiskal të vendeve të BE, bërti të ditur sot për mediat, anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo.

Bozdo tha se "Ministrat e Financës së Bashkimit Evropian, pasi vlerësuar Shqipërinë në tre drejtime kryesore: 1) Transparenca e sistemit fiskal,  2) taksimi i drejtë dhe i ndershëm dhe 3) lufta kundër praktikave të dëmshme fiskale-  konkluduan se Shqipëria nuk i përmbush këto detyrime." 

"Shqipëria zbret në këtë kategori problematike pasi për tre vjet e gjysëm, ekzaktësisht që nga qershori i vitit 2019, ajo konsiderohej si një vend me praktika brenda standardit evropian përsa i përket kritereve të mësipërme, - nënvizoi Bozdo duke deklaruar më tej se:

"Vlen të theksohet se në kategorinë ku Shqipëria është vendosur dje, ne jemi i vetmi vend evropian me aspiratë të qartë për tu bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kategori me janë vende si Armenia, Belize, Curacao, Seyshell, Aruba, Botswana etj.

Është e kuptueshme se ndërsa vendi ynë ka marrë ftesën për hapjen e negociatave, vendimi i BE-së për ta shpallur Shqipërinë si vend problematik, është qartazi vendim politik. Ky vendim është një ndëshkim i pastër për atë që po ndodh në Shqipëri! 

Ky vendim reflekton paralajmërimet e shumta të faktorit ndërkombëtar, mes tyre edhe të Komisionit Evropian, për të mos lejuar miratimin e projektligjit për amnistinë fiskale. 

Sa për kujtesë, qëndrimi i BE mbi projektligjin, ishte dhe është shumë i qartë: “Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnistinë fiskale. 

Projektligji dobëson kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që bën pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë me BE-në lidhur me kërkesat tatimore”

Në qëndrime edhe më të ashpra është FMN: “Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë "dalje nga burgu" për shmangësit e mëdhenj të taksave, “, thekson FMN.

Përballë ndërkombëtarëve, me kokëfortësinë e njeriut të zënë në çark, qëndron Rama me këmbënguljen e tij për të miratuar këtë projektligj. Dhe sa më i madh bëhet izolimi ndërkombëtar kundër Ramës, aq më i fortë është vullneti i tij i mbrapshtë politik për të ecur përpara me këtë projektligj. 

Arsyeja është një dhe vetëm një: Rama ka nevojë jetike për paratë e krimit të organizuar. 

Ka nevojë sepse shpenzimet e tij për blerje votash, blerje favoresh, blerje mediash dhe gazetarësh, kërcënimet dhe shantazhimet, kërkojnë gjithnjë e më shumë para. 

Skandali “Mcgonigal” ka ekspozuar në detaje makinerinë kriminale që ai ka ngritur në këto vite. 

Qerthulli i krimit ku është zhytur nuk lejon alternativë tjetër, vecse pushtet për të vjedhur para dhe para për të vjedhur zgjedhjet. 

Sa më shumë ai qëndron në karrigen e kryeministrit, aq më shumë dëmtohet reputacioni ndërkombëtar i Shqipërisë dhe aq më shumë izolohet vendi ynë. 
Ikja e Ramës është tashmë emergjencë kombëtare. Dhe ai do ikë, që Shqipëria të çlirohet nga një korruptues serial që ka vrarë me ndërgjegje cdo shpresë për një jetë normale në këtë vend."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco