Afera Rama-McGonigal/ REL: Opozita në Shqipëri proteston brenda dhe jashtë Kuvendit

Afera Rama-McGonigal/ REL: Opozita në Shqipëri proteston brenda dhe jashtë Kuvendit

14:03, 16/02/2023
A+ Aa A-

Me thuajse të njëjtin skenar si të tri ditëve më parë, opozita në Shqipëri protestoi para Kuvendit, por edhe brenda në seancën plenare.

Mbështetës të opozitës u mblodhën para Kuvendit, ndërsa deputetë të opozitës u përplasën me punonjës të Gardës së Republikës që nuk lejuan deputetët e Partisë Demokratike, të përjashtuar nga seanca, të hynin në ambientet e Kuvendit.

Listës prej tetë deputetësh të përjashtuar më herët iu shtuan edhe tre demokratë të tjerë, mes tyre kreu i kësaj partie, Sali Berisha, dhe deputetët Belind Këlliçi dhe Edi Paloka.

Në sallën e Kuvendit, deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren, në shenjë proteste për 12 deputetët e përjashtuar, si dhe për mungesën e kryeministrit Edi Rama.

Në seancë mungoi edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shkarkimin e së cilës e kërkon opozita me pretendimin se nuk po zbaton rregulloren, referuar masave të ndërmarra për përjashtimin e disa deputetëve demokratë nga seancat plenare.

Mes bllokimit të foltores herë pas here, si dhe zhurmës së bilbilave, në seancë u debatua për rastin “McConigal”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se e gjithë kjo zhurmë që bën opozita në Kuvend është frika e Berishës nga hetimet për 21 janarin.

Replika e kreut të PD-së, Sali Berisha, erdhi nga ambientet jashtë Kuvendit, duke iu bashkuar protestuesve, pasi Kuvendi mori vendimin që mocioni për debat me kryeministrin shqiptar, Edi Rama të mbahet më 2 mars.

“Ai nuk pranon të vijë këtu. Atëherë ne do shkojmë atje ku struket ai. Surreli (zona ku banon kryeministri Edi Rama) do të jetë objekt i revolucionit paqësor. Shkojmë ne më 2 mars atje, sepse revolucioni nuk ndalet, por të jeni të sigurt se do të fitojmë”, tha Berisha.

Ai akuzoi edhe ambasadorët e huaj në Shqipëri duke u shprehur se shumë prej tyre janë “McGonigalë të veshur me imunitet diplomatik”.

Protesta para Kuvendit zgjati rreth dy orë e 30 minuta.

Edhe kësaj here protestuesit hodhën flakadanë dhe kapsolla, por nuk pati përplasje me forcat e policisë.

Rreth 1.000 efektivë ishin të pranishëm për të mbikëqyrur protestën e opozitës.

Aksioni politik i radhës, sipas kreut të PD-së, do të jetë më 2 mars nëse kryeministri Rama nuk paraqitet në seancë për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës për rastin Mcconigal.

Para se të caktohej kjo seancë (e 2 marsit), Berisha ka deklaruar se opozita do të mbajë një protestë kombëtare më datë 3 mars, kur pritet të jepet vendimi i gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e PD-së.

Berisha akuzon kryeministrin Rama se për të asgjësuar opozitën, ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë amerikan të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Charles McConigal, i dyshuar si i përfshirë në një aferë prej 225 mijë dollarësh, që dyshohet t’i jenë dorëzuar nga një shtetas shqiptaro-amerikan./ REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco