'Pse heshtin ambasadorët?'/ Doris Pack për Syri Tv: Skandali Rama-McGonigal duhet të zgjojë BE-në

19:43, 15/02/2023
A+ Aa A-

Një prej zërave më të fuqishëm të Parlamentit Europian, aktualisht presidente e forumit të gruas në Partinë Popullore, Doris Pack, dënon vendimin e mazhorancës për të përjashtuar 18 deputetë të opozitës. 

Në një intervistë ekskluzive për Syri Tv me moderatoren Armela Ferko, Pack tha se në Shqipëri po dhunohet demokracia, duke shtuar se ajo që po ndodh në Parlament është e pabesueshme. 

"Mendoj se është e pabesueshme që gjëra të tilla po ndodhin në një vend që dëshiron t'i bashkohet BE-së. Qeveria duhet të jetë llogaridhënëse ndaj Parlamentit. Kjo është një dhunim i demokracisë, ajo që po ndodh aty. Kryeministri nuk po vjen në Parlament dhe të japë shpjegime për skandalin e fundit i cili mund ta ndikojë direkt. Nuk mund të ndodhë kurrë në një vend që është vend demokratik", tha Pack.

Ish-eurodeputetja gjermane foli edhe për skandalin Rama-McGonigal. Ajo theksoi se kryeministri duhet të dalë para Komisionit Hetimor Parlamentar dhe të japë shpjegime. 

Doris Pack foli edhe për heshtjen e ambasadorëve duke e quajtur të pakuptimtë qëndrimin e tyre, ndërsa shtoi se skandali Rama-McGonigal duhet të zgjojë edhe institucionet e Bashkimit Europian. 

Pjesë nga intervista 

Pyetje: Znj.Pack, në mesin e skandalit Rama-McGonigal, opozita dhe qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga kryeministri shqiptar. Kjo s'ka ndodhur. Në Parlament mazhoranca ka vendosur përjashtimin e 18 deputetëve të PD, mes tyre edhe Berishën që kërkuan mocion dhe komision hetimor me kryeministrin për këtë çështje. Si e shihni këtë situatë? 
Doris Pack:
 Mendoj se është e pabesueshme që gjëra të tilla po ndodhin në një vend që dëshiron t'i bashkohet BE-së. Qeveria duhet të jetë llogaridhënëse ndaj Parlamentit. Kjo është një dhunim i demokracisë, ajo që po ndodh aty. Në kontekstet që përmendet, kryeministri nuk po vjen në Parlament dhe të japë shpjegime për skandalin e fundit i cili mund ta ndikojë atë direkt. Nuk mund të ndodhë kurrë në një vend nëse është vërtetë vend demokratik.

Pyetje: Ju jeni ndalur në reagimin tuaj edhe te heshtja e ambasadorëve. Pse heshtin ambasadorët? Çfarë reagimi duhet të kishim në këto momente?
Doris Pack:
E kam ndjekur nga afër gjatë gjithë kohës. Ishin të interesuar edhe për Reformën në Drejtësi dhe tashmë ata (ambasadorët) janë në heshtje. Teksa janë duke dashur të hyjë në BE, një vend (Shqipëria) që duhet t'i përmbahet parimeve të Kopenhagen, demokraci, ligjshmëri dhe kjo thyerje e madhe duhet t'i zgjojë përfaqësuesit e ndryshëm të vendeve të BE. Mendoj se ata nuk e kanë marrë seriozisht dhe mbeten në heshtje. Nuk mund ta shpjegoj pse po e bëjnë këtë. Nuk mund të jetë shikues në këtë çështje dhe të shohin si ky Parlament nuk po vepron në mënyrë demokratike. 

Pyetje: Kreu i PD, zoti Berisha ka thënë se opozita do t'i vijojë protestat, sa herë ka seancë parlamentare. Nesër ka një seancë dhe ka edhe protestë. Sipas tij nuk mund të sqarohet asnjë çështje tjetër, pa sqaruar çështjen dhe rastin McGonigal... Si e shihni reagimin e opozitës?
Doris Pack
: Mendoj se opozita ka të drejtë. Parlamenti duhet të ngrejë një Komision Hetimor dhe Rama duhet të dalë para këtij Komisioni dhe të shpjegojë si ndodhi ky skandal. Duhet të dalë para Parlamentit dhe të flasë para parlamentarëve, përfaqësuesve të popullit. E shohim me video dhe përmes gazetave. Besoj se ai është përmbi ligjin, përmbi institucionet demokratike. Opozita ka të drejtë. Nuk mund të lejohet një sjellje e tillë. 

Pyetje: Në analizën që bëhet brenda vendit thuhet se Shqipëria po kalon në një sistem monist. Brukseli zyrtar që është i ndjeshëm, në këtë rast duket indiferent. A dilet nga një situatë e tillë pa ndihmën e Europës?
Doris Pack:
Nuk mendoj se mundet. Mendoj se ky skandal duhet t'u hapë sytë të gjithë europianëve, institucioneve europiane të cilët kanë nisur të aksesojnë me Shqipërinë anëtarësimin në BE. Parlamenti duhet të flasë realisht për këtë situatë. Kolegët e tyre në këtë parlament kombëtar po keqtrajtohen, nuk është korrekte. Rrugët demokratike që janë të disponueshme në të gjitha demokracitë në Parlament duhen respektuar. Dhe socialistët në PE, ku bën pjesë edhe partia e Edi Ramës duhet t'i thonë se kjo nuk është e pranueshme. Çfarë ndodh aty, në sytë e mi, është një sulm kundër demokracisë. 

Pyetje: Çfarë mekanizmash duhet të përdorë Brukseli zyrtar, BE?
Doris Pack:
Problemi është se BE nuk mund të ndërhyjë. Sepse thjeshtë mund të thotë se nuk është e saktë kjo që po bëni, është mënyrë jo demokratike që t'i mohosh vulën dhe logon PD-së, kryetari i të cilës u zgjodh në një proces mbarëkombëtare, mori një vit që t'i jepej përgjigje. Të jep të paktën përshtypjen që Rama ka të gjithë mundësinë që të hyjë atje dhe të ndikojë, ç'ka është vërtetë turp dhe nuk është ç'ka meriton vendi. Rama është i interesuar të mos ketë opozitë në zgjedhjet e ardhshme dhe të ketë pengesa gjatë gjithë kohës prej njerëzve të tij në mënyrë që PD dhe opozita të mos jetë në zgjedhjet lokale. Mendoj që është e pamundur që gjithçka të jetë në duart e një personi dhe kjo është e papranueshme.  

Pyetje: Si e shihni pozitën e Ramës në rrafshin ndërkombëtar? A është e kërcënuar besueshmëria e tij? Ka më besueshmëri kryeministri shqiptar pas shpërthimit të gjithë këtyre skandaleve?
Doris Pack:
Sapo e thatë, gjithë këto skandale. Mund të bëhet patjetër problem dhe ky është problem jo vetëm për atë personalisht, por për Shqipërinë ku ai është në krye të qeverisë, ç'ka më nervozon shumë, sepse njerëzit meritojnë një qeveri që e ndihmon popullin për një të ardhme më të mirë, të ecë përpara drejt BE. Por me një qeveri, me një person si Rama në krye të saj, njerëzit e kuptojnë që nuk është e mundur. Kjo vërtetë më nervozon, më acaron sepse e pëlqej Shqipërinë, njerëzit, dhe ndjehem shumë e keqardhur që Shqipëria është e zënë prej një personi të vetëm. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco