Meta: Mosveprimi i SPAK për skandalin Rama-McGonigal, kundër interesave e sigurisë kombëtare!

Meta: Mosveprimi i SPAK për skandalin Rama-McGonigal, kundër interesave e sigurisë kombëtare!

14:26, 01/02/2023
A+ Aa A-

Ilir Meta, kryetari i PL, e akuzoi sot SPAK-un se është i vonuar në hetimin e skandalit Rama-McGonigal dhe se mosveprimi i kësaj strukture të drejtësisë së re, bie në kundërshtim me interesat më të mëdha të vendit.

“Mosveprimi i SPAK për nisjen zyrtare të hetimeve për këtë skandal shkon në të kundërt me interesat dhe sigurinë kombëtare por edhe me pritshmëritë e larta të shqiptarëve sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta shtetërore dhe pandëshkueshmërisë”, deklaroi Ilir Meta në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë së Lirisë.

“ Çdo shqiptar, - tha ai, - është njohur me dokumentet zyrtare të drejtësisë amerikane që provojnë angazhimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës në procesin mafioz të asgjësimit të demokracisë, pluralizmit politik dhe shtetit ligjor në Shqipëri nëpërmjet aferës shumë të rëndë korruptive shtetërore “McGonigal”.

SPAK duhet të kishte nisur me kohë hetimet shumë të thelluara për këtë skandal, që provon të gjitha akuzat konkrete të opozitës se Edi Rama e ka shndërruar institucionin e Kryeministrit në një çerdhe korrupsioni, nepotizmi, manipulimi dhe trafikimi mafioz të influencave.

Për zbardhjen deri në fund të këtij skandali, në dritën e provave të pakundërshtueshme të zbuluara nga drejtësia amerikane por edhe fakteve të reja të publikuara në media për angazhimin edhe të ministrave, deputetëve, oligarkëve dhe zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë shqiptare në aferën “McGonigal”, SPAK duhet të vendoste një komunikim intensiv, serioz dhe shumë të ngushtë me institucionet e drejtësisë amerikane.

Mosveprimi i SPAK për nisjen zyrtare të hetimeve për këtë skandal shkon në të kundërt me interesat dhe sigurinë kombëtare por edhe me pritshmëritë e larta të shqiptarëve sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta shtetërore dhe pandëshkueshmërisë.

Është kjo arsyeja pse Shqipëria, sipas “Transparency International” nuk ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, duke shënuar një rritje vjetore krejtësisht të papërfillshme me vetëm me 1 pikë për të qëndruar në të njëjtën nivel me Serbinë, Turqinë, Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.

E bashkëndaj të njëjtin qëndrim me Këshilltaren Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, Lidija Prokiç e cila theksoi se ndryshimi prej një pike nuk është statistikisht i konsiderueshëm dhe konsiderohet si shenjë mospërparimi.

Me shumë të drejtë zyrtarja e lartë e “Transparency International” theksoi se “Shqipëria ka ngecur në vend në luftën ndaj korrupsionit duke mos bërë punë të mjaftueshme për garantimin e parimeve bazë të demokracisë mbi ndarjen e pushteteve, pasi autoritetet qeveritare kanë ende ndikim mbizotërues në veprimtarinë e institucioneve të pavarura”.

Sepse sipas saj “për sa kohë qeveritë do të fokusohen te interesat e partisë së tyre, te grupet me interesa ekonomike pranë pushtetarëve dhe interesi publik nuk do të jetë përparësi mbizotëruese, atëhere nuk mund të presim më shumë përparim domethënës”.

Gjithashtu një tjetër raport serioz i publikuar nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes” për perceptimin publik ndaj drejtësisë dhe korrupsionit bëri të njohur faktin se gjendja e korrupsionit ka mbetur e njëjtë në 12 muajt e fundit, ndërsa mbi 25 për qind anketuarve u shprehën se gjendja është përkeqësuar dhe se tani ka më shumë korrupsion se më parë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco