'Lirim me kusht': Propozimet e guximshme të gjyqtarit Kalaja edhe për të dënuarit me burg për jetë

'Lirim me kusht': Propozimet e guximshme të gjyqtarit Kalaja edhe për të dënuarit me burg për jetë

12:11, 01/02/2023
A+ Aa A-

Rreze të forta shprese për lirime me kusht ka hedhur në qelitë e burgjeve në Shqipëri, me propozimet e tij të guximshme, por të thelluara, gjyqtari Florjan Kalaja, që ushtron detyrën pranë Gjykatës së Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar.

Libri i tij i pestë që titullohet “Lirimi me kusht” dhe që sapo është hedhur në treg, përmban propozime për ndryshime në ligjin e dënimeve me burg, sidomos me burgim të përjetshëm, që Kalaja shpreson të kthehen në ligj, ashtu siç ka ndodhur me idetë që ai ka hedhur në katër librat e mëparshëm dhe që janë sot pjesë e paketës së re ligjore të vendit.

Gjykatësi Florjan Kalaja ishte i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV ku tregoi arsyen pse ai po kërkon të humanizojë, dënimin që u jepet të burgosurve.

“Në librin “Lirimi me kusht”, - tha gjykatësi, -  nuk bëhet vetëm një lloj analize e lirimit me kusht apo e gjendjes faktike sesi është legjislacioni sot apo sesi zbatohet. Këtu ka një përqasje në të gjithë praktikat më të mira jurisprudenciale europiane apo ligjore europiane dhe në fund të çdo kreu apo të çdo çështjeje, ka një propozim konkret se si do të duhet që edhe ligji ynë apo jurisprudenca jonë, ta ketë rrugën, për t’u përqasur me standartet më të mira europiane.

Në librin “Lirimi me kusht”, ka sigurisht shumë propozime për ndryshime në ligj. Uroj që së afërmi edhe këto propozime të shndërrohen në ligj dhe besoj që ka shumë çështje, aq më tepër nga ato me një karakter shumë të rëndësishëm siç është dënimi me burgim të përjetshëm, i pandryshueshëm në Shqipëri, që do të duhet të meritojë vëmendjen e legjislatorit. Pse jo, nesër - pasnesër apo në një të ardhme të afërt, të shndërrohet në ligj. Do të kemi ndryshime në Kodin Penal për ketë pjesë.

Unë vlerësoj se lirimi me kusht është një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm i së drejtës, sepse humanizon dënimin, dënimin penal.

Ne e kemi kaluar epokën kur dënimi penal ndiqte vetëm qëllime ndëshkuese dhe sot, një dënim penal që ndjek vetëm qëllime ndëshkuese është i papranueshëm për rendin tonë juridik, pasi njeriu do të duhet të ketë trajtim njerëzor. Kur merr një dënim penal, që do të thotë se dënimi penal do të duhet të adresojë qëllimet e rehabilitimit, qëllimet e riintegrimit të individit në shoqëri, një dënim që nuk shoqërohet edhe me lirimin me kusht (sigurisht kur janë kushtet, jo kur kushtet nuk janë), ka tendencën të shndërrohet në një dënim që ndjek vetëm qëllime ndëshkuese, që është i papajtueshëm me të drejtën themelore të njeriut për të mos iu nënshkruar trajtimit çnjerëzor.

Problematika më e madhe që unë shoh dhe propozoj të ndryshohet në Kodin tonë Penal është parashikimi i tri pengesave ligjore që e bëjnë dënimin me burgim apo dënimin me burgim të përjetshëm, të pandryshueshëm ndër vite.

E them edhe në libër që ne kemi hequr dënimin me vdekje në Gjykatën Kushtetuese në 1997-1998, por praktikisht kemi lënë një dënim me burgim deri në vdekje sepse dënimi me burgim të përjetshëm, i cili është i pandryshueshëm për recidivistët, për veprat penale të autorëve që janë përsëritës, për disa nga veprat penale që liston Kodi në nenin 64 apo nenin 65 të Kodit Penal, nuk mund të aplikohet apriori dënimi me kusht dhe kjo e bën trajtimin e këtyre të dënuarëve, sipas edhe Gjykatës së Standarteve, Gjykatës së Strasburgut, dënim çnjerëzor,” theksoi gjyqtari./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqeni të plotë, intervistën me z. Florjan Kalaja në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco