Arrestimi i zyrtarit të FBI/ Agim Nesho: Rama përmendet nga prokurorët e SHBA, i përfshirë në akte korrupsioni

Arrestimi i zyrtarit të FBI/ Agim Nesho: Rama përmendet nga prokurorët e SHBA, i përfshirë në akte korrupsioni

17:01, 24/01/2023
A+ Aa A-

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho ka reaguar pas arrestimit të mikut të Edi Ramës, ish-zyrtar i FBI, Charles McGonigal. 

Përmes një deklarate për mediat nga selia e PL, Nesho tha se është e paprecedentë që një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s të përmendet nga Prokuroria e SHBA si i përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve amerikanë.  

PL i bëri thirrje drejtësisë që të nisin menjëherë hetimin ndaj kryeministrit Edi Rama për këtë skandal ndërkombëtar. 

Deklarata
"Dje, në të gjitha mediat prestigjioze amerikane dhe të botës, u pasqyrua lajmi për arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të FBI, i akuzuar për fshehje informacioni, përfitime parash të padeklaruara, bashkëpunim për interes të oligarkut Rus Deripaska, i cili është nën sanksione nga autoritetet amerikane, si dhe shfrytëzim të pozicionit zyrtar, etj. 

Ajo që bie në sy në dosjen e paraqitur nga akuza është emri i kryeministrit Shqiptar Edi Rama dhe disa bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si dhe marëdhëniet e bashkëpunimit që kishin krijuar me këtë individ. Është e pa precedent që një kryeministër i një vendi demokratik dhe anëtar të NATO-s të përmendet nga Prokuroria Amerikane si i përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve të Shteteve të bashkuara të Amerikës. 

Më konkretisht, Kryeministri Rama dhe stafi I tij, janë evidentuar se kanë kryer akte korruptive, duke u bërë pjesë e rëndësishme e dosjes penale që rëndon ndaj ish funksionarit të lartë të FBI-së, Z. McGonigal, dhe veprimtarine e tij lidhur me Shqipërinë. 

Partia e Lirisë e ka deklaruar gjithmonë se marrëdhëniet e zotit Rama me SHBA janë marrëdhënie të bazuara jo në vlera por në afera. Nëpërmjet klientelizmit të një Yes Man-i, ai ka kërkuar që marrëdhëniet me SHBA të përdoren në funksion të mbajtjes së pushtetit të tij koruptiv, duke përdorur lidhjet me SHBA-në për të goditur opozitën dhe dëmtuar funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. 

Ai ka kohë që përdor këtë model qeverisje ku çështjet i porosit dhe i krijon në SHBA dhe Europë, dhe i kthen në Shqipëri si fakte dhe kërkesa të aleatit tonë strategjik. Kur në fakt, këto janë vetëm produkte të blerjes së influencës me paratë e korrupsionit dhe të drogës që Z. Rama e kryen duke shfrytëzuar postin e tij qeveritar. 

Porositja dhe furnizimi me informacion për McGonigal në ngritjen e një çështje penale për një shtetas amerikan, i cili lobonte për një parti opozitare Shqiptare, është akt i pastër korrupsioni dhe përdorimi të një zyrtari të një shteti të huaj për interesat e ngushta të mbajtjes së pushtetit të tij autokratik.

Çështjet e trajtuara në dosjen e akuzës për McGonigal tregojnë një sërë problemesh të rëndësishme në funksionimin e Qeverisë Shqiptare, siç janë investimet ruse nëpërmjet kompanive guackë, cështjet e pagesave korruptive dhe pastrimit të parave si dhe përdorimi i pushtetit për të shkatërruar opozitarizmin në vend.  

Partia e Lirisë ju bën thirrje organeve të drejtësisë në vend të nisin menjëherë hetimin për këtë skandal ndërkombëtar, për veprimtarinë e Kryeministrit Shqiptar Z. Edi Rama, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Përpjekja për të blerë dhe përdorur një zyrtar të lartë të partnerit tonë strategjik, vazhdimësinë e investimeve pa transparencë dhe me kompani guackë në vendin tonë, duke mundësuar që paratë e pista ruse të futen në ekonominë shqiptare, duhet dënuar me forcë nga i gjithë opinioni dhe mbi të gjitha nga instancat e drejtësisë.

Partia e Lirisë mbështet fuqishëm politikën e Presidentit Biden, e cila e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Rasti i mësipërm është një shembull konkret se si korrupsioni kërkon të kapi shtetin dhe demtojnë funksionimin e shtetit të së drejtës. Sot Shteti Shqiptar është para provës së funksionimit të tij, të seriozitetit dhe vullnetit për të luftuar korrupsionin politik, financiar dhe të ruajë interesat e Shqipërisë dhe popullit Shqiptar".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco