Kushi urdhëron përsëritjen e vitit shkollor për nxënësit e lindur në dhjetor? Reagon MAS: Ja e vërteta

Kushi urdhëron përsëritjen e vitit shkollor për nxënësit e lindur në dhjetor? Reagon MAS: Ja e vërteta

23:39, 20/01/2023
A+ Aa A-

Denoncimi në rrjetet sociale i një prindërve se fëmijët e lindur në muajin dhjetor do përsërisnin klasën e parë, ka sjellë reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Sipas MAS, drejtuesit e disa shkollave duke shmangur regjistrimin online në ‘E-Albania’ kanë regjistrur në klasë të parë fëmijë 5-vjeçarë që mbushin moshën 6-vjeçare brenda muajit dhjetor.

Por ky ndryshim ligjor ende nuk ka hyrë në fuqi, dhe burime nga Ministria e Arsimit theksuan se kjo mundësi, për të regjistruar në shtator 5-vjeçarët që bëjnë 6 vjeç deri në dhjetor, mund të hyjë në fuqi shtatorin e vitit 2024. 

Prindi Albano Stolaj, thotë në denoncimin e tij, se drejtuesit e shkollës i kanë kërkuar që fëmija të ndërpresë shkollën dhe të nisë sërish nga e para klasën e parë në muajin shtator.

Por Ministria e Arsimit theksoi se pavarësisht se është shkelur ligji asnjë fëmijë nuk do të penalizohet, dhe do ta përfundojë vitin duke u regjistruar në shtator për në klasën e dytë. 

Ky paralajmërim për përjashtim duket se vjen si pasojë e frikës që drejtuesit e shkollës kanë ndaj penalizimeve që do të merren ndaj tyre – theksuan burime nga Ministria e Arsimit – se fëmija i prindit që ka bërë denoncimin dhe askush tjetër që ka të njëjtin shqetësim, nuk do të ndërpresë vitin shkollor.

Në një shkresë zyrtare, Ministria e Arsimit i ka kërkuar Agjencisë Kombëtare të Informacionit që të mundësojë sa më parë regjistrimin manual të këtyre nxënësve.

‘Ministria e Arsimit dhe Sportit konstaton se aktualisht në disa shkolla janë pranuar dhe vijojnë mësimin në klasat e para nxënës të cilët nuk u regjistruan në SMIP, (Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar), pasi nuk përmbushnin kriterin e moshës së përcaktuar për pranimet në klasën e parë. Nga ana e MAS-it për të gjitha rastet e pranimit të nxënësve në klasë të parë në kundërshtim me aktet Iligjore e nënligjore përkatëse dhe në shkelje të procedurave të përcaktuara, do të marren masa ndaj drejtuesve të shkollave publike e private, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi. Nisur nga fakti që këta fëmijë janë në sistem, kanë ndjekur mësimet e janë vlerësuar për periudhën e parë të vitit shkollor. si dhe duke vlerësuar si parësore dhe shumë të rëndësishme mirëqenien psikosociale të nxënësve. mbështetjen dhe bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin, kërkojmë që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të mundësojë sa më parë regjistrimin manual të këtyre nxënësve në SMIP.’- njofton Ministria e Arsimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco