SYRI TV/ 'Guaska' e inceneratorit të Sharrës zhduk të gjithë të dhënat

11:58, 15/12/2022
A+ Aa A-

Kompania guaskë e inceneratorit të Sharrës, “Geogenix BV”, ka fshirë të gjithë të dhënat publike, pak ditë pasi SPAK shpalli në kërkim njërin prej pronarëve të saj në letra, Xhuzepe Çafalione. Ky i fundit akuzohet si i përfshirë në korrupsion me Alqi Bllakon. “Geogenix BV” është krijuar nga Klodian Zoto, i cili është në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet për aferën e 3 inceneratorëve

SYRI TV

Kompania guaskë që ka fituar koncesionin e inceneratorit të Sharrës ka zhdukur të gjithë të dhënat publike, pasi njëri prej pronarëve të saj në letra, Xhuzepe Çafalione, u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, pak javë më parë, si i përfshirë në korrupsion me Alqi Bllakon.

Opinioni publik shqiptar mësoi më shumë mbi këtë kompani nga informacionet e publikuara më herët në portalin informativ hollandez, “drimble.nl”. Ky portal është më i madhi dhe më i besueshmi në Holandë për informacione që lidhen me pronësinë dhe aktivitetin e kompanive private. Në atë portal u zbulua për herë të parë se Klodian Zoto ishte emri që fshihej pas kontratës qindra-milionë euro për plehrat e Sharrës.

“Syri Televizion” kreu së fundmi një verifikim në portalin “drimble.nl”, nga ku rezultoi se nuk gjendet më asnjë e dhënë për shoqërinë “Geogenix BV”.

Kompania me seli në Amsterdam rezulton të jetë pronare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV”, e cila fitoi kontratën me qeverinë shqiptare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të mbetjeve në Tiranë.

“Integrated Energy BV” u regjistrua në Holandë në vitin 2016, nga Klodian Zoto, një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare për aferën e inceneratorëve.

Zoto, së bashkë me miqtë e tij, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, akuzohen për korrupsion dhe pastrim masiv parash nga Prokuroria e Posaçme.

Për momentin, është e paqartë nëse kompania mëmë “Geogenix BV” ka ndryshuar emër apo është shitur jashtë Holandës. Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në Regjistrin e Pronarëve përfitues në Shqipëri tregojnë se kompania mëmë, të paktën deri më tani, nuk ka pësuar ndryshim në pronësi, emër apo adresë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco