SYRI TV/ Xhaçka në Athinë, takim me ministrin Dendias: Diskutim konstruktiv për marrëdhëniet tona

14:23, 02/12/2022
A+ Aa A-

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka  zhvilloi një takim në Athinë me homologun e saj  grek, Nikos Dendias. Shefat e diplomacisë së dy vendeve diskutuan ligjin e luftës dhe çështjen e kufirit detar, duke theksuar se po punojnë për një zgjidhje me përfitim reciprok. 

Nga SYRI TV

Ministrja për Europën dhe Punët e  Jashtme Olta Xhaçka, udhëtoi këtë të premte për në shtetin helen, ku zhvilloi një takim me homologun e saj grek, Nikos Dendias. Xhaçka u prit në takim në Athinë nga ministri grek ku u diskutuan ato çështje që ende kanë ngelur pezull mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. 

“Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri –Greqi,” shkroi ministrja Xhaçka në Twitter pas takimit.

Në një njoftim për shtyp, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme,  bëri me dije se të dyja vendet kanë shprehur  vullnetin për të gjetur zgjidhje me përfitim reciprok por pa dhënë detaje nëse  kanë arritur në një dokument të përbashkët për të çuar çështjen e detit në Hagë.

“Gjatë takimit ministrat u ndalën edhe diskutuan ne parim çështjet që kanë të bëjnë me gjetjen e zgjidhjeve te nevojshme përfshirë ligjin e luftës, marrëveshjet kufitare mes dy vendeve, referimin në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë të çështjes së kufizimit të zonave detare, duke shprehur përkushtimin për të ecur përpara drejt zgjidhjeve me përfitim reciprok.”

Më herët, mediet greke, publikuan lajmin se dy ministrat pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për dërgimin e çështjes së detit në Hagë, që gjykata ndërkombëtare të zgjidhë çështjen e kufirit detar mes dy vendeve, por një lajm i tillë, nuk u konfirmua nga ministrja Xhaçka pas takimit.

Pas samiti të 6 dhjetorit në Tiranë, pritet që Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri grek, Kirjakos Micotaqis të zhvillojnë një takim dhe të dalin në një konferencë të  përbashkët për shtyp. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco