Sulmi në 'Prestige Resort', standard i dyfishtë/ Rama shmang pyetjen

Sulmi në 'Prestige Resort', standard i dyfishtë/ Rama shmang pyetjen

10:14, 02/12/2022
A+ Aa A-

Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, zbarkuan të enjten në mëngjes në plazhin e Golemit duke nisur shembjen e hotel “Prestige Resort” në pronësi të Irfan Hysenbelliut, gjithashtu pronar i grupit mediatik “Focus Group”.

Aksioni i prishjes erdhi disa muaj pasi IKMT prishi pishinat e këtij resorti, aksion që Ministria e Brendshme e cilësoi si “rivendosje të ligjshmërisë”.

Përfaqësuesit e kompanisë pretenduan se aksioni i ri kishte qenë i papalajmëruar dhe pa asnjë vendim zyrtar. Ata e konsiderojnë veprimin një sulm politik të qeverisë dhe i janë drejtuar gjykatës së Durrësit për sigurim padie.

“Erdhën në mëngjes pa asnjë paralajmërim, vendosën shirit sigurie në të gjithë territorin e resortit dhe polica nxori punonjësit e turistët me forcë jashtë”- i tha BIRN-it Folitjona Puravelli, Drejtoreshe Juridike e “Erjoni” shpk.

Ajo pretendoi se asnjë vendim zyrtar nuk i është paraqitur përfaqësuesve të kompanisë për prishjen dhe se u është thënë vetëm verbalisht se ka pasur një shpallje vendimi për prishje nga qeverisja lokale.

“U interesuam në bashkinë e Kavajës, por nuk ekziston asnjë afishim për prishjen e objektit”- shtoi Puravelli.

Juristja thotë se kompania ka zbatuar lejen e ndërtimit të dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit në vitin 2016 dhe nuk ka pasur ndërtime pa leje brenda resortit. “IKMT ka bërë inspektim para shembjes së pishinave dhe në aktin e inspektimit nuk ka konstatim për godina të tjera pa leje”- tha ajo.

Por, kryeministri Edi Rama pretendoi se qeveria po zbatonte ligjin.

I pyetur nga BIRN nëse qeveria po përdorte dy standarde, kur disa ndërtime pa leje, ose në shkelje të lejes shemben dhe disa të tjera të ndërtuara në mes të Tiranës, legalizohen ose deklarohen të konfiskuara, Rama iu referua masave ndëshkimore për këto raste.

“Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuara në ligj. Ka konfiskim, ka shembje, ka masa pjesore, në varësi nga niveli i shkeljes e kështu me radhë,” tha kryeministri.

Irfan Hysenbelliu është pronar i News 24, Balkanweb dhe gazetës “Panorama”, ndërsa ka interesa të tjera ekonomike në sektorin e ndërtimit, turizmit dhe prodhimit të birrës. Ai është pronar i Birra Korça dhe aksioner maxhoritar i Birra Tirana.

Focus Media Group, kompania që ka nën pronësi televizionin News 24, kontrollon rreth 7.4% të tregut televiziv në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2020.

Përfaqësues të opozitës njëzëri e konsideruan aksionin si selektiv dhe hakmarrje të kryeministrit ndaj medias./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco