Mustafa: Kurti s'mori masa për krizën ekonomike! Ja pretendimi absurd për mosrritjen e pagave

20:57, 28/11/2022
A+ Aa A-

Ish-kryetari i LDK, Isa Mustafa, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv u shpreh se qeveria e Albin Kurtit nuk mori masa për krizën ekonomike. Mustafa tha se në Kosovë nuk u rritën pagat me arsyetimin absurd se Kurti gjatë fushatës nuk premtoi rritje pagash, por shtim të vendeve të punës. Mustafa u shpreh më tej se buxheti i Kosovës nuk po zhvillohet për shkak të mungesës së iniciativave të qeverisë.

Peka: Unë nuk pretendoj të jem ekspert ekonomie dhe aq më shumë ta njoh ekonominë në Kosovë, për të qenë korrekt. Por një gjë mund ta them lehtësisht, që pas pandemisë, pra edhe në kohën e qeverisë Kurti I, në kohën e kryeministrit më pas të partisë tuaj dhe në vazhdimin aktual, bota, në mënyrë të veçantë Europa, pas luftës në Ukrainë, kriza ekonomike është prezente kudo. Ju mendoni se e përkeqësoi Albin Kurti, ekonominë?

Mustafa: Sa i përket krizës ekonomike, unë nuk mund ta fajësoj zotin Kurti, por mund ta fajësoj për mungesë të masave të cilat do të mund t’i ndërmerrte gjatë kësaj periudhe. Për shembull, në të gjitha vendet ka ndodhur rritja e pagave, qoftë e indeksuar me inflacionin, qoftë mbi shkallën e inflacionit apo nën shkallën e inflacionit, mirëpo në Kosovë nuk ka ndodhur ajo. Dhe ajo që mua më lë përshtypje është arsyetimi absurd se zoti Kurti gjatë fushatës nuk iu ka premtuar qytetarëve se do të ketë rritje të pagave, por se do të ketë rritje të punësimit!!!

Peka: E ka thënë edhe me mua në këtë studio.

Mustafa: Ajo është e paqëndrueshme sepse as zoti Biden nuk iu ka premtuar qytetarëve se miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë do t’i çojë në Ukrainë, mirëpo situata e detyroi që të ndihmojë Ukrainën dhe që dollarët amerikanë, të taksapaguesve amerikanë, të shkojnë për luftën atje, sepse janë disa gjëra të cilat nuk parashikohen. Nuk e ka parashikuar askush që shkalla e inflacionit te ne mund të jetë 15%, mund të mbërrijë edhe 20, mund të mbërrijë edhe 40%. Te disa produkte ka mbërritur edhe 200%, disa produkte të konsumit bazik të qytetarëve dhe unë kam pritur që zoti Kurti do të ulet, do të ndërmarrë masa në mënyrë që të zbutë ndikimin e drejtpërdrejtë të rritjes së çmimeve në shportën e konsumatorëve, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Ajo çfarë kanë bërë, do të thotë kanë ndarë nga 100 euro, një herë, dy herë e tri herë mirëpo me ndarje të kohëpaskohshme nuk mund të zgjidhet ky problem. Ka edhe mospërkrahje të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe të komunitetit të biznesit në Kosovë, sepse nuk kemi pa ndonjë bashkëpunim të ngushtë, qoftë me komunitetin e biznesit, qoftë me biznese të veçanta, bashkëpunim që do t’u ndihmonte atyre në fushën e eksportit ose do t’u ndihmonte në lehtësimin e importeve ose do t’i ndihmonte tek problemi i furnizimit me çmime të larta.

Peka: Konstatimi juaj zoti Mustafa është korrekt, por edhe pretendimi i zotit Kurti se nuk kam premtuar rritje pagash, por rritje të të punësuarve në fakt qëndron, paçka se kriza sigurisht që kërkon të ndërhyhet tek pagat se inflacioni është shumë i madh. Por, po të ishte Isa Musfata - Kryeministër, do të mendonte se më shumë nevojë kanë t’u rritet paga atyre që janë në punë apo të punësohen nga ata që nuk janë në punë?

Mustafa: Unë mendoj se në këtë periudhë duhet të bëhen të dyja.

Peka: A është e mundur?

Mustafa: Është. Do të ishte e mundur.

Peka: A e mban ‘barku’ i Buxhetit i Kosovës, këtë gjë? Pra, ka Buxheti i Kosovës fuqi edhe për të rritur pagat, edhe për të rritur punësimet, sidomos në kohë krize?

Mustafa: Tani, Buxheti është mjaft i kufizuar, mos themi mjaft i ulët. Mirëpo problemi i Buxhetit është që ai nuk po shfrytëzohet; do të thotë që ne nuk kemi shfrytëzim të Buxhetit për investime kapitale. Investimet kapitalet janë ndalur gjatë kësaj periudhe dhe është një ngecje e madhe e shfrytëzimit të tyre. Kjo ka ndodhur qoftë për shkak të kontratave, sepse kontratat janë lidhur me çmime të ndryshme ose me çmime të ulëta më parë; tani me ato çmime, vërtet kryerësit e punimeve nuk mund të ballafaqohen, nuk mund t’i përballojnë shpenzimet që kanë, mirëpo edhe për shkak të mungesës së iniciativave të qeverisë, kemi rënie të investimeve edhe në nivele lokale, do të thotë te komunat, te pushteti lokal, prandaj në një situatë kur një pjesë e madhe e mjeteve qëndrojnë në Thesarin e bankës qendrore të papërdorura dhe ato mjete i zhvlerëson shkalla e inflacionit, pa marrë parasysh në është 15, 20 apo 12 për ndonjë muaj, kjo flet se do të ishte shumë më mirë që mjetet të futen në konsum, qoftë përmes pagave dhe më tej rritjes ë tyre, sepse konsumi rrit pastaj kërkesën në treg.

Peka: Nëse po ju kuptoj drejt, ju po thoni ka mundësi të investohet, Buxheti i Kosovës ka mundësi investimesh publike, por nuk po bëhen.

Mustafa: Po. Ka pasur mundësi, sepse ka pasur projekte që kanë qenë në vijim, ka pasur edhe projekte të reja. Në fakt, tani po del që projekte të reja gjatë kësaj periudhe, në këtë vit të fundit, kanë qenë vetëm 9%, shumë pak në krahasim me premtimet që ka dhënë kjo qeveri.

Peka: Nëse po ju kuptoj drejt, ju po thoni ka mundësi të investohet, Buxheti i Kosovës ka mundësi investimesh publike, por nuk po bëhen.

Mustafa: Po. Ka pasur mundësi, sepse ka pasur projekte që kanë qenë në vijim, ka pasur edhe projekte të reja. Në fakt, tani po del që projekte të reja gjatë kësaj periudhe, në këtë vit të fundit, kanë qenë vetëm 9%, shumë pak në krahasim me premtimet që ka dhënë kjo qeveri.

Peka: A keni ju një argument ose një analizë pse nuk i përdor këto para për investime, Albin Kurti? Cili Kryeministër në botë nuk do të donte të investonte kur ka para në gjendje?

Mustafa: Unë nuk shoh argumente këtu! Nuk shoh argumente, sepse mundësi të investimeve ka pasur! Në nivelin lokal është pakëz problem, sepse nganjëherë kapaciteti i menaxhimit të investimeve publike mungon në nivel lokal edhe kjo çon deri te ajo që nuk mund të shfrytëzohen mjetet. Ose problemet sa i përket tenderave publikë, sepse nganjëherë...

Peka: Në nivel lokal, VV është minorancë. E kujt është përgjegjësia e mungesës apo e aftësisë për të thithur investime publike në nivel lokal?

Mustafa: Unë po marr nivelin lokal me arsyetimin e mungesës së kapaciteteve menaxhuese nganjëherë, por ka probleme edhe në nivel lokal. Mirëpo në nivel qendror, këto kapacitete nuk mungojnë, sepse në nivel qendror kryesisht janë investimet e mëdha, të cilat menaxhohen nga grupet që ekzistojnë dhe në këtë aspekt qeveria nuk do të kishte probleme, mirëpo unë mendoj se ka qenë një frikë ose papërvojë e qeverisë, ose padije e qeverisë që t’i çojë këto investime përpara dhe këto tani kanë dëmtuar paranë publike në Kosovë, sepse shkalla e inflacionit e dëmton atë, mungesa e tyre themi, në konsumin, qoftë publik, qoftë në konsumin personal po ashtu, e dëmton rritjen ekonomike të vendit.

Peka: Zoti Mustafa! Zoti Kurti nuk kryen investime publike dhe pse ka para sipas jush, se ka frikë se duke bërë tenderime, mos korruptohen? Kurti nuk kryen investime publike, pasi në gjykimin e tij se thotë që jam një i majtë modern, ka qejf thjeshtë ti shikojë paratë aty e të mos shpenzohen, apo z. Kurti nuk kryen investime publike se nuk ka adminisratë të aftë të kryejë projekte?

Mustafa: Përsa i përket administratës, gati është ajo që ka qenë edhe më parë.

Peka: Pra është e njëjtë, nuk është mungesa e projekteve...

Mustafa: Nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Edhe projektet që kanë qenë aty, janë më vazhduar nga periudha e kaluar. Janë më tepër këto të dyja, sepse një pjesë e mentalitetit të Vetëvendosjes kërkon që të shikohen paratë aty dhe të lavdërohen se kemi shumë para në thesarin e shtetit, para të papërdorshme. Kështu shpesh deklarohet ministri i Financave në parlament, apo gjatë arsyetimit të parave, ose mburren me atë se grumbullimi parave është më i madhi seç ka qenë në periudhat e kaluara. Por në asnjë moment nuk tregojnë se grumbullimi i parave në buxhet është edhe rezultat i rritjes së çmimeve, pasi rritet edhe baza e llogaritjes së TVSH-së, baza e përllogaritjes së akcizës dhe detyrimeve të tjera edhe fiskale.

Peka: A keni ju një ide, sa është borxhi publik i Kosovës?

Mustafa: Tani të themi në vlerë absolute nuk mund të themi, por mesa kam përcjellë ka mbërritur mbi 20% e produktit të brendshëm bruto vendor. Borxhi publik është shumë i ulët nga të gjitha vendet...

Peka: Mbi 100% e ka Shqipëria...

Mustafa: Do të thotë është shumë më i ulët. Unë kur kam qenë në krye të qeverisë e kam pasur borxhin diku tek 12%. Edhe llogaritnim që duhej të kalonte një periudhë shumë e gjatë që ne të arrinim në 30% të borxhit publik.

Peka: Si ekspert ekonomie ju po thoni se ka probleme edhe kur borxhi është në nivelet e Shqipërisë, mbi 100%, kapitullim ekonomik, por ka problem edhe kur është shumë i ulët, si në Kosovë me 20%. Cila do të ishte shifra ideale për ju, që një ekonomi të funksiononte.

Mustata: Në marrëveshje me FMN, sepse ne gjithmonë e kemi mbajtur nivelin e borxhit publik mbi bazën e FMN-së dhe kemi llogaritur një borxh publik që mund ta përballonimin shumë lehtë nga të ardhurat vjetore e buxhetit. Unë mendoj se ky borxh që është, është i menaxhueshëm. Mund të jetë edhe më shumë, por me rëndësi themelore është që ne të kemi investime kapitale, të cilat pastaj krijojnë hapësirë që të menaxhohet në të ardhmen borxhi publik, sepse krijojnë të hyra më të mëdha për buxhetin, krijojnë norma të larta të zhvillimit ekonomik dhe krijojnë siguri për qytetarët, sepse më pas ata rrisin besimin që të rrinë këtu dhe jo me çdo kusht të ikin jashtë.

Peka: Pra konkluzioni juaj është se Albin Kurti në administrimin e ekonomisë ka dështuar?

Mustafa: Gjithsesi, edhe mendoj se bën gabim nëse tani Albin Kurti lavdërohet me rezultatet e qeverisë, sepse edhe unë do të doja që të jetë ashtu siç thotë Albini, sepse ai rezultat është i yni, është i Kosovës, është rritur e nivelit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, mirëpo situatën nuk e kemi mirë tani. Sivjet FMH parashikon se rritja e ekonomisë pritet të jetë 2.7-3 %, Banka Botërore parashikon diçka më të madhe, por praktikisht po vijnë aty ku kemi qenë vitet e kaluara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco