Hohmann tronditet në muzeun e Kujtesës: Kaq vuajtje nga regjimi komunist, ndaj demokracia duhet mbrojtur!

13:45, 26/11/2022
A+ Aa A-

Në ditën e dytë të vizitës së saj në Shkodër, ambasadorja e Bashkimit Evropian Christiane Hohmann e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, zgjodhi të vizitojë “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës”.

Ai është një prej ish burgjeve famëkeq të komunizmit, në të cilin është dokumentuar një nga periudhat e errëta të Shkodrës dhe Shqipërisë për afro 50 vite.

Duke falenderuar kryebashkiakun Spahia për këtë vizitë, ambasadorja Hohmann theksoi rëndësinë që ka njohja e asaj periudhe dhe përcjellja tek brezat e ri, me qëllim që demokracia dhe liria të mos cënohen në asnjë lloj kohe më.

“Pata shansin që të vizitoj një vend të rëndësishëm siç është Muzeu i Sigurimit, - tha Hohmann. - Të shihje kaq shumë njerëz që kanë vuajtur nga regjimi komunist ishte depresive. Por njëkohësisht kjo është edhe një lloj ftese për një vend të tillë që ekziston, i cili ka dëshmitarë për t’u treguar ajo që ka ndodhur dhe për t’u thënë brezave që vijnë, që kurrë më, në asnjë lloj kohe demokracia dhe liria nuk duhet të cenohen, prandaj le t’i mbrojmë ato”.

Ambasadorja Hohmann e cilësoi këtë muze si një prej dëshmive më të forta që Shkodra ka ruajtur në historinë e saj, e për të cilin vlerat historike janë të mëdha. Turin e vizitës së saj në Shkodër Hohmann dhe Spahia e vijuan në inaugurimin e murales “Dhunë off – Power on”, me vargjet e shkrimtarit Martin Camaj, ku u hapen 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Nisma në fjalë erdhi falë bashkëpunimit të bashkisë Shkodër me “Europe House” dhe shoqatën Bash-Art.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco