Ina Zhupa tregon shkeljet Kushtetuese me koncesionin e Ramës për Butrintin

21:16, 15/11/2022
A+ Aa A-

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka zbuluar në ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, disa prej shkeljeve që janë bërë me ligjin për dhënien me koncesion të Butrintit.

Zhupa ka treguar se në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar 3 mijë faqe prova me një padi të rëndë, për të rrëzuar ligjin për dhënien me koncesion të pasurisë kombtëtare, identitetit tonë kombëtar dhe trashëgimisë tonë të përbashkët

‘Butrinti është pjesë edhe e identitetit tonë kombëtar dhe trashëgimisë tonë të përbashkët. Kemi argumentuar se kjo marrëveshje, ligji 50/2022, ne kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj dhe jo atë që ka pretenduar sot në një studio televizive ministrja e Kulturës. Në Kushtetuese ne kemi dërguar ligjin 20/2022 për koncesionin e Butrintit.

Ka dhe një ligj tjetër të 2018, që edhe ai është antikushtetues, por i ka kaluar koha.

Shkelja e parë që kemi evidentuar është shkelja e nenit 3 të Kushtetutës që thotë në mënyrë eksplicite dhe nuk ka fare dyshim; se për identitetin kombëtar, trashëgiminë kulturore dhe vlera të tjera, garant është shteti dhe është shteti që duhet të ketë përgjegjësinë kryesore për këto probleme. Në këtë rast identiteti dhe trashëgimia kulturore.

Nuk mundet kurrsesi një privat,  një fondacion privat që ka si synim kryesor fitimin, të ketë synim kryesor në atë rast, ruajtjen e identitetit kombëtar.

Një nga shkeljet e radhës që ne ja kemi parashtruar Gjykatës Kushtetuese është se, as ligji për prokurimet publike, as KLSH-ja për të audituar më pas se si janë shpenzuar paratë, nuk mund të kenë zë në Butrint. Butrinti do të jetë vetëm brenda kapsulës së këtij fondacioni privat, që askush nuk e merr vesh se ku shkojnë paratë, si bëhen tenderat dhe kush i merr.

2.1 milionë euro janë në arkën e Butrintit, sivjet janë 500 mijë euro të tjera të mbledhura, të gjitha këto pa bërë asnjë punë ata, ne ua japim si pajë. Dhe këto nuk i kontrollojmë dot ne se ku shkojnë këto para.

Ne nuk duam që Gjykata Kushtetuese të mbajë anën tonë, por thjeshtë të lexojë provat dhe  ligjet. Jam e bindur se nuk ka se si të mos fitojë Butrinti dhe shqiptarët.

Pas fitimit të kësaj beteje në Kushtetuese, mund të hapet mundësia që të merren donacione të shumta nga të gjitha fondet’, tha deputetja e PD-së, Ina Zhupa, gjatë intervistës së saj në ‘A Show’ në SYRI TV.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco