VIDEO-SYRI TV/ Subashi i jep 190 mln lekë 'Victoria Invest', kompania- lidhje me Bashën

14:40, 23/06/2022
A+ Aa A-

Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi i ka dhënë 190 mln lekë kompanisë ‘Victoria Invest’, e njohur për lidhjet që ka me ish kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Fituesi i tenderit për ndarjen e mbetjeve, u shpall disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 2021. KLSH shprehet se procedurat e tenderit janë të dyshimta dhe tërheqja nga gara e 3 operatorëve të tjerë ekonomikë, duket e qëllimshme.

Nga SYRI TV

Pak javë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, një kompani shumë pranë ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, fitoi një tender të dyshimtë me vlerë 190 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e një pike transferimi mbetjesh, të zhvilluar nga bashkia e Fierit, e drejtuar nga socialisti Armando Subashi.

Tenderi u shpall në janar të vitit 2021 dhe synonte ngritjen e një kapanoni që do të shërbente për ndarjen e mbetjeve, para se ato të dërgoheshin në landfillin privat të Klodian Zotos.

Në procedurë morën pjesë 11 kompani, nga të cilat u skualifikuan tre prej tyre. Në fund, Bashkia e Subashit nënshkroi kontratën me shoqërinë ‘Victoria Invest’, e njohur për lidhjet e ngushta me Lulzim Bashën.

Kjo kontratë u nënshkrua pasi më herët 3 kompani që kishin dhënë ofertën më të ulët u tërhoqën në mënyrë të çuditshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të realizuar së fundmi në Bashkinë e Fierit, ka ngritur dyshime për mënyrën se si është realizuar tenderi me vlerë 190 milionë lekë të vjetra.

‘Tërheqja nga gara e 3 operatorë ekonomikë përbën një veprim me risk potencial për një marrëveshje midis operatorëve ekonomik në shpalljen e fituesit’, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Po ashtu, audituesit e Shtetit deklarojnë se kjo situatë nuk është vlerësuar dhe analizuar, duke u kaluar në heshtje nga ana e Bashkisë së Fierit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi pak ditë më parë raportin e auditit në bashkinë e drejtuar nga Subashi. Në përfundim, KLSH njoftoi se ka kërkuar masa disiplinore për rreth 70 zyrtarë të konstatuar në shkelje ligjore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco