VIDEO-SYRI TV/ KLSH rëndon pozitën e Alqi Bllakos: Ka paguar 180 mln lekë për punë të pakryera

12:44, 22/06/2022
A+ Aa A-

Audituesit e Këshillit të Lartë të Shtetit rëndojnë pozitën e Alqi Bllakos. Sipas një auditimi të kryer së fundmi në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Mbetjeve, për periudhën kur institucioni drejtohej nga Bllako, është zbuluar se janë paguar 180 milionë lekë për punë të pakryera

SYRI TV

Kontrolli i Lartë i Shtetit rëndon pozitën e Alqi Bllakos. Audituesit shtetërore e konsiderojnë përgjegjës për një dëm ekonomik në rreth 180 milionë lekë të vjetra, një shumë e ngjashme me atë që po e mban pas hekurave ish-deputetin socialist. Bllako gjendet prej tre muajsh i arrestuar, si i dyshuar nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje në aferën e inceneratorëve.

Së fundmi, kontrollorët shtetërorë kanë mbyllur auditimin në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve, AKUM, për procedura të zhvilluara në periudhën 2019-2021, kur institucioni drejtohej nga Bllako. Numri i tenderave të audituar është i kufizuar, në krahasim me volumin e lartë të zhvilluar nga AKUM nën drejtimin e Alqi Bllakos. Megjithatë, shkeljet e evidentuara janë të shumta.

KLSH ka kontrolluar procedurat tenderuese për “Përmirësimin e furnizimit me ujë të zonës së Krahësit, në Elbasan”, si edhe atë për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në Vlorë”. Në të dy rastet, audituesit konstatojnë se AKUM, nën drejtimin e Alqi Bllakos, ka kryer pagesa në favor të kompanive kontraktore, kur në fakt është konstatuar se punimet nuk janë kryer. Për projektin e ujërave të lagjes Krahës, në Elbasan, KLSH konstaton se “janë likuiduar. 4 zëra punimesh të pakryera, në vlerën 10,880,258 lekë pa TVSh”.

Po ashtu, për projektin e ujërave të zeza në Vlorë, kontrollorët shtetërorë konstatojnë se AKUM “ka likuiduar 17 zëra punimesh të pakryera, në vlerën 8,364,636 lekë pa TVSh”. Për këto shkelje, si edhe për disa të tjera më të vogla, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzionin se mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë ish-drejtori i Përgjithshëm i AKUM, Alqi Bllako. KLSH kërkon nga Agjencia e Mbetjeve që të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për rikthimin në Buxhetin e Shtetit të shumave të paguara për punime të pakryera.

Raporti është miratuar së fundmi dhe mbetet për t’u parë nëse do t’i përcillet prokurorisë për hetime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco