'Në pazar me Ramën'/ Plas keq në kryesinë e Partisë Demokratike

'Në pazar me Ramën'/ Plas keq në kryesinë e Partisë Demokratike

12:46, 11/10/2021
A+ Aa A-

Debati që ka përfshirë mbështetësit dhe kritikët e Lulzim Bashës në PD është nëse duhen bërë ndryshime kushtetuese për të zgjatur mandatin e komisioneve të vetingut, i cili skadon në pranverën e ardhshme. Ky debat ka kaluar në një fazë tjetër të dielën në mbrëmje mes Lulzim Bashës dhe Oerd Bylykashit, i cili e kundërshtoi publikisht ofertën e Edi Ramës për të këmbyer ndryshimet në veting me disa regullime në reformën teritoriale që i shkojnë përshtat opozitës.

Basha ka pyetur: ’Oerd, ke ti ofertë për çështjen e vetingut’? Ndërsa anëtari i kryesisë është përgjigjur: 'Po ndodhi kjo, dëmtohen demokratët. Qëllimi im është që të frenoj Edi Ramën, që mos të vazhdojë këtë histori'.

Në fakt, kjo përplasje nuk ka nisur nga hiçi. Menjëherë sapo qeveria hodhi këtë ide, nënkryetarja e re e PD-së, Grida Duma bëri deklaratën se opozita do të qe konstruktive me reformën në drejtësi. Ndërsa më tej, nënkryetari tjetër, Alibeaj, i pyetur në “5 pyetjet nga Babaramo” u përdrodh pa dhënë një përgjigje të saktë.

Më tej ish ministri dhe deputeti demokrat Genc Pollo në një shkrim të fortë, lëshoi apelin: 'Një votë e deputetëve të PD pro zgjatjes së vetingut, do të ishte shumë më e rëndë dhe më e ligë sesa votat e deputetëve socialistë për shembjen e Teatrit Kombëtar'.

Dhe në fakt kështu është me të vërtetë. PD e ka denoncuar prej vitesh politizimin e vetingut, dhe rolin e tij selektiv në kapjen e reformës në drejtësi. Prandaj ajo e ka moralisht të pamundur tani, kur ndërkohë ky proces po demostron se ka dështuar, t'i japë atij frymëmarrje.

Në pesë vite në filtrimin e pastërtisë dhe profesionalizmit të rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë arritur të përballen vetëm gjysma e tyre. Prandaj qeveria dhe disa ndërkombëtarë në hall, po i bëjnë thirrje PD-së të votojë ndryshime të reja kushtetuese për ta vazhduar këtë proces duke e zgjatur kohën e komisioneve të politizuara.

Nisur nga ky debat, dy ditë më parë Oerd Bylykbashi, shkroi një status në Facebook ku denoncoi pazarin që Rama i ofronte PD-së: 'Më zgjat afatin e antarëve të vetingut, të të shtoj disa bashki në hartë. Këtë pazar i ofron Rama PD-së’, nënvizoi ai duke propozuar që konsensusi i PD për zgjatjen e vetingut të kushtëzohej me tre pika: ndryshimin e sistemit zgjedhor, reformën e thellë territoriale dhe mos ndërhyrjen e qeverisë në zgjedhje.

“Reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor, sepse ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë….Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive….Gjithashtu duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021”, kërkoi ai.

Pavarësisht se në një farë mënyre edhe propozimi i Bylykbashit synon një pazar politik në favor të PD-së, duke lënë mbi kurrizin e shqiptarëve një reformë në drejtësi gjithmonë e më të keqe dhe gjithmonë e më të kapur, ai ka meritën se në fund të fundit ka një përgjigje për ofertën politike që ka bërë kundërshtari.

Ndërsa qëndrimi pa qëndrim i Bashës, i cili rrekej të fshihej pas pyetjes: “ku e di ti që ka pazar”, për një ofertë të bërë publikisht në sy të të gjithëve, vijon në logjikën e vendimeve të marra në fshehtësi.

Skadimi i mandatit të organeve të vetingut është fakt dhe Basha duhet të përballet me pyetjen se çdo të bëjë me të. Ai nuk mund ta kalojë këtë temë politike me skuthllëqe të vogla, duke iu kundërvënë atyre që kanë një opsion. Vetëm kështu askush nuk do të dyshojë se ai është futur në një pazar të ri, apo se po bie sërish pre e një shantazhi tjetër./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t11/10/2021 13:33

Sa me shume qe zgjatet koha e L.B.si kryetar i pd,aq me shume probleme do ti krijohen pd dhe aq më autokrat do behet ramziu.

Shto koment

Denonco