Pse punëmadhi Rama kërkon papritur të qeverisë me gjumashin Basha

Pse punëmadhi Rama kërkon papritur të qeverisë me gjumashin Basha

22:16, 14/04/2021
A+ Aa A-

Nga Mapo.al

Edi Rama që e ka dekretuar veten si punëmadhin, të palodhurin, të pagjumin e këtij trualli, ka shpallur sot befas, se është gati të qeverisë pas 25 Prillit me gjumashin Lulzim Basha.

Edhe pse në sloganin, pra në kryemesazhin që ka në këto zgjedhje ku kërkon mandatin e tretë, shkruan; ‘punë, jo gjumë’, sërish shefi i rilindjes ka çuditur sot opinionin publik teksa thotë se dëshiron të ndajë nesër përgjegjësitë me krejt të kundërtin e tij.

Kjo kontradiktë, kjo kundërthënie 10 ditë para zgjedhjeve mund të shkaktojë kaos tek mbështetësit e tij. Teksa ka muaj që e etiketon dhe e vizaton para syve të botës Bashën si dremitës të përjetshëm, si vallë tani shefi i tyre qenka gati të përveshë mëngët e të punojë me të.

Pra i bie që Basha nuk është ai, që ai thotë se është.

Ah po, Rama i ka vënë një kusht, që kreu i Opozitës të ndahet nga Berisha dhe Ilir Meta, duke i klasifikuar këta të dy si e keqja e vendit.

Ky deklarim sot, nxjerr pa dashje zbuluar disa momente për të cilat Rama nuk dëshiron të flitet.

E para, nuk i del hesapi me sondazhet, pra nuk merr dot 80 e përpjetë mandate siç ka thënë deri tani. Ndryshe, përse u dashka të bashkëqeverisë me dikë, me atë shumicë dërrmuese që do të korrë.

E dyta, Rama ka dekonspiruar një prej frikërave më të mëdha që ka në këtë fushatë, që profili dhe përmasat e Bashës janë rritur ndjeshëm, që lideri i Opozitës identifikohet me normalitetin dhe të ardhmen. Dhe bosi i rilindjes kërkon të përfitojë nga kjo. Kërkon të asociohet me të.

Sa për të tjerat, për lojërat e rëndomta dhe fëminore që të mbjellë përçarje në kampin e opozitës, këto nuk vlejnë asnjë grosh, sepse i di i madh e i vogël, i kanë marrë vesh edhe gurët e zallit.

Pas kësaj deklarate, të paktën Edi Rama ka detyrimin para mbështetësve të tij të tërheqë spotin e Lulzim Bashës që gërhet në divan.

Dhe ta rendisë në një vend tjetër të tabelës së qitjes, ta damkosë ndryshe, jo si gjumash.

Ose të zëvendësojë sloganin e famshëm; ‘punë, jo gjumë’, me ‘punë dhe gjumë’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gj 14/04/2021 22:19

se po e mashtron ai ,hori lulin

Shto koment

Denonco