Rindërtim me borxhe: Ku do të shkojnë kreditë e shteteve, përveç strehimit

Rindërtim me borxhe: Ku do të shkojnë kreditë e shteteve, përveç strehimit

06:54, 29/02/2020
A+ Aa A-

Konferenca e Donatorëve i tejkaloi pritshmëritë në totalin e shumës së siguruar për financimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit. Por, 74% e kësaj shume është borxh me kushte të buta. Sa efektiv është marrja e këtij borxhi. Flasin ekspertët dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore. Zbardhen interesat e kredisë së Italisë, projektet ku do të përdoren fondet e Francës dhe kreditë e Bankës Botërore

Si do të përdoren kreditë e Italisë, Francës e Bankës Botërore

Përfundimi i konferencës së donatorëve krijoi mjaft paqartësi se cilat janë projektet konkrete ku do të përdoren kreditë në ndihmë të rizhvillimit të zonave të prekura nga tërmeti. Burime nga Ambasada Italiane sqaruan për Monitor se fondi i dhënë me vlerë 65 milionë euro është kredi ndihme. Interesi i kredisë ende nuk është përcaktuar, por parashikohet që të jetë nën 1 për qind. “Kjo kredi është me kushte lehtësuese financiere, sepse përveç se do të ketë një interes të ulët, afër zeros, apo rreth 0,5 për qind, periudha e mospagimit do të jetë 8-10 vjet”,- u shprehën nga ambasada italiane.

Italia në kushtet e kredive të buta përfshin edhe programin e konvertimit të borxhit, të cilën nuk e kanë shtetet e tjera. Aktualisht vendi ynë ka një marrëveshje me shtetin italian për kredi me konvertim borxhi. Kredia e dhënë në konferencën e donatorëve nuk përfshihet në këtë program.

Italia vendosi në dispozicion të Shqipërisë në konferencën e donatorëve edhe 21 milionë euro. Këto fonde të Koperacionit Italian do të jenë në dispozicion të qeverisë nëse do t’i nevojiten për përdorim nëpërmjet zbatimit të projekteve. Përveç kësaj, ministri i jashtëm italian në konferencën e donatorëve, shpjegoi të gjithë ndihmën logjistike të vënë në dispozicion pas tërmetit. “E gjithë kjo është në vlerën e 4 milionë eurove”, shpjegoi ambasada italiane.

Pas ngjarjes së tërmetit, në konferencën e donatorëve, Franca u angazhua me 60 milionë euro kredi. Burime për Monitor nga Ambasada Franceze thanë se kjo kredi do të financojë rindërtimin e rrjetit të brendshëm të ujit të pijshëm të qytetit të Durrësit dhe fshatrave përreth.

“Duke qenë se rrjeti i brendshëm i Durrësit është i amortizuar, ku një pjesë e tij është ndërtuar që në vitin 1958 është i amortizuar. Kjo e bën tepër urgjente situatën për ndërhyrje në rrjetin e ujit të pijshëm. Për qytetin e Durrësit, Banka Botërore sapo përfundoi edhe ndërtimin e ujësjellësit të ri nga Fushë Kuqe deri në Durrës”, sqaruan burimet.

    Në konferencën e Brukselit mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze u nënshkrua edhe marrëveshja për “Themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, (AFZH) të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri”. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës Jean-Vyes Le Drian për realizimin e projekteve me vlerë 100 milionë euro.

    Mësohet se zbatimi i këtyre projekteve nuk ka në fokus ngjarjen e tërmetit. Shuma prej 100 milionë euro përfshin dy projekte me mbështetje buxhetore, një prej tyre është 50 milionë euro për barazinë gjinore dhe projekti tjetër me vlerë 50 milionë euro do të zbatohet për reformën e sektorit të energjisë.

    Projekti i barazisë gjinore është bashkë financuar me Bankën Botërore, ku ajo financon 9,1 milionë euro, ndërsa AFZH financon 50 milionë euro. Për projektin në sektorin e energjisë AFZH financon 50 milionë euro, ndërsa KfW financon 100 milionë euro.

    Në formën e donacionit, nga Franca do të jepen 1 milionë euro. Banka Botërore u angazhua për dhënie kredi me vlerë 106 milion euro. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Maryam Salim në intervistën për Monitor shpjegoi se 85 milionë euro kredi do të përdoren për strehimin. Sipas saj është rënë dakord me qeverinë që 6 milion euro kredi nga projekti aktual i Modernizimit të Sektorit të Shëndetësisë të përdoren për të mbështetur punën për rindërtimin e tre spitaleve.

    Nga Banka Botërore do të vendosen 15 milion euro të tjera hua shtesë në dispozicion përmes të njëjtit projekt për të mbështetur nevojat e mëtejshme të rindërtimit në sektorin e shëndetësisë, përfshirë blerjen e pajisjeve dhe mobilieve të nevojshme për spitalet e dëmtuara.

    Kreditë dhe donacionet

    Në total nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve, “Së bashku për Shqipërinë” u mblodhën 1,15 miliardë euro fonde për rizhvillimin e zonave të shkatëruara. Nga totali i fondeve të mbledhura, sipas raportit zyrtar të dhënë nga Komisioni Europian reth 296 milionë euro janë donacione, ndërsa huatë arrijnë 853 milionë euro.

    Nga totali i fondeve 3.4 milionë euro të tjera janë të ashtuquajtura in-kind (ndihma që jepen direkt në mallra-shtëpi ose shërbime). Huaja përbën 74 për qind të angazhimit total të përfituar, 25.6 për qind janë donacion dhe 0.4 për qind është angazhim në produkte konkrete.

    Shtetet anëtare të BE-së, Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve kanë dhënë gjithsej 246 milionë euro, nga të cilat 60 milionë euro është dhënë nga Franca, 86 milionë euro nga Italia dhe 100 milionë euro nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës./MONITOR

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco