Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar edhe vajza e Ismail Kadaresë

Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar edhe vajza e Ismail Kadaresë

12:42, 27/08/2019
A+ Aa A-

Nga Franca ku është pedagoge në sheshin e teatrit bashkë me Risto Siliqin

 

Nga Fatmira Nikolli

Gushti e boshatis Tiranën dhe i mbyll teatrot. Sezonet artistike mbyllen në qershor e rinisin në tetor. Në zagushinë e madhe verore, ka vetëm një teatër hapur. Ai Kombëtar. Ai i madhi që prej 1 muaji ruhet 24 orë nga qytetarë e artistë e po prej një muaji ka hapur një sezon artistik të pazakontë: shfaqje nga Shqipëria dhe nga jashtë vendit, shfaqje me vullnetarë, shfaqje në mbështetje të një kauze: mbro teatrin. Tashmë sheshi ka gjithnjë njerëz. Kushdo që vjen gjen miq ose njeh të rinjë. Dje, rreth orës 19:00 në sheshin e teatrit erdhi Gresa Kadare dhe Risto Siliqi (djali i Llazar Siliqit). Bashkëshortë, ajo pedagoge në Francë e ai kërkues shkencor në një kompani. Kanë studiuar bio kimi dhe prej pothuaj 30 vitesh jetojnë në vendin e “lirisë, barazisë e vëllazërisë”.

Vajza e shkrimtarit me të shoqin u ulën pranë Edmond Budinës dhe folën gjatë. Thanë se e kanë mbështetur gjithnjë kauzën. Thanë se përfaqësojnë vetveten dhe se nuk i janë fshehur atyre që mendojnë. Regjisori u rrëfeu 19 muaj protestë, 13 muaj përditë, e 30 ditë 24 orë. U rrëfeu “24korrikun”. Bashkëshortët treguan mbështetjen e tyre në mbrojtje të teatrit. Më pas kur erdh ora e fjalimeve në shesh, të dy u ulën mes njerëzve. Edmond Budina i prezantoi dhe i falenderoi. “Jemi njerëz që e duam teatrin. Njerëz që besojmë. Ne jemi bashkë. Nuk na përçan askush.kam kënaqësinë të them se sonte kauzës sonë i shtohen edhe dy miq. Janë dy shkencëtarë. Gresa Kadare dhe Risto Siliqi. Ju faleminderit që jeni me ne. Ndaj ky teatër nuk do bjerë. Teatro të rinj të bëhen sa të duan. Këtu është vënë Doruntina, Nata me hënë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë”, tha Budina.

Artistët nga Italia

Më tej fjalën e morën Albert Dedja dhe Dardana Bërdyna, artistët që të dielën në mbrëmje mbajtën shfaqjen “Më pyesin ku je” në sallën e teatrit kombëtar. Dedja që ka firmën e regjisë dhe tekstit të shfaqjes duke ju treguar mbështetjen qëndrestarëve tha “se jemi të vegjël para jush. Ne jemi larg dhe nuk mund tu mbështesim sa duam. Pjesa jonë flet për konceptin e lirisë.Kushdo që shkon kundër artit mbjell një të ardhme që s’është e ardhme. Teatri për artistët është shtëpia e shpirtit. Nuk mund të shembet shtëpia e shpirtit”. Sipas tij, ky teatër nuk do të bjerë se këtu ka njerëz që besojnë. “Nuk mund të bjerë një histori e mrekullueshme e teatrit shqiptar, ka ngarkesë. Kjo ndërtesë ka identitet, ne na duhet identitetit. Arti na ndihmon të mbijetojmë. Ju falenderojmë për këtë që bëni. Na keni përkrah” tha ai. Edhe Bërdyma duke nënvizuar se ndan të njëjtin mendim me Dedjen, shtoi se “jemi në mbështetje të asaj që bëjnë qytetarët e Tiranës”. Një artiste italiane, Serena Battisti pjesë e kompanisë teatrale “La quarta parette” tha se njihej personalisht me shkrimtarin arbëresh Carmine Abate. “Do bëj të pamundurën që ta sjell këtu e të japë një mesazh. Kur hyra në teatër pata një sëmbim në zemër. Është teatër i mrekullueshëm e nuk duhet shembur”, tha ajo./g.sh/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku27/08/2019 13:53

Gjigandi Budina ka karizmën të mbledhë bashkë intelektualët, bile edhe ata me prejardhje komuniste. Kjo është forca e intelektualëve të vërtetë, hapsira e mëndjes që ndriçohet, që shkëputet nga tifozeria e sëmurë politike ultrà e injorancës. Historia e betejës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është fillimi i shkëputjes së Kombit Shqiptar nga antagonizmat ideollogjike të grupeve sunduese post komuniste/ripjellje komuniste. Intelektualët e pastër, të vërtetë ( jo feudal intelektualët me super benza) po zbresin në fushën e politikës së re shqiptate në shërbim të komunitetit, të popullit, të Kombit. I ftoj zotërinjtë Siliçi Kadare të rikthehen në Shqipëri për të kontribuar sadopak në riparumin e batërdisë universale që shkaktuan prindët e tyre komunistë, shokë të enverit dhe edverit.

Shto koment

Denonco