Krimi i merr përpara, kryepolici Veliu i bën thirrje popullit të bëjë 'spiunin'!

Krimi i merr përpara, kryepolici Veliu i bën thirrje popullit të bëjë 'spiunin'!

11:02, 04/05/2019
A+ Aa A-

Edhe pse mund të cilësohet një nga drejtuesit më të dështuar dhe të keqpërdorur politikisht në gjithë historinë e policisë shqiptare, Ardi Veliu, duket se do të jetë të paktën deri në përfundim të protestave të opozitës dhe zgjidhjes së krizës, “i paprekshëm”.

Ditën e djeshme ai së bashku me prefektin e Qarkut të Shkodrës dhe zëvendësministrat e Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Romina Kuko, anançuan nismën e fundit; “Sheh diçka, thuaj diçka”, e cila synon përfshirjen e qytetarëve për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër krimit.

Ideja është që të nxiten dhe tu jepet garanci qytetarëve për të denoncua dhe sinjalizuar policinë, për çdo informacion dhe ngjarje kriminale.

“Denonconi në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, rastet e paligjshmërisë, në çdo fushë ku konstatoni paligjshmëri, por jo vetëm. Denonconi punonjësit e Policisë që nuk meritojnë besimin tuaj, që nuk meritojnë të paguhen nga taksat tuaja, që shpërdorojnë besimin tuaj”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, duke garantuar anonimat për të gjithë “spiunët”.

Nisma është për tu përgëzuar, por problemi i dështimit të saj të sigurt qëndron jo te ndërgjegjja dhe dëshira e qytetarëve për të denoncuar krimin, por te kriminalizimi i policisë në të gjithë nivelet e saj. Vetë drejtori Veliu është një individ i katapultuar nga Rilindja në krye të Policisë së Shtetit, duke marrë në mënyrë të jashtëligjshme 4 grada përnjëherësh. Po ky Veliu, rezulton “i kapur me presh në dorë”, në përgjimet e iskenimit të dëshmitarit fals për çështjen Agron Geron Xhafaj, Alfred Alzoti.

Bashkëpunimi i një pjese të policisë me krimin, nuk mund të mbulohet me fushata të tilla propagandistike. Media dhe opozita shumë herë kanë denoncuar, se shumica e kryepolicëve të implikuar direkt në ndërmarrjen kriminale të 2015-2017 të kanabisimit të vendit, vazhdojnë të jenë ende në detyra të rëndësishme. Gjithashtu janë të shumta akuzat se drejtorët e policisë, shefat e komisariateve dhe sektorëve në shumicën e qarqeve, emërohen nga vetë organizatat kriminale.

Që policia e drejtuar nga Ardi Veliu dhe kjo shpurë drejtorësh nëpër Shqipëri ka dështuar në luftën kundër krimit, e tregojnë vetëm shifrat e vrasjeve të fillim vitit 2019, të cilat mund të konsiderohen pa frikë “bilanc lufte”.

Kështu 120 ditë kalendarike (Janar-Mars, 2019) në Shqipëri janë shënuar 23 ngjarje kriminale me pasojë vrasje që kanë lënë pas 29 viktima. Nëse bëjmë krahasimin me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shohim se ka gati dyfishim të numrit të vrasjeve. Në tremujorin e parë të vitit 2018 në Shqipëri ndodhën 12 vrasje ndërsa këtë vit në periudhën janar- mars kanë ndodhur 22 vrasje, nga të cilat 8 në familje.

Ajo që e bën alarmante situatën është fakti që krimi dhe vrasjet mafioze kanë një shtrirje gjeografike në të gjithë vendin dhe zbulueshmëria apo kapja e autorëve është gati zero.

Në 30 janar të këtij viti kryeqyteti u trondit nga vrasja mafioze e Arben Bilalit, autorët e së cilës ende nuk dihen. 18 ditë më vonë Vlora u trondit nga një tjetër vrasje mafioze ku viktimë mbetën Aurest Rexho dhe Arjan Hasani ndërsa u plagos Armando Sulejmani që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. As për këtë ngjarje nuk dihen autorët.

Një ditë më pas në Tepelenë u zbulua një tjetër krim. Sokol Rama i zhdukur prej 6 shkurtit u gjet i ekzekutuar nga shoku i tij Roland Milo, i cili u vu në pranga. Më pas në 16 dhe 18 mars kryeqyteti u trondit sërish nga 2 vrasje. Të vdekur nga plumbat mbetën Haxhi Baçinozi dhe Jurgen Kurti, ngjarje për të cilat policia ka venë në pranga autorët. Më pas krimi zhvendoset në Theth ku më 20 mars u vra në një atentat Nard Polia për të cilin polica ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar. Vetëm 2 ditë më vonë në 22 mars u ekzekutua në një lokal në Elbasan avokati Revik Gura. Për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë të dyshuar. Tronditëse për opinionin publik ka qenë vrasja në derë të shtëpisë te vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali në Shkodër më 30 mars, e cila u zbardh nga policia dhe tashmë në pranga 2 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Ngjarja e fundit kriminale u shënua në Laç ku viktimë mbetën Kelvin dhe Erion Jushi. Po ashtu ende nuk ka asnjë shans, që të gjenden milionat e grabitjes së fundit spektakolare në pistën e Rinasit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

N04/05/2019 13:02

Njehere te thone po nderhyni tek "hetimet" tona, pastaje thone hande na ndihmoni. Si tju teket.

Shto koment

Denonco