Ditmir Bushati del nga rreshti dhe deklarohet kundër Ramës e Thaçit: Lëvizja e kufijve në Kosovë...

Ditmir Bushati del nga rreshti dhe deklarohet kundër Ramës e Thaçit: Lëvizja e kufijve në Kosovë...

10:47, 25/08/2018
A+ Aa A-

Ditën e djeshme në një prononcim për mediat presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se tashmë është marrë vesh me liderët shqiptarë në rajon për ndarjen e Kosovës ( Lexo më shumë) duke lënë për të nënkuptuar se këtë pazar e ka mbyllur me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Vuçiç konfirmoi gjithashtu se brenda pak ditëve, do të ketë një takim për këtë temë me Ramën dhe Thaçin. Fakti është se deri më tani, qeveria e Shqipërisë nuk është prononcuar për debatin e nxehtë të ndarjes së Kosovës, i cili është shpalosur fillimisht në formën e një plani të mjegullt nga presidenti Thaçi dhe më pas është ndjekur në koherencë të plotë, nga Vuçic.

Deri më tani ajo që përbashkon Rama-Thaçi-Vuçic është fakti, se projektin për ndarjen e Kosovës e ka përpiluar Fondacioni për Shoqëri të Hapur, i mikut të tyre të përbashkët Xhorxh Soros.

Por në një intervistë tëshkurtër për Gazetën Panorama, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati ka dalë për herë të parë hapur, kundër shefit të tij të madh Edi Rama për këtë çështje. Bushati e thotë qartësisht se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojnë drejtë një marrëveshje, “ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit”.

Nuk dihet se çfarë e ka detyruar Ditmir Bushatin që të nxitojë që të dalë kundër vijësjelljes së shefit të tij për këtë çështje, por ky qëndrim mund të ketë të bëjë me vendosmërinë e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe shumicës së shteteve të BE-së, se çështja e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës është një vijë e kuqe që as nuk duhet menduar e jo më të hidhet në bisedime.

Gjithashtu janë të shumtë zërat afër mazhorancës të cilët thonë, se Edi Rama nuk e ka përfshirë emrin e Ditmir Bushatit në kabinetin e ri që pritet të konfirmohet në muajin Shtator gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS.

“Nuk do të ishte realiste që për tema kaq të mprehta qëndrimet zyrtare të bazoheshin mbi aludime, veprimet taktike apo deklarime testuese. Për Kosovën dhe statusin e shqiptarëve në rajon, Shqipëria ka një qëndrim të farkëtuar në vite që buron prej detyrimeve kushtetuese dhe unitetit politik e ndërpartiak. Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane.

Po ashtu, duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisaarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re. SHBA, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit, në sajë të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’i kushtonte shqiptarëve dhe të gjithë rajonit”, ka deklaruar Bushati mes të tjerave për këtë çështje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco