Milionat e shëndetësisë që janë përdorur për justifikimin e ndërtimit të kullave në Tiranë, dyshohet se nuk janë pagesa për një shërbim koncesionar, por miliona të paguara pa kryer fare shërbim. Emisioni Plug do t’ju sjellë sot të dhëna të tjera, që ngrenë dyshime për fryrje të kostove të koncesionit të Check Up, për pagesa për shërbime të pakryera e për evazion fiskal. Dokumentet zyrtare ngrenë dyshime të forta se, si në rastin e inceneratorëve, Vilma Nushi dhe familjarë të saj kanë ngritur një rrjet kompanish fiktive për të justifikuar milionat e thithura nga koncesionari.
Në vijim do t’ju tregojmë se si nëpërmjet bashkëshortit, djalit, kunatit dhe personave të tjerë, paratë e shqiptarëve u kanalizuan në xhepin e familjarëve të Vilma Nushit dhe të gjitha këto janë kryer nëpërmjet manovrave që ngrenë dyshime për skema mashtrimi financiar, duke përdorur fatura TVSH-je, kompani të pezulluara apo pa asnjë lidhje me sektorin e shëndetësisë.
Deri më sot keni mësuar se si koncesioni i Check Up është paguar edhe për shërbime të pakryera, apo shërbime me kosto të fryra. Por për të gjitha këto është ngritur edhe një zinxhir i kompletuar justifikimi, e pas kësaj skeme qëndron vetë Vilma Nushi, familjarë të saj dhe persona të lidhur me të.
Qëllimi ka qenë një dhe i vetëm: fryrja dhe justifikimi i kostos së këtij koncesioni që ka thithur nga fondet e shëndetësisë mbi 100 milionë euro. Sipas të dhënave, rezulton se së paku katër kompani në pronësi direkte apo të familjarëve të Vilma Nushit kanë faturuar rreth 28 milionë euro, apo rreth 40% të totalit të faturimit që kompania 3P Life Logistic i ka faturuar buxhetit të shtetit për koncesionin e Check Up.
Më konkretisht, Marketing & Distribution, në pronësi direkte të Vilma Nushit, ka përfituar rreth 19 milionë euro nga kompania koncesionare nëpërmjet faturimeve. Interlogistic, në pronësi të Besnik dhe Erion Nushit, ka faturuar dhe përfituar rreth 4.5 milionë euro.
Veramentia, një tjetër kompani në pronësi të Vilma Nushit, ka faturuar rreth 259 mijë euro, si dhe TRIMED, në pronësi të kunatit të Vilma Nushit, ka faturuar mbi 4.6 milionë euro. Pra, duket qartë se për të justifikuar shpenzimet, kompania koncesionare merr paratë nga koncesioni dhe më pas i transferon nëpërmjet faturimeve në kompanitë e tjera të Vilma Nushit, për të justifikuar në këtë mënyrë shpenzimet.
E siç e patë më sipër, kompania Marketing & Distribution i financon një pjesë të këtyre parave në ndërtimin e kullës së babait të Ervin Matës, të arrestuarit në Brazil për trafik ndërkombëtar kokaine.
Qarkullimi i kapitalit për qira ambientesh është kryer me shoqërinë Veramentia, shoqëri kjo e cila i përket shtetases Vilma Nushi. Në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare të vitit 2018 (publikuar në QKB), kjo shoqëri sqaron se klientët e saj kryesorë janë shoqëritë Interlogistic dhe 3P Life. Pra, thënë ndryshe, Vilma i ka paguar qira vetes së saj.
Në po këto pasqyra financiare na bëhet e qartë se shoqëria ka ndarë dividend në shumën 46.812.653 lekë ose 468.126 euro. Pra, shtetasja Vilma Nushi përfiton dividend edhe nga kjo shoqëri. Pasi fillon hetimi për këtë koncesion, më 26.02.2019 shoqëria Veramentia merr vendim për të kaluar në proces likuidimi, vendim ky që depozitohet në QKB më 25.03.2019, çuditërisht në afatin e fundit të 30 ditëve që lejon ligji për depozitimin e vendimeve të asambleve. Më 14.10.2019 kjo shoqëri likuidohet. Tashmë i mbetet SPAK të hetojë procedurën e likuidimit të kësaj shoqërie dhe shërbimet që ajo ka kryer në kompaninë koncesionare, apo nëse faturat e lëshuara kanë qenë fiktive për të fryrë kostot.
Në aneksin 8 të kontratës, pika B ‘Vlera e investimit dhe riinvestimit’ është përcaktuar se shoqëria ‘3P Life’ duhet të kryente një investim prej 21.150.000 lekësh në zërin logjistika, vlera e ambulancave. Bazuar në pasqyrat financiare të koncesionarit, ai ka investuar në mjete transporti 134.137.219 lekë.
Këto automjete në pjesën më të madhe janë blerë nga shoqëria tjetër e Vilma Nushit dhe pikërisht nga shoqëria Marketing & Distribution, dhe për këto shitje, por edhe për të tjera, koncesionari kalon kapital në shoqërinë e Vilma Nushit. Por ajo që u konstatua gjatë hetimit të komisionit është fakti se automjetet, të cilat në kontabilitet janë në pronësi të koncesionarit dhe janë të publikuara edhe në ekstraktin e saj, në të njëjtën kohë janë të publikuara si pika shitjeje edhe për shoqërinë Marketing & Distribution, por edhe për shoqërinë Interlogistic. (faqe 24 e relacionit)
Kjo vërtetohet edhe nga ekstrakti i shoqërisë Marketing & Distribution, ku targat e 39 automjeteve që shihni në ekran janë gjithashtu pjesë e të dyja shoqërive, pra Marketing & Distribution dhe 3P Life Logistic, që ka në pronësi koncesionin e Check Up.
Pra, nisur nga ky fakt, arrijmë në konkluzionin se shitja e automjeteve është fiktive për të kaluar kapitalin, sepse këto automjete nuk u bënë asnjëherë pronë e koncesionarit. Kjo skemë fiktive është kryer jo vetëm për të qarkulluar kapitalin, por edhe për të rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e shoqërisë koncesionare, e cila ka paguar të gjitha shpenzimet e lidhura me këto automjete si polica sigurimi, karburant, mirëmbajtje, riparime e të tjera që arrijnë vlerën 2.8 milion euro.
Por rasti më skandaloz i faturimeve fiktive është ai me shtetasen Afete Limaj. Në librat e blerjeve të shoqërisë 3P Life, është evidentuar furnitori Afete Alimaj me NIPT L16311205C. Nga ekstrakti i subjektit në QKB kemi evidentuar disa fakte. Objekti i këtij subjekti është suvatime muresh, ndërtim kallëpesh, lyerje. Subjekti e ka filluar aktivitetin në 11.01.2011 dhe në 20.05.2013 pezullon aktivitetin. Në datën 16.06.2017 subjekti kalon nga statusi ‘i pezulluar’ në statusin ‘aktiv’. Vetëm 15 ditë më vonë ky subjekt i faturon koncesionarit 4 fatura në shumën 4.487.010 lekë (me TVSH) ose 44.870 euro.
Faturimi është kryer në muajin korrik dhe një faturë në 08.08.2017 dhe në 10 tetor subjekti kërkon sërish pezullimin e aktivitetit. Nga publikimet e vetë subjektit në QKB ne analizuam pasqyrat financiare të vitit 2017 për këtë subjekt dhe vumë re se të ardhurat e tij për këtë vit vinin vetëm nga koncesionari.
Veprimet e koncesionarit me këtë subjekt janë shumë dyshuese, në këto kushte i mbetet SPAK të hetojë plotësisht veprimet me këtë subjekt si dhe me gjithë furnitorët e tjerë të shoqërisë 3P Life.
Siç edhe treguam në episodin e kaluar, Vilma Nushi nuk iu përmbajt kurrë kontratës koncesionare për ndërtim laboratorësh, të cilët më pas do t’i mbeteshin si aset shtetit shqiptar. Të dhënat tregojnë se për kryerjen e analizave të Check Up, 3P Life Logistic kontraktoi mbi 16 laboratorë në të gjithë Shqipërinë, për të cilët ka shpenzuar qindra mijëra euro.
Një tjetër detaj, i bërë publik edhe gjatë komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ishte ai i blerjes së 450 laptopëve për llogari të koncesionit të Check Up. Sipas një emaili që i shkoi kryetares së komisionit hetimor të shëndetësisë, Albana Vokshi, kompania e Vilma Nushit bleu 450 laptopë te shoqëria Intech+, me të cilën sipas denoncimit Vilma Nushi kishte një kontratë për zhvillimin e software-it dhe database e Oracle për Check Up. Sipas kontratës, kompania fituese e tenderit duhet të ishte në gjendje të garantonte mirëmbajtjen e sistemit kompjuterik. Kjo pikë skualifikoi kompanitë e tjera nga gara. Por edhe M&D nuk kishte një kapacitet të tillë, prandaj paraprakisht ekziston një akord mes M&D dhe Intech+, i cili mori shuma të majme nga M&D për zhvillimin e software-it. Më pas, Vilma Nushi, nëpërmjet M&D, ka blerë kompjuterë te kjo shoqëri, ndërsa ia ka shitur shoqërisë së saj 3P Life Logistic me çmim disa herë më të lartë sesa i bleu.
Denoncimi:
Akordi është sigurisht i parashkruar sepse nuk duhet të figuronte sikur një kompani e jashtme po na asistonte me pjesën IT, ngaqë sipas kontratës fituesi duhet ta mbulonte vetë atë pjesë. Pagesat iu bënë Kolit të Intech+, por jo me faturë. Pagesat nuk gjenden në librat kontabël të 3P Life sepse u bënë direkt nga Vilma, besoj nga llogaritë e M&D. Gjurmët nuk di si mund të gjenden, por porosia që morëm ishte që sa herë kontaktonim apo përmendesh Intech+ të përdorej pseudonimi DEVTEAM. Të gjitha blerjet u bënë nga M&D, e cila pastaj ia shiti 3P Life me çmim më të lartë sesa i kishte blerë, duke marrë TVSH nga shteti dy herë. Mjafton vetëm të përmendësh 450 laptopët që iu blenë Fatech (miku i Kolit të Intech). Çmimi i blerjes për njësi ishte 375 euro, ndërsa çmimi për njësi që iu shit 3P Life nga M&D ishte 499 euro. Kjo strategji u ndoq për të gjitha pajisjet: krevate mjekësorë, tavolina, EKG, matës tensioni, printer, printer barcode, shiringa etj.
Pra, ky email konfirmon edhe njëherë skemën me të cilën Vilma Nushi kanalizoi në xhepin e saj dhe familjarëve të saj dhjetëra milionë euro nga koncesioni i Check Up. Por pavarësisht provave përvëluese, SPAK çuditërisht deri më sot vijon të heshtë dhe të mos veprojë ndaj një prej skemave korruptive më të rënda në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
Mbi 100 milionë euro janë marrë nga shëndetësia e degraduar për një shërbim që më së shumti nuk është kryer. Shërbim me kosto të fryra, ku kompanitë e të njëjtit person, Vilma Nushi, bëjnë qarkullim mes tyre për t’i justifikuar. Pra, e thënë më qartë: pasi merr paratë e shëndetësisë me njërën dorë, ia jep dorës tjetër për t’i futur në fund në xhep.
E një pjesë e tyre shkojnë edhe në kullat e kokainës. Një dosje për këtë koncesion qëndron prej vitesh në sirtarët e SPAK, dhe ky institucion me mosreagimin në kohë nuk ka bërë asgjë më pak se sa ka lejuar edhe injektimin e parave të vjedhura në kullat e drogës. E njëjta skemë është e ngjashme kudo, veç personazhet ndryshojnë. Por në të gjitha këto raste është një emër përbashkues: Edi Rama! Është kryeministri i vendit, ai që firmosi koncesionin e Check Up, e madje e mbron edhe publikisht, e gjithashtu është po Edi Rama që firmosi ndërtimin e këtyre kullave të drogës.
Mbase kjo është edhe arsyeja se përse SPAK nuk guxon të hetojë vjedhjen e parave të shqiptarëve dhe shkatërrimin e ekonomisë përmes gërshetimit të parave të korrupsionit me ato të kokainës!
Natën e mirë!
© SYRI.net