VIDEO/ Financimi i kullës së Ervin Matës, Vilma Nushi përgjigje kontradiktore: Financim në ndërtim ... kontratë porosie!

21:45, 24/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në pjesën e parë të PLUG, ndoqët se si miliona euro janë paguar kot, janë justifikuar me fatura fiktive, e për pasojë shëndetësia ka 100 milionë euro më pak në këto vite, që mund të ishin përkthyer në barna e pajisje për spitalet e degraduara. Por cili është destinacioni i këtyre parave?

Janë pikërisht kullat e pastrimit të parave. Pra paratë tuaja të dashur qytetarë përdoren për të justifikuar injektimin në këto kulla të qindra-milionë eurove. Vilma Nushi do të financonte ndërtimin e kullës tek ish-Ekspozita në emër të Luan Matës, babait të Ervin Matës, apo siç cilësohet në skutat e errëta të Tiranës, ‘Boli’ i kokainës. Por çfarë dhe si e lidh një koncesion në shëndetësi me kullat e trafikut të drogës, këtë duhet ta faktojë SPAK, ne si gazetarë kemi për detyrë vetëm paraqitjen e fakteve.

Në kuadër të transparencës dhe përgjegjësisë profesionale, që para transmetimit të puntatës së kaluar, emisioni Plug iu drejtua me disa pyetje si Vilma Nushit ashtu edhe Luan Matës. Për hir të së vërtetës, znj. Nushi kishte kthyer përgjigje për pyetjet e para të emisionit Plug që në muajin dhjetor, por ato nuk u aksesuan nga gazetarët tanë, pasi kishin mbërritur si spam. E në kërkesën e dytë për informacion, morëm dijeni se përgjigjet kishin mbërritur, e avokatët e znj. Nushi na kërkonin që t’i publikonim.

Absolutisht ky emision është i hapur për të gjitha qëndrimet e palëve, ndaj dhe do të transmetohen të plota, pasi edhe për SPAK.

Që në krye të emisionit të kaluar, pyetja që ngrihej është se mos vallë paratë e Check Up janë përdorur edhe për qëllime të tjera? Indiciet për përgjigjen e kësaj pyetje i gjejmë në vijim. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, që ka në pronësi koncesionin e Check Up nëpërmjet kompanisë ‘3P Life Logistic’, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë ‘Victoria Construction’, e cila po ndërton kullën Ekspozita Building. Do të ishte normale marrëdhënia financiare e dy kompanive në ndërtimin e një kulle, deri në momentin kur këto kompani janë në emër të biznesmenëve, ku njëri thith fondet e koncesioneve në shëndetësi dhe tjetri del me lidhje të forta në tregun e kokainës. Pra Vilma Nushi e koncesionit të Check Up financon kullën e ndërtuar nga Luan Mata, babai i Ervin Matës, një prej bosëve të trafikut të kokainës që u arrestua në Brazil.

Konkretisht, në vitin 2018, kompania ‘Marketing & Distribution’ kalon për llogari të shoqërisë ‘Victoria Construction’ një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë ‘Victoria Construction’ nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë borxh.

Por derdhja e parave nga Vilma Nushi për llogari të kompanisë së babait të Ervin Matës u bë vetëm një vit përpara se Edi Rama dhe Belinda Balluku të firmosnin lejen e ndërtimit për kullën Ekspozita Building, e cila po ndërtohet në truallin e ish-Ekspozitës në kryeqytet.

Konkretisht, në vitin 2018, Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës. Ndërsa më pas, në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut u miratua leja e zhvillimit të godinës polifunksionale ‘Ekspozita Building’ me vendndodhje në Bulevardin ‘Gjergj Fishta’ në Tiranë. Kulla, me lartësi 93 metra, do të ketë 29 kate, 24 mbi tokë dhe 5 nën tokë. Sipërfaqja e përgjithshme e 24 kateve do të jetë rreth 42 mijë metra katrorë dhe do të shërbejë si qendër tregtare, ambiente për zyra dhe banim.

Projekti sigurisht është bërë nga një studio arkitekturore e huaj, ‘Mario Cucinella Architects srl’, e ndoshta paratë e Vilma Nushit mund të kenë shërbyer për të paguar projektin.

Në vitet në vijim kompania ‘Victoria Construction’ heq emrat e donatorëve me para cash, por ajo që bie në sy është fakti se pas vitit 2019 e deri në vitin 2024, huatë e marra në para cash kapin vlerën e 8 milionë eurove. Emrat e këtyre personave nuk deklarohen nga Luan Mata, ndërsa nuk jepen as të dhëna nëse kompania ia ka kthyer paratë Vilma Nushit apo kjo e fundit ka vijuar të rrisë fondin e investimit për ndërtimin e një kulle, e cila prej vitit 2021 është nën hetim nga SPAK pasi dyshohet se ndërtohej me paratë e trafikut të drogës së Ervin Matës.

Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliard lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividentin e parë nga kompania e Check Up, në vlerën e rreth 1.2 miliard lekëve apo përafërsisht sa shuma që futi te kulla e një trafikanti droge. Ndaj i mbetet detyrë SPAK të zbardhë nëse paratë që shqiptarët i paguan për Check Up kanë përfunduar për ndërtimin e kullave të grupeve kriminale në Tiranë, pasi ky emision ka për detyrë vetëm të informojë publikun për fakte.

Në kuadër të profesionalizmit dhe transparencës mbi investigimin e financimit të kullës tek ish-Ekspozita, emisioni ‘Plug’ iu drejtua me disa kërkesa për informacion zotit Luan Mata dhe zonjës Vilma Nushi, zotëruese e kompanive ‘3P Life Logistic’ të koncesionit të Check Up si dhe kompanisë ‘Marketing & Distribution’ që rezulton financuese e shoqërisë ‘Victoria Construction’.

Emisioni Plug i dërgoi znj. Nushi, në kuadër të paanësisë dhe interesit publik, 6 pyetje, të cilat po i bëjmë publike sot.

Pyetjet e Plug:

1. A e konfirmoni se në vitin 2018 keni investuar 116.000.000 lekë?

2. Leja zhvillimore për këtë projekt është miratuar nga KKT-ja në nëntor të vitit 2019, ndërkohë në sqarimet tuaja në email-in e datës 30.12.2025 shpreheni se keni nënshkruar një kontratë noteriale ‘Financim në Ndërtim’ kurse në shkresën e datës shpreheni se ‘Angazhimi ynë financiar është formalizuar përmes një kontrate porosie/parablerjeje, një praktikë tërësisht standarde, ligjore dhe e përhapur gjerësisht në tregun imobiliar në Shqipëri’. Ku e kishit ju garancinë se KKT do të miratonte lejen? Bazuar në cilat dokumente është përpiluar kontrata e porosisë/parablerjes kur nuk rezultonte një leje ndërtimi e miratuar?

3. Në përgjigjen tuaj shpreheni se transaksionin e keni mbështetur gjithashtu në historikun dhe përvojën shumëvjeçare të z. Luan Mata në fushën e ndërtimit. A mund të na bëni me dije se cili është historiku i z. Mata në fushën e ndërtimit në dijeninë tuaj? Pasi ne kemi kërkuar dhe nuk na rezulton një historik apo përvojë e tillë?

4. Sa është shuma totale e kontratës së nënshkruar me shoqërinë Victoria Construction (kërkesë e përsëritur)?

Deri në transmetimin e këtij emisioni, kompania e znj. Vilma Nushi nuk i është përgjigjur pyetjeve tona, ndërsa ne mbetemi të hapur për përgjigjet në vijim.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë informacion pasi kontratat e porosisë lidhen te noteri dhe regjistrohen në hipotekë dhe kjo bëhet vetëm kur ka një leje ndërtimi të miratuar. Pra zonja Nushi ka vetëm dy opsione: ose ka financuar me likuiditet ndërtimin e kullës së babait të Ervin Matës, një trafikanti ndërkombëtar kokaine dhe kjo me një garanci të madhe shtetërore se këto para nuk po hidheshin në kosh se leja do miratohej, ose ajo ka një kontratë borxhi për të kryer pagesat e nevojshme si për arkitektin e huaj dhe për shpenzime të tjera për projektin. Nëse kjo është një kontratë reale apo fiktive sa për të justifikuar Ervin Matën dhe lekët e aktivitetit kriminal, ne nuk e dimë, por SPAK duhet ta hetojë atë kullë njësoj siç hetoi Artur Shehun apo Denis Matoshin alias Eldi Dizdari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco