Nga Ndriçim Kulla - 09:40, 26/06/2026
Nga Ndriçim Kulla/
Janë çaste të rralla, por jo të panjohura në histori. Ato ngjasojnë me ato orë të vona të natës kur një organizëm i lodhur nuk ka më forcë të luftojë sëmundjen dhe mjekët, para se të mendojnë për kurimin, përqendrohen tek mbajtja gjallë e frymëmarrjes. Në ato momente askush nuk pyet për elegancën e terapisë, për origjinalitetin e metodës apo për shkëlqimin e teorive mjekësore. E vetmja pyetje që mbetet është nëse organizmi do ta kalojë natën.
Shqipëria tashti duket se po kalon një prej këtyre netëve politike.
Nuk është më fjala për përplasjen e zakonshme ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Nuk është as konflikti i përhershëm që shoqëron çdo demokraci. Ajo që po vihet në diskutim është diçka më e thellë dhe më e rrezikshme: aftësia e shtetit për t'u perceptuar si arbitër dhe jo si lojtar, si garantues i rregullave dhe jo si përfitues i tyre.
Kur një pjesë e madhe e qytetarëve fillon të dyshojë jo tek rezultati i një gare, por tek vetë fusha ku zhvillohet gara; kur mosbesimi nuk drejtohet më ndaj një politikani të caktuar, por ndaj mekanizmit që prodhon pushtetin; kur institucionet që duhet të qëndrojnë mbi palët fillojnë të perceptohen si zgjatime të njërës palë, atëherë kriza ka kaluar kufirin e zakonshëm të politikës dhe ka hyrë në territorin e legjitimitetit.
Historia ka treguar se në këto raste demokracitë kërkojnë një stacion të ndërmjetëm. Një urë. Një armëpushim. Një hapësirë neutrale ku palët nuk fitojnë dhe nuk humbasin, por pranojnë të rivendosin rregullat e lojës përpara se të rifillojë ndeshja.
Por kur lumi është fryrë nga mosbesimi, kur rrjedha e konfliktit politik është bërë e pakalueshme, kur brigjet e dialogut janë larguar nga njëri-tjetri deri në atë pikë sa nuk mund të preken më, ndërtimi i urës bëhet një nevojë e arsyes shtetërore.
Në këtë kuptim, qeveria teknike nuk është shprehje e dobësisë së demokracisë. Ajo është shprehje e instinktit të saj të mbijetesës.
Sepse demokracitë e mençura nuk dallohen nga fakti se nuk hyjnë kurrë në krizë. Krizat janë pjesë e natyrës njerëzore dhe rrjedhimisht edhe e natyrës politike. Madhështia e tyre qëndron tek aftësia për të gjetur mekanizma që i kapërcejnë ato pa shkatërruar themelet mbi të cilat janë ngritur
Kjo është arsyeja e vërtetë pse sot po këmbëngulet dhe duhet të këmbëngulet shumë fortë për qeverinë teknike.
Ajo nuk është triumfi i teknokratëve mbi politikën. Nuk është as dorëzimi i demokracisë. Përkundrazi. Është përpjekja për ta shpëtuar demokracinë shqiptare sot nga destabiliteti që ka mbi krye. Është momenti kur politika të pranoj kufijtë e saj dhe, për një periudhë të shkurtër, ti kërkoj ndihmë neutralitetit.
Qeveritë teknike nuk lindin në kohë harmonie. Ato nuk janë fryt i normalitetit. Ato shfaqen pikërisht atëherë kur normaliteti është bërë i pamundur. Janë produkt i një alarmi institucional që paralajmëron se vazhdimi i rrugës së vjetër mund të prodhojë pasoja më të rënda sesa pezullimi i përkohshëm i interesave partiake.
Në këtë kuptim, qeveria teknike aktualisht është më pak një qeveri dhe më shumë një akt shpëtimi. Ajo ngjan me dhomën e reanimacionit të republikës. Askush nuk ndërton një spital për të jetuar përgjithmonë në reanimacion. Por askush nuk e mohon nevojën e tij kur zemra e pacientit fillon të humbasë ritmin.
Dhe kjo është pyetja që duhet t'i bëjmë vetes sot: a ndodhemi ende në fazën e zakonshme të debatit politik apo kemi hyrë në atë zonë të rrezikshme ku shpëtimi i besimit është bërë më i rëndësishëm se fitorja e radhës?
Në historinë e kombeve të qytetëruara, momentet e tilla kanë prodhuar zgjidhje të jashtëzakonshme. Jo sepse njerëzit kanë dashur të shpikin forma të reja pushteti, por sepse kanë kuptuar se vazhdimi i normalitetit të rremë mund të jetë më i rrezikshëm se ndërprerja e përkohshme e tij.
Kështu kanë lindur qeveritë e tranzicionit, qeveritë e pajtimit, qeveritë teknike dhe format e tjera të administrimit neutral. Ato nuk janë produkte të triumfit politik. Janë produkte të kufizimit vullnetar të politikës. Janë ato çaste të rralla kur palët pranojnë se konflikti i tyre ka arritur një pikë ku vetë arbitri duhet të mbrohet nga lojtarët.
Në këtë kuptim, qeveria teknike sot nuk është një zëvendësim i demokracisë. Ajo është një operacion i përkohshëm për të shpëtuar kushtet që e bëjnë demokracinë të mundur.
Një republikë nuk rrezikohet vetëm kur mungojnë zgjedhjet siç kanë ndodhur me tre mandate te Edi Ramës. Ajo mund të rrezikohet edhe kur zgjedhjet zhvillohen nën një nivel të tillë mosbesimi sa që rezultati, pavarësisht formës së tij juridike, nuk arrin të prodhojë kurrë autoritet moral siç edhe ka ndodhur me zgjedhjet e 11 majit te vitit të kaluar në Shqipëri. Pikërisht këtu qëndron arsyeja më e thellë e një qeverie teknike në këtë situate në Shqipëri. Jo tek administrimi i përditshëm i shtetit. Jo tek emrat e ministrave. Jo tek biografitë e ekspertëve. Por tek krijimi i një distance të domosdoshme ndërmjet aparatit shtetëror dhe interesit të drejtpërdrejtë elektoral.
Në një farë mënyre, qeveria teknike është përpjekja për ta kthyer shtetin përkohësisht në pronë të republikës dhe jo të qeverisë.
Ky dallim duket i vogël, por në të vërtetë është kolosal.
© SYRI.net