Nga Alban Kardashi/
Të fluturosh mbi Shqipëri sot është një përvojë shqetësuese për sytë e një urbanisti apo akitekti. Nga lart, propaganda humbet fuqinë e saj. Fasadat shumëngjyrshe të rrugës së Durrësit nuk mjaftojnë më. Ceremonia dhe zhurmat e qytetit nuk dëgjohen më. Renderi nuk funksionon. Nga ajri mbetet vetëm anatomia e territorit: qytete që përhapen pa masë, kulla që ngrihen si shenja dominimi, bregdet i copëtuar nga oreksi i investimit, peizazhe të rrethuara nga premtimi i zhvillimit, qendra historike të holluara, fshatra të zvarritur, tokë e prerë, ndjesia që kur të zbresësh do të përballesh me një horizont të ndërprerë. Nga lart, Shqipëria duket si një vend ku shumëçka është prekur, por pak është dëgjuar.
Ky është imazhi më i qartë i modelit Rama: një vend i trajtuar si sipërfaqe. Fillimisht sipërfaqe fasade, pastaj sipërfaqe sheshi, pastaj sipërfaqe qendre historike, pastaj sipërfaqe vertikale kulle, pastaj sipërfaqe bregdeti, ishulli, lagune dhe peizazhi të mbrojtur. Gjesti që dikur shfaqej mbi letër, mbi kalendar, mbi dokument administrativ, është zmadhuar në shkallë shtetërore. Ajo që në mikro ishte mbivendosje, në makro është bërë urbanizëm. Ajo që në vizatim ishte horror vacui, në territor është bërë pamundësi për ta lënë vendin të marrë frymë.
Edi Rama nuk është thjesht politikani që ka lejuar ndërtime. Ai është figura që ka bashkuar në një trup të vetëm artistin, kuratorin, kryetarin e bashkisë, kryeministrin, regjisorin e imazhit dhe arbitrin e shijes urbane. Në këtë bashkim qëndron fuqia dhe rreziku i tij. Ai e kupton se hapësira nuk është vetëm funksion; është psikologji, perceptim, identitet dhe pushtet. Por pikërisht sepse e kupton këtë, dëmi bëhet më i madh kur hapësira trajtohet si medium personal.
Në një vend me institucione të forta, një lider me shije të fortë estetike do të kufizohej nga plane, rregulla, këshilla profesionale, debat publik, gjykata, komunitete, universitete, media të pavarura dhe kulturë e qëndrueshme urbane. Në Shqipëri, këto kufij kanë qenë të dobët. Prandaj shija personale nuk mbeti shije. U kthye në sistem. Intuita estetike nuk mbeti impuls. U kthye në metodë qeverisjeje. Arkitektura nuk mbeti disiplinë. U kthye në gjuhë pushteti.
I. Nga vizatimi mbi letër te territori si sipërfaqe
Ka një mënyrë të thjeshtë për të kuptuar raportin e Ramës me hapësirën: të shihet se çfarë bën ai me një sipërfaqe të dhënë. Në vizatimet e tij mbi kalendarë, letra zyrtare, fletë pune dhe dokumente administrative, sipërfaqja nuk mbetet asnjëherë neutrale. Ajo nuk pranohet si kufi, nuk respektohet si rend paraprak, nuk lihet të marrë frymë. Ajo mbulohet.
Kjo nuk është një vërejtje estetike periferike. Në këto vepra shfaqet një regjim formal i përsëritur: mbingarkesë, mbivendosje, horror vacui, linjë organike që përpin strukturën, ngjyrë që dominon rendin dhe gjest personal që e kthen çdo mbetje boshllëku në territor të vetin. Faqja administrative, që në vetvete përfaqëson orar, detyrë, procedurë dhe institucion, bëhet suport për shpërthimin e gjestit individual. Rendi nuk prishet plotësisht; ai mbetet poshtë, por i mbuluar, i nënshtruar, i estetizuar.
Ky raport me sipërfaqen bëhet politikisht i rëndësishëm vetëm kur del nga letra dhe hyn në qytet. Sepse te Rama kemi një rast të rrallë ku artisti nuk mbetet në studio, por merr në dorë polis-in: fillimisht Tiranën si kryetar bashkie, më pas Shqipërinë si kryeministër. Në këtë kalim, ajo që në mikro duket si doodle, në makro shfaqet si urbanizëm autorial. Faqja bëhet shesh. Linja bëhet kullë. Ngjyra bëhet fasadë. Mbivendosja bëhet leje ndërtimi. Horror vacui i artistit shndërrohet në betonizim të territorit.
Kjo nuk është diagnozë klinike. Nuk na intereson të lexojmë njeriun si pacient, por pushtetin si formë. Ajo që vihet re është një analogji strukturore midis gjuhës së veprës dhe gjuhës së qeverisjes urbane: në të dyja rastet, boshllëku nuk pranohet si vlerë; kufiri nuk respektohet si kusht; konteksti nuk dëgjohet si autoritet; sipërfaqja ekzistuese trajtohet si material për ndërhyrje.
II. Qyteti si suport i gjestit
Kur Rama u shfaq në Tiranë si kryetar bashkie, ndërhyrja e parë që e bëri të njohur ndërkombëtarisht ishte lyerja e fasadave. Ky akt u lexua si çlirim vizual i një qyteti të rënduar nga rendi i skuadruar postkomunist. Në sipërfaqe, kishte diçka joshëse: ngjyra dukej si energji, si shpresë, si shenjë se qyteti mund të dilte nga grija.
Por pikërisht këtu fillon problemi. Fasadizmi ishte jo vetëm zgjidhje estetike, por edhe metodë politike. Ai e mësoi qytetin të pranojë se transformimi mund të ndodhë si imazh përpara se të ndodhë si strukturë. Më vonë, kjo logjikë u zgjerua: nga fasada te sheshi, nga sheshi te kulla, nga kulla te bregdeti, nga bregdeti te peizazhi i mbrojtur.
Në këtë kuptim, Tirana nuk u planifikua vetëm; ajo u kurua. Dhe kur qyteti kurohet nga një vullnet qendror, qytetari rrezikon të zhvendoset nga përdorues në spektator. Ai nuk ftohet të bashkëprodhojë hapësirën, por të admirojë transformimin e saj. Urbanizmi nuk është më shkencë e bashkëjetesës në hapësirë, por regji e perceptimit publik.
III. Sheshi Skënderbej: qendra si skenë
Sheshi Skënderbej është vendi ku Tirana e ka parë gjithmonë veten përmes syrit të pushtetit. Nuk është thjesht një hapësirë publike; është qendra simbolike ku çdo regjim ka dashur të lërë shenjën e vet. Perandoria osmane, ndërhyrjet italiane, regjimi komunist, anarkia ndërtimore postkomuniste dhe urbanizmi spektakolar i dekadave të fundit kanë kaluar të gjitha nëpër këtë pikë, duke e trajtuar qendrën jo vetëm si vend përdorimi qytetar, por si ekran ideologjik.
Në këtë kuptim, ndërhyrja e Ramës dhe e pasardhësve të tij politikë mbi qendrën e Tiranës nuk është shkëputje nga historia e pushtetit mbi sheshin; është vazhdimi i saj me mjete të reja. Në vend të aksit totalitar kemi skenën urbane. Në vend të monumentit ideologjik kemi imazhin arkitekturor. Në vend të fasadës socialiste kemi sipërfaqen e kuruar, pllakën, ndriçimin, renderin, dronin, ceremoninë dhe kullën.
Në pamje të parë, Sheshi Skënderbej mund të lexohet si një fitore e këmbësorit ndaj makinës. Ai u çlirua nga trafiku, u shndërrua në hapësirë të madhe publike dhe u paraqit si zemra e një Tirane më të hapur, më europiane, më të ecshme. Kjo nuk duhet mohuar. Por urbanizmi serioz nuk ndalet te fotografia ajrore e një sheshi të boshatisur nga makinat. Ai pyet: çfarë ndodh rreth tij? Kush e kontrollon horizontin? Çfarë raporti krijon sheshi me lagjet, me institucionet, me kujtesën, me hijen, me përdorimin e përditshëm, me ekonominë e qytetit dhe me pronën publike?
Pikërisht këtu shfaqet paradoksi. Sheshi që paraqitet si hapësirë publike hapet horizontalisht në nivelin e tokës, por rrethohet vertikalisht nga interesa private. Qendra çlirohet nga trafiku, por jo nga kapitali. Qytetari fiton një sipërfaqe për të ecur, ndërsa humbet gradualisht horizontin, shkallën njerëzore dhe marrëdhënien historike me qytetin. Ajo që duket si hapje, në një nivel më të thellë kthehet në rrethim.
Kullat rreth qendrës nuk janë thjesht ndërtime të larta. Në një qytet me memorie të brishtë, me qendër historike të dëmtuar dhe me institucione planifikuese të dobëta, ato janë akte force. Kulla nuk hyn në dialog me kontekstin; ajo e rishkruan atë. Nuk përshtatet me shkallën e rrugës; e nënshtron. Nuk ndërton domosdoshmërisht qytet; ndërton volum, rentë, imazh dhe dominim.
Në këtë model, Sheshi Skënderbej rrezikon të kthehet nga zemër qytetare në oborr monumental të ndërtesave që e rrethojnë. Hapësira publike mbetet në qendër, por ajo nuk është më qendra e qytetit; është skena përreth së cilës ngrihet qyteti i ri i kapitalit. Ky është ndryshimi themelor: dikur pushteti ndërtonte monumente në shesh; sot pushteti lejon monumente private rreth sheshit.
IV. Qendra historike: çarmatosja juridike e trashëgimisë
Qendra historike e një qyteti nuk është thjesht një zonë me ndërtesa të vjetra. Ajo është arkivi urban i kujtesës kolektive: aty lexohet ritmi i parë i qytetit, materiali, shkalla, oborri, rruga, fasada, dritarja, hijet, mënyra si njerëzit kanë banuar, tregtuar, kaluar, pritur, festuar dhe jetuar përpara se qyteti të kthehej në mall ndërtimor. Nëse sheshi është fytyra ceremoniale e qytetit, qendra historike është trupi i tij nervor.
Pikërisht për këtë arsye, çështja e qendrës historike të Tiranës nuk duhet parë vetëm si debat teknik mbi kufij, koordinata apo status monumenti. Ajo është një nga provat më të qarta të mënyrës si pushteti urban e zhvendos trashëgiminë nga kategori publike në pengesë administrative. Kur trashëgimia nuk mund të prishet drejtpërdrejt, ajo fillimisht relativizohet. Kur nuk mund të relativizohet, ajo lihet të degradojë. Kur degradimi bëhet argument, ajo zhvishet nga mbrojtja. Dhe kur mbrojtja bie, vendi i saj bëhet i disponueshëm për volum ndërtimor.
Në letër, aktet e mbrojtjes së qendrës historike duken si kujdes institucional. Shteti njeh një bërthamë me vlera urbanistike, arkitekturore dhe historike që nuk mund të trajtohet si truall i zakonshëm ndërtimi. Por problemi i vërtetë nuk qëndron te gjuha e mbrojtjes. Problemi qëndron te efekti i saj. Nëse mbrojtja juridike prodhon në praktikë zvogëlim, përjashtim, rihartim kufijsh dhe hapje të qendrës për kulla, atëherë kemi të bëjmë me një formë më të sofistikuar të shkatërrimit: jo shkatërrim me fadromë në fillim, por shkatërrim përmes hartës.
Kjo është forma më e rrezikshme e dhunës urbanistike, sepse paraqitet si procedurë. Nuk ndodh në errësirë; ndodh përmes vendimeve, tabelave, institucioneve, dokumenteve, hartave dhe termave teknikë. Trashëgimia nuk sulmohet si armike; ajo administrohet derisa të bëhet e ndërtueshme. Në këtë mënyrë, pushteti nuk e mohon mbrojtjen; e përdor gjuhën e mbrojtjes për të prodhuar rezultatin e kundërt.
Në qytetet me kulturë të fortë urbane, trashëgimia nuk është kundërshtare e zhvillimit; ajo është kushti që zhvillimi të mos kthehet në amnezi. Në Tiranë, përkundrazi, zhvillimi shpesh kërkon harresë. Dhe harresa fillon gjithmonë me një akt administrativ.
Këtu qëndron drama urbanistike e Tiranës: e vjetra nuk trajtohet si shtresë mbi të cilën qyteti ndërton identitetin e vet, por si pengesë që duhet kapërcyer. Qendra historike duhet të jetë vendi ku qyteti i reziston shpejtësisë së kapitalit. Ajo duhet të vendosë ritëm më të ngadaltë, lartësi më të matur, gjuhë materiale më të kujdesshme, marrëdhënie më të thellë me rrugën dhe me banorin. Por modeli i ndërtimit që ka dominuar Tiranën e trajton qendrën si mundësinë më fitimprurëse, jo si zonën më delikate.
Në këtë pikë, lidhja me gjuhën artistike të Ramës bëhet përsëri e dukshme. Në vizatimet e tij, suporti ekzistues, kalendari, letra, dokumenti, nuk fshihet plotësisht; ai mbetet poshtë si shtresë e nënshtruar. Mbi të zbret linja, ngjyra, masa, figura. E njëjta logjikë shfaqet në qytet: trashëgimia nuk mohohet gjithmonë me fjalë, por mbulohet me projekt. Ajo mbetet si pretekst, si emër, si kujtim, si fasadë e ruajtur ndonjëherë, por humbet fuqinë për të organizuar hapësirën. Qyteti historik shndërrohet në suport të qytetit spekulativ.
V. Kullat: ekonomia politike e lartësisë
Kulla është forma arkitekturore më e dukshme e epokës Rama në Tiranë. Ajo nuk është thjesht një tipologji ndërtimi; është shenjë pushteti. Në një qytet ku toka qendrore është e kufizuar, ku institucionet planifikuese janë të dobëta dhe ku kapitali kërkon kthim të shpejtë, lartësia bëhet mënyra më e drejtpërdrejtë për ta kthyer vendin në rentë. Çdo metër i ngritur mbi tokë është jo vetëm hapësirë fizike, por edhe produkt financiar, imazh politik dhe akt dominimi mbi horizontin.
Në urbanizëm, lartësia nuk është problem në vetvete. Qytetet moderne mund të ndërtojnë vertikalisht, por vetëm kur vertikaliteti është pjesë e një sistemi: transport publik, rrjet rrugor, shkolla, kopshte, hapësira të gjelbra, përdorim i përzier, përballueshmëri banimi, hije, ajrim, distanca, kapacitete ujësjellësi, kanalizime, energji, shërbime zjarrfikëse dhe jetë e përditshme. Kulla bëhet problem kur del nga sistemi dhe fillon të sillet si objekt autonom. Atëherë ajo nuk është më pjesë e qytetit; është pushtim i tij.
Në Tiranë, problemi i kullave nuk qëndron vetëm te lartësia e tyre, por te mënyra si ato vendosen mbi një qytet që nuk është përgatitur për to. Ato ngrihen në zona tashmë të dendura, pranë qendrës historike, pranë liqenit, në ish-Bllok, përgjatë akseve të ngarkuara dhe rreth hapësirave simbolike. Shpesh nuk duket sikur qyteti ka prodhuar kullën si nevojë të vetën; duket sikur kulla i është imponuar qytetit si dëshirë e kapitalit e miratuar nga pushteti.
Këtu duhet bërë dallimi midis densifikimit dhe kullëzimit. Densifikimi është proces urban i kontrolluar: ai rrit numrin e banorëve, shërbimeve dhe funksioneve duke forcuar jetën publike dhe duke ruajtur ekuilibrin e infrastrukturës. Kullëzimi, siç po ndodh në Tiranë, është tjetër gjë: ai rrit volumin e ndërtimit pa garantuar domosdoshmërisht rritje të cilësisë urbane. Densifikimi prodhon qytet. Kullëzimi prodhon metra katrorë.
Propaganda e lartësisë shpesh shitet si modernizim: Tirana duhet të bëhet europiane, kozmopolite, bashkëkohore, e guximshme, me skyline të ri. Por skyline nuk është qytet. Pamja nga larg mund të jetë spektakolare, ndërsa jeta në tokë mund të jetë e varfër, e mbingarkuar, e shtrenjtë dhe e huaj për banorin. Qyteti nuk jetohet nga helikopteri, nga droni apo nga renderi; qyteti jetohet në trotuar apo pas pallateve, aty ku ato janë të palyera.
Pikërisht në trotuar kuptohet dhuna e kullës së vendosur keq. Aty shfaqet hija e tepërt, era ndërmjet volumesh, mungesa e hapësirës publike, presioni mbi rrugën, trafiku, garazhet nëntokësore, ndërprerja e vazhdimësisë së lagjes, zhdukja e dyqaneve të vogla, rritja e çmimeve dhe dëbimi i banorëve të zakonshëm nga qendra. Kulla nuk ndryshon vetëm pamjen e qytetit; ndryshon klasën shoqërore që mund të qëndrojë në të.
Prandaj kullat duhen lexuar si ekonomi politike e lartësisë. Ato nuk janë vetëm objekte arkitekturore, por mekanizma për të përkthyer pushtetin mbi tokën në kapital vertikal. Sa më lart ngrihet ndërtesa, aq më i madh bëhet diferencimi midis atij që zotëron pamjen dhe atij që humbet qiellin. Kulla privatizon jo vetëm truallin, por edhe horizontin. Ajo merr nga qyteti diçka që nuk shkruhet në certifikatë pronësie: dritën, pamjen, ajrin, shkallën dhe kujtesën.
Rasti i kullës në formën e Skënderbeut është sintoma më e qartë e kësaj mendësie. Aty ndërtesa nuk kënaqet të jetë funksionale; ajo kërkon të jetë figurë kombëtare. Heroi historik shndërrohet në fasadë, në volum, në produkt të tregut imobiliar. Kujtesa kombëtare nuk mbrohet; ajo përdoret si branding. Simboli nuk qëndron më në shesh si monument i përbashkët, por ngrihet si objekt privat i banueshëm ose tregtar. Kjo nuk është thjesht çështje shijeje; është privatizim i simbolikes.
VI. Arkitekti i huaj si alibi e pushtetit lokal
Në Shqipërinë e viteve të fundit, arkitekti i huaj është kthyer në një figurë qendrore të transformimit urban. Studio ndërkombëtare me emër ftohen, promovohen, ekspozohen dhe përdoren si dëshmi se vendi po hyn në një fazë të re modernizimi. Në pamje të parë, kjo duket si hapje kulturore: Shqipëria lidhet me arkitekturën globale, Tirana hyn në hartën e studiove të mëdha, projektet marrin gjuhë bashkëkohore dhe qyteti çlirohet nga provincializmi lokal.
Por kjo pamje është e paplotë. Sepse në një vend me institucione të dobëta planifikuese, me transparencë të kufizuar dhe me kulturë të brishtë të debatit publik, emri i arkitektit të huaj mund të funksionojë edhe si alibi. Ai nuk sjell vetëm projekt; sjell autoritet. Dhe autoriteti i emrit shpesh përdoret për të mbyllur pyetjet që duhej të hapeshin: pse këtu, pse kaq lart, pse kaq shumë volum, pse në këtë zonë, pse mbi këtë trashëgimi, pse pa këtë infrastrukturë, pse pa këtë debat qytetar?
Kjo është pika ku arkitektura globale rrezikon të kthehet në instrument të pushtetit lokal. Një studio e njohur nuk e zëvendëson planifikimin demokratik. Një firmë ndërkombëtare nuk e zëvendëson konsultimin publik. Një render i bukur nuk e zëvendëson studimin e ndikimit urban, social dhe ekologjik. Një objekt spektakolar nuk e zëvendëson pyetjen themelore të urbanizmit: kujt i shërben kjo ndërhyrje?
Në modelin Rama, arkitekti i huaj shpesh shfaqet si certifikues estetik i një vendimmarrjeje që mbetet thellësisht politike. Pushteti lokal merr mbi vete dëshirën për transformim, ndërsa studioja ndërkombëtare i jep asaj formë, gjuhë, imazh dhe prestigj. Kështu krijohet një marrëdhënie e rrezikshme: politika prodhon mundësinë, kapitali prodhon interesin, arkitekti prodhon figurën, ndërsa qytetari mbetet jashtë procesit, i thirrur vetëm për të admiruar rezultatin.
Në këtë model, arkitektura ndërkombëtare mund të shndërrohet në një formë të re patronazhi estetik. Nuk mjafton më të kesh projekt, tokë, kapital apo nevojë reale; duhet të kalosh edhe nga një regjim shijeje i miratuar nga lart. Kjo krijon një sistem ku arkitektura nuk është më vetëm profesion, por kanal legjitimimi. Studioja e zgjedhur nuk prodhon thjesht vizatim; ajo prodhon akses. Nuk ofron vetëm projekt; ofron pranueshmëri politike.
VII. Nga qyteti te territori: peizazhi i mbrojtur si sipërfaqe e disponueshme
Nëse Tirana është laboratori ku u provua modeli, Shqipëria është hapësira ku ai u shtri. Ajo që nisi si ndërhyrje mbi fasadë, më pas mbi shesh, pastaj mbi qendër historike dhe kullë, sot ka kaluar në një shkallë më të gjerë: territorin kombëtar. Këtu nuk flitet më vetëm për ndërtesa, por për bregdet, ishuj, laguna, pyje, zona të mbrojtura, ekosisteme dhe peizazhe që nuk i përkasin vetëm një brezi politik, por kujtesës së gjatë të vendit.
Ky kalim nga qyteti te territori është vendimtar për të kuptuar modelin Rama. Në urbanizëm, shkalla nuk është detaj teknik; është çështje etike. Një gjest që në fasadë mund të duket dekorativ, në shesh bëhet politik; në qendër historike bëhet akt mbi kujtesën; në peizazh të mbrojtur bëhet akt mbi trashëgiminë natyrore të kombit. Sa më e madhe shkalla, aq më i madh dëmi i një mendësie që nuk e njeh boshllëkun si vlerë.
Peizazhi i mbrojtur nuk është tokë bosh. Kjo është pika themelore. Ai mund të duket bosh vetëm për syrin e investitorit, të renderit dhe të pushtetit që kërkon projekt. Por në të vërtetë, peizazhi i mbrojtur është hapësirë e mbushur me kuptime: ekologji, migrim shpendësh, reliev, ujë, erë, kripë, kujtesë, peshkim, përdorim lokal, heshtje, horizont, identitet dhe ekuilibër natyror. Ajo që nuk është e ndërtuar nuk është e pavlefshme. Përkundrazi, shpesh vlera e saj qëndron pikërisht te fakti që i ka shpëtuar ndërtimit.
Modeli zhvillimor i viteve të fundit në Shqipëri e ka vënë pikërisht këtë vlerë në rrezik. Bregdeti, në vend që të trajtohet si pasuri e përbashkët strategjike, gjithnjë e më shumë po shihet si material investimi. Ishulli, laguna, pylli bregdetar, zona e mbrojtur, horizonti detar dhe toka publike hyjnë në të njëjtën logjikë që ka përfshirë qendrën e Tiranës: ku ka hapësirë, duhet projekt; ku ka peizazh, duhet resort; ku ka natyrë, duhet paketim turistik; ku ka boshllëk, duhet volum ekonomik.
Këtu shfaqet forma më e plotë e estetizimit politik. Projekti nuk paraqitet si shkatërrim, por si zhvillim. Betoni nuk quhet beton, por destinacion. Resorti nuk quhet privatizim i horizontit, por turizëm elitar. Rrethimi nuk quhet ndalim i aksesit publik, por fazë përgatitore investimi. Ndërhyrja në zonë të mbrojtur nuk quhet dhunë ekologjike, por modernizim me standarde ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, gjuha e zhvillimit bëhet mbulesë për transformimin e pasurisë publike në objekt përfitimi privat.
Në këtë pikë, metafora e vizatimeve të Ramës bëhet shqetësuese. Në mikro, ai vizaton mbi kalendar, mbi dokument, mbi një strukturë ekzistuese. Nuk e prish domosdoshmërisht suportin, por e mbulon. Në makro, e njëjta gjuhë shfaqet kur peizazhi ekzistues nuk mohohet, por riformatohet nga projekti. Laguna mbetet në hartë, por rrethohet nga zhvillimi. Pylli mbetet si sfond, por humbet qetësinë ekologjike. Deti mbetet i hapur në pamje, por aksesi publik kufizohet. Natyra mbetet në retorikë, por në terren hyn logjika e pronës, gardhit, resortit dhe shërbimit ekskluziv.
Ky është momenti kur pushtimi i sipërfaqes nuk është më metaforë artistike, por realitet territorial. Nuk kemi më vetëm faqe të mbushura me ngjyra, por hartë të mbushur me projekte. Nuk kemi më vetëm horror vacui grafik, por horror vacui zhvillimor: pamundësia për të pranuar një hapësirë që nuk prodhon menjëherë imazh, rentë, ceremoni apo investim.
VIII. Urbanisti i vetëm: personalizimi i polis-it
Problemi më i madh i modelit Rama nuk është se një politikan ka pasur shije të forta arkitekturore. Çdo udhëheqës, në një mënyrë ose në një tjetër, lë gjurmë në qytet. Problemi është kur shija personale shndërrohet në sistem vendimmarrjeje, kur intuita estetike zë vendin e procesit urbanistik dhe kur qyteti trajtohet si vepër autoriale e një njeriu të vetëm.
Në një demokraci urbane, qyteti nuk ka autor të vetëm. Ai është rezultat i shumë autorësive: banorë, arkitektë, urbanistë, sociologë, historianë, ekologë, inxhinierë, pronarë, përdorues, tregtarë, fëmijë, të moshuar, institucione, kujtesë dhe konflikt. Qyteti i mirë nuk lind nga mungesa e konfliktit, por nga aftësia për ta administruar konfliktin në mënyrë të drejtë. Urbanizmi është arti i kufirit: ku ndërtohet dhe ku nuk ndërtohet; ku ngrihet dhe ku ulet; ku ruhet dhe ku ndryshohet; ku fiton kapitali dhe ku ndalet përballë të përbashkëtës.
Modeli Rama e zhvendos këtë logjikë. Në vend që qyteti të kuptohet si proces kolektiv, ai shfaqet si objekt që pret formë. Në vend që planifikimi të jetë mekanizëm i balancimit të interesave, ai bëhet skenë ku vullneti politik-estetik vendos ritmin, lartësinë, ngjyrën, ikonën dhe narrativën. Kështu lind figura e “urbanistit të vetëm”: jo urbanist në kuptimin profesional, por në kuptimin më të rrezikshëm politik, njeriu që merr mbi vete të drejtën të imagjinojë, të seleksionojë, të miratojë dhe të legjitimojë formën e qytetit.
Kjo figurë është antidemokratike jo sepse domosdoshmërisht prodhon gjithmonë objekte të këqija, por sepse e redukton qytetin në shprehje të një vullneti. Edhe kur rezultati është estetikisht i pëlqyeshëm, metoda mbetet problematike. Një shesh mund të jetë i bukur, një kullë mund të jetë e guximshme, një fasadë mund të jetë e gjallë, një resort mund të duket luksoz; por pyetja urbanistike nuk është vetëm “a duket mirë?”. Pyetja është: kush vendosi, mbi çfarë kriteresh, me çfarë transparence, me çfarë kostoje publike, me çfarë humbjeje të pakthyeshme dhe për kë?
Këtu qëndron dallimi midis artit dhe urbanizmit. Artisti ka të drejtë ta pushtojë kanavacën e vet. Ai mund ta mbushë, ta grisë, ta mbulojë, ta shformojë, ta bëjë të padurueshme ose madhështore. Kanavaca është fusha e lirisë së tij. Por qyteti nuk është kanavacë private. Qyteti është trup kolektiv. Çdo ndërhyrje mbi të prek kujtesën, pronën, hijen, ajrin, dritën, aksesin, klasën shoqërore, lëvizjen, identitetin dhe të ardhmen e njerëzve që jetojnë aty.
Prandaj kalimi nga artisti te pushtetari është kaq shqetësues. Tek Rama, ky kalim nuk ndodh si braktisje e artit për politikën, por si zgjerim i artit përmes politikës. Ai nuk pushon së menduari si autor forme; përkundrazi, merr një instrument shumë më të madh se studioja: bashkinë, qeverinë, KKT-në, ligjin, lejen, investimin strategjik, propagandimin dhe mediatizimin e projektit. Në këtë pikë, shteti bëhet medium.
IX. Qytetari si spektator: psikosociologjia e pranimit
Asnjë model urban nuk imponohet vetëm nga lart. Edhe pushteti më i centralizuar ka nevojë për një nivel pranimi, heshtjeje, lodhjeje ose dorëzimi nga poshtë. Prandaj, për të kuptuar modelin Rama, nuk mjafton të analizohen lejet, kullat, sheshet, fasadat, studiot e huaja apo vendimet institucionale. Duhet kuptuar edhe psikologjia shoqërore që e bëri këtë model të pranueshëm për një kohë të gjatë.
Tirana e fillimviteve 2000 ishte një qytet i lodhur. Ajo kishte dalë nga komunizmi me një rend të ngurtë urban, por hyri në tranzicion me një çrregullim të pakontrolluar. Ndërtimet informale, shtesat, kioskizimi, mungesa e hapësirës publike, trafiku, pluhuri, varfëria materiale dhe mungesa e një estetike qytetare krijuan një ndjenjë të përgjithshme degradimi. Qytetari nuk kërkonte më vetëm plan; kërkonte shenjë se diçka po ndryshonte. Në këtë terren psikologjik, ngjyra e Ramës funksionoi si shok vizual. Ajo nuk e zgjidhi qytetin, por i dha qytetit ndjesinë se zgjidhja kishte nisur.
Ky është momenti i parë i pranimit: lodhja nga kaosi prodhon dëshirë për gjest të fortë. Kur qytetari është i lodhur nga mungesa e rendit, ai shpesh pranon një dorë të fortë estetike që i jep qytetit pamje, edhe nëse nuk i jep ende strukturë. Fasadizmi u pranua sepse erdhi në një kohë kur vetë ideja e bukurisë publike dukej e humbur. Ngjyra u përjetua si shpresë, sepse grija ishte bërë sinonim i dorëzimit.
Por pranimi i parë estetik krijoi një precedent politik. Ai e mësoi publikun se ndryshimi mund të vijë si imazh përpara se të vijë si proces. Në vend të planit, qytetari mori transformim të dukshëm. Në vend të pjesëmarrjes, mori spektakël. Në vend të debatit, mori rezultat të shpejtë. Dhe rezultati i shpejtë, sidomos në shoqëri të lodhura nga tranzicioni, ka një fuqi të madhe joshëse. Ai prodhon ndjesinë se dikush më në fund “po bën diçka”.
Kjo frazë, “po bën diçka” është një nga mekanizmat më të fortë të pranimit psikosocial. Ajo nuk kërkon domosdoshmërisht cilësi, drejtësi, transparencë apo qëndrueshmëri. Mjafton të ketë lëvizje, zhurmë, kantier, ngjyrë, fasadë, ceremoni, pllakë, projekt, render. Në një vend ku mosbërja ka qenë shpesh formë kalbëzimi, bërja, edhe kur është e gabuar, fiton moralitet. Kështu kritika ndaj mënyrës si bëhet paraqitet si refuzim i vetë bërjes.
Në këtë klimë lind ndarja e rreme midis “zhvillimit” dhe “kundërshtimit”. Pushteti e vendos debatin në terma moralë: nga njëra anë ata që duan ndryshimin, nga ana tjetër ata që duan ta mbajnë vendin peng. Kush kritikon kullën, paraqitet si armik i modernitetit. Kush mbron një vilë historike, etiketohet si nostalgjik. Kush kundërshton resortin në zonë të mbrojtur, quhet pengesë për turizmin. Kush kërkon transparencë, quhet zhurmues. Kush kërkon rregulla, quhet prapanik. Në këtë mënyrë, debati urban nuk zhvillohet mbi argumente, por mbi etiketime.
Ky mekanizëm funksionon sepse prek një plagë të thellë shqiptare: kompleksin e provincializmit. Pas dekadash izolimi, varfërie, tranzicioni dhe krahasimi poshtërues me Perëndimin, një pjesë e shoqërisë e sheh çdo objekt të madh, çdo studio të huaj, çdo kullë të lartë, çdo hotel luksoz, çdo fasadë xhami si dëshmi se “po bëhemi si jashtë”. Moderniteti nuk kuptohet si cilësi institucionale, si drejtësi urbane, si transport publik, si mbrojtje trashëgimie, si standard banimi, si barazi aksesi, por si ngjashmëri pamore me metropolet globale.
Këtu renderi bëhet armë psikosociale. Ai i tregon qytetarit jo atë që do të jetojë, por atë që duhet të dëshirojë. Në render nuk ka konflikt, nuk ka trafik, nuk ka hije të rëndë, nuk ka çmime të papërballueshme, nuk ka banorë të zhvendosur, nuk ka shkolla të mbingarkuara, nuk ka ujëra të zeza, nuk ka humbje kujtese. Ka qiell të pastër, njerëz të qeshur, fëmijë, gjelbërim të kontrolluar, dritë perfekte, fasada të ndritshme dhe një të ardhme të padiskutueshme. Renderi nuk është vizatim teknik; është propagandë e dëshirës.
X. Shpronësimi simbolik
Shpronësimi më i rëndë nuk është gjithmonë ai që regjistrohet në kadastër. Ka një shpronësim më të thellë, më të padukshëm dhe më të vështirë për t’u kundërshtuar: shpronësimi simbolik. Ai ndodh kur qytetarit nuk i merret domosdoshmërisht shtëpia, por i merret kuptimi i vendit ku jeton; kur nuk dëbohet fizikisht nga qyteti, por dëbohet nga e drejta për ta njohur atë si të vetin.
Në Shqipërinë e transformuar nga modeli Rama, qytetari shpesh mbetet në vend, por vendi nuk mbetet më i tij. Ai vazhdon të ecë në të njëjtat rrugë, por rrugët nuk i flasin më me të njëjtën gjuhë. Sheh të njëjtin shesh, por sheshi është kthyer në skenë. Sheh të njëjtin horizont, por horizonti është privatizuar nga kulla. Sheh të njëjtin bregdet, por bregdeti i shfaqet si projekt. Sheh të njëjtën qendër historike, por kujtesa e saj është çarmatosur, copëtuar ose zëvendësuar. Kështu, qytetari nuk humb vetëm hapësirë; humb përkatësi.
Ky është dëmi më i thellë urban dhe politik: qyteti ndryshon pa e pyetur atë që e jeton. Territori transformohet në emër të tij, por jo nga dora e tij. Pushteti flet për zhvillim, investim, modernizim, turizëm, arkitekturë bashkëkohore, por qytetari ndien se fjalët nuk përkojnë më me përvojën e tij. Ajo që quhet zhvillim mund të jetë për të humbje. Ajo që quhet modernitet mund të jetë për të huajësim. Ajo që quhet investim mund të jetë për të largim nga kujtesa.
Shpronësimi simbolik fillon kur vendi pushon së qeni marrëdhënie dhe bëhet imazh. Një lagje nuk është më lagje, por potencial ndërtimi. Një vilë nuk është më kujtesë, por pengesë. Një shesh nuk është më polis, por event. Një bregdet nuk është më pasuri e përbashkët, por destinacion. Një zonë e mbrojtur nuk është më kufi etik i shtetit, por mundësi për projekt strategjik. Në këtë çast, gjuha e pushtetit e zëvendëson gjuhën e vendit.
Ky zëvendësim është thelbësor. Sepse njeriu nuk lidhet me qytetin vetëm përmes pronës, por përmes kuptimit. Ai ka nevojë të njohë gjurmët e jetës së vet dhe të paraardhësve të vet në hapësirë. Ka nevojë për ndërtesa që mbajnë kujtesë, për rrugë që nuk ndryshojnë çdo dekadë sipas oreksit të kapitalit, për horizonte që nuk i rrëmbehen, për vende ku mund të qëndrojë pa konsumuar, për bregdet që nuk i paraqitet si luks i dikujt tjetër. Kur këto zhduken, njeriu nuk mbetet pa qytet fizikisht; mbetet pa atdhe brenda qytetit.
Kjo nuk është nostalgji. Nuk është dëshirë për ta ngrirë qytetin në të kaluarën. Përkundrazi, qyteti duhet të ndryshojë. Por ndryshimi nuk duhet të jetë dëbim i kujtesës. Zhvillimi nuk duhet të jetë fshirje e përkatësisë. Modernizimi nuk duhet të kërkojë që qytetari të heqë dorë nga e drejta për ta njohur vendin e vet. Një qytet mund të ndërtojë të renë pa poshtëruar të vjetrën; mund të rritet pa u bërë i huaj; mund të modernizohet pa u kthyer në dekor.
Modeli Rama e ka paraqitur shpesh transformimin si shpëtim nga prapambetja. Kjo është fuqia e tij retorike. Ai i thotë qytetarit: ose prano projektin, ose mbetesh në baltë; ose prano kullën, ose je kundër zhvillimit; ose prano resortin, ose nuk do turizmin; ose prano studion e huaj, ose je provincial; ose prano sheshin e kuruar, ose je nostalgjik i kaosit. Kjo është një formë dhune diskursive. Nuk të merret vetëm hapësira; të merret edhe e drejta për të kundërshtuar pa u turpëruar.
Në këtë mënyrë, shpronësimi simbolik ndodh përpara shpronësimit fizik. Fillimisht ndryshohet kuptimi i vendit. Vila nuk quhet më trashëgimi, por objekt i amortizuar. Boshllëku nuk quhet më frymëmarrje, por tokë e pashfrytëzuar. Peizazhi nuk quhet më pasuri publike, por potencial zhvillimi. Qendra nuk quhet më kujtesë, por zonë me mundësi të lartë investimi. Pasi ndryshohet emri, bëhet më e lehtë të ndryshohet edhe trupi.
Këtu qëndron mekanizmi më i rrezikshëm i pushtetit urban: ai nuk fillon me fadromë, por me fjalor. Pushteti fillimisht riemërton, pastaj ndërhyn. Riemërton shkatërrimin si rilindje, betonizimin si zhvillim, privatizimin si investim strategjik, përjashtimin si modernizim, rezistencën si pengesë. Kur gjuha pushtohet, hapësira bëhet më e pambrojtur.
Prandaj qytetari shqiptar sot nuk përballet vetëm me ndryshimin fizik të qytetit. Ai përballet me humbjen e të drejtës për të thënë: kjo hapësirë ka vlerë edhe pa u ndërtuar; kjo ndërtesë ka vlerë edhe pa qenë luksoze; ky bregdet ka vlerë edhe pa resort; kjo qendër ka vlerë edhe pa kullë; ky boshllëk ka vlerë sepse është i përbashkët.
Në fund, shpronësimi simbolik është gjendja kur qytetari jeton në qytetin e vet si i ftuar. Ai mund të kalojë në shesh, por nuk e ndien më si polis. Mund të shohë kullat, por ato nuk i flasin atij. Mund të ecë në bregdet, por vetëm aty ku projekti ia lejon. Mund të kujtojë vilat, kinematë, rrugët, sheshet dhe peizazhet, por gjithnjë e më shumë si fotografi të një vendi që është zëvendësuar.
Ajo që e bën shpronësimin simbolik kaq të prekshëm për qytetarin shqiptar nuk është vetëm fakti se qyteti po ndryshon, por fakti se po ndryshon shumë shpejt. Shpejtësia është pjesë e dhunës. Një transformim urban i shtrirë në disa dekada mund të tretet në kujtesën e brezave; njeriu e kupton ndryshimin vetëm kur kthehet pas në fotografi të vjetra ose kur i afrohet fundit të jetës. Por kur transformimi ndodh përditë, me ritëm kantieri, me fadroma, me rrethime, me kulla që ngrihen brenda pak muajsh, me rrugë që mbyllen, me vila që zhduken, me peizazhe që rrethohen, atëherë qytetari nuk e kujton humbjen; ai e përjeton atë në kohë reale.
Kjo është arsyeja pse dhimbja urbane bëhet e përditshme. Qytetari del nga shtëpia dhe sheh një tjetër gropë ndërtimi. Kalon në një rrugë ku dje kishte një ndërtesë të njohur dhe sot ka llamarina kantieri. Sheh horizontin e vet të ndryshojë nga muaji në muaj. Sheh dritën të zëvendësohet nga hija e një kulle. Sheh qendrën që nuk e njeh më. Sheh bregdetin që fillon të flasë me gjuhën e gardhit, resortit dhe projektit. Ai nuk ka kohë të krijojë marrëdhënie me qytetin e ri, sepse qyteti i ri nuk vjen si vazhdimësi; vjen si zëvendësim i shpejtë.
Në këtë kuptim, përjashtimi nuk është abstrakt. Ai ndihet në trup. Ndihet në ecje, në orientim, në frymëmarrje, në kujtesën e rrugës, në humbjen e pikave të njohjes. Qytetari nuk vuan vetëm sepse një objekt historik u prish, por sepse ritmi i prishjes i tregon se kujtesa e tij nuk ka peshë. Ai kupton se qyteti mund të ndryshohet më shpejt sesa ai mund ta mbrojë, më shpejt sesa ai mund ta kuptojë, më shpejt sesa ai mund ta vajtojë.
Kjo shpejtësi prodhon një lloj marramendjeje urbane. Njeriu nuk jeton më në një qytet që rritet, por në një qytet që i ikën. Çdo kthesë mund të mos jetë më si më parë; çdo truall i lirë mund të jetë kantieri i ardhshëm; çdo ndërtesë e ulët mund të jetë e përkohshme; çdo horizont mund të ketë afat skadence. Kështu, qyteti humbet besueshmërinë e vet si vendbanim. Ai bëhet i paqëndrueshëm psikologjikisht.
Në një urbanizëm të shëndetshëm, ndryshimi ka nevojë për kohë, ritëm, konsultim, kujdes dhe mundësi përshtatjeje. Në modelin e transformimit të shpejtë, këto mungojnë. Shpejtësia shërben për të krijuar fakt të kryer. Kur qytetari reagon, objekti është miratuar. Kur proteston, kantieri ka nisur. Kur kërkon dokumente, vendimi është marrë. Kur kupton çfarë po humbet, humbja ka ndodhur. Kjo është dhuna e faktit të kryer: qyteti ndryshohet me një ritëm më të shpejtë se demokracia.
XI. Hapësira si pushtet
Për ta kuptuar modelin Rama, nuk mjafton të numërohen kullat, lejet, projektet, vilat e prishura apo zonat e rrezikuara. Këto janë simptoma. Ajo që duhet kuptuar është marrëdhënia midis pushtetit dhe hapësirës. Sepse qyteti nuk është vetëm vend ku pushteti vepron; qyteti është një nga mënyrat si pushteti bëhet i dukshëm, i prekshëm dhe i përditshëm.
Henri Lefebvre, në idenë e tij mbi prodhimin e hapësirës, na ndihmon të kuptojmë se hapësira nuk është neutrale. Ajo prodhohet nga marrëdhënie ekonomike, politike, sociale dhe simbolike. Çdo shesh, rrugë, kullë, fasadë, park apo resort është rezultat i një vendimi mbi mënyrën si duhet të jetojnë njerëzit, çfarë duhet të shohin, ku duhet të kalojnë, çfarë duhet të kujtojnë dhe çfarë duhet të harrojnë. Në këtë kuptim, urbanizmi nuk është teknikë e pafajshme; është formë pushteti.
Modeli Rama mund të lexohet pikërisht si prodhim i një hapësire të komanduar nga imazhi. Në këtë hapësirë, qyteti nuk zhvillohet nga poshtë përmes nevojave dhe përdorimeve të tij, por projektohet nga lart si narrativë transformimi. Fasada, sheshi, kulla, resorti dhe peizazhi i kuruar nuk janë vetëm objekte fizike; janë deklarata mbi atë se çfarë duhet të jetë Shqipëria sipas pushtetit. Ato prodhojnë jo vetëm hapësirë, por edhe bindje.
Jane Jacobs, në kritikën e saj ndaj planifikimit modernist nga lart, mbronte jetën e përditshme të qytetit: rrugën, përzierjen e funksioneve, shkallën njerëzore, syrin e banorit, inteligjencën e lagjes. Ajo tregonte se qyteti nuk kuptohet nga tavolina e planifikuesit, as nga plani i madh, as nga skema abstrakte, por nga mënyra si njerëzit e përdorin atë përditë.
Tirana e kullave dhe e projekteve ikonike shkon në drejtim të kundërt me këtë ndjeshmëri. Ajo privilegjon pamjen nga lart, jo jetën në trotuar; objektin e veçantë, jo rrjetin e marrëdhënieve; transformimin e dukshëm, jo kujdesin e padukshëm; shenjën, jo përdorimin. Qyteti i parë nga droni mund të duket si sukses estetik, ndërsa qyteti i jetuar nga këmbësori mund të prodhojë lodhje, përjashtim, nxehtësi, mungesë hijeje, trafik dhe huajësim.
Guy Debord, me idenë e shoqërisë së spektaklit, ofron një tjetër çelës të rëndësishëm. Spektakli nuk është thjesht grumbull imazhesh; është mënyrë marrëdhënieje ku jeta ndërmjetësohet nga imazhi. Në qytetin spektakolar, qytetari nuk ftohet të marrë pjesë, por të shohë. Projekti, renderi, ceremonia, videoja promovuese, emri i studios ndërkombëtare dhe artikulli në mediat e huaja bëhen pjesë e një sistemi ku transformimi urban konsumohet si shfaqje.
Modeli Rama është thellësisht spektakolar në këtë kuptim. Ai nuk ndërton vetëm hapësira; ndërton ngjarje vizuale rreth hapësirave. Çdo projekt shfaqet si moment rilindjeje, si provë moderniteti, si skenë ku pushteti del përpara qytetarit dhe i tregon të ardhmen. Kështu, hapësira publike nuk është më vetëm vend i jetës qytetare, por vend i prodhimit të imazhit politik.
David Harvey, duke folur për të drejtën për qytetin, e zhvendos debatin nga forma te pushteti shoqëror. E drejta për qytetin nuk është vetëm e drejta për të hyrë në hapësirat urbane, por e drejta për të marrë pjesë në prodhimin e tyre. Nuk mjafton që qytetari të ecë në shesh; ai duhet të ketë të drejtë të ndikojë në atë që sheshi bëhet. Nuk mjafton që qytetari të shohë kullën; ai duhet të ketë të drejtë të pyesë pse ajo lejohet, kujt i shërben dhe çfarë i merr qytetit.
Në këtë kuptim, modeli Rama është problematik sepse e redukton të drejtën për qytetin në të drejtë për ta konsumuar qytetin e transformuar. Qytetari lejohet të përdorë rezultatin, por rrallëherë bëhet pjesë reale e procesit. Ai ecën në shesh, por nuk vendos mbi rrethimin vertikal të tij. Sheh bregdetin, por nuk vendos mbi të ardhmen e tij. Jeton në qytet, por nuk është bashkautor i qytetit.
XII. Çfarë nuk duhet mohuar
Një kritikë serioze ndaj modelit Rama nuk mund të fillojë duke mohuar çdo gjë që ai ka bërë. Përkundrazi, ajo bëhet më e fortë kur pranon se një pjesë e ndërhyrjeve të tij kanë pasur efekt real, madje në disa raste edhe pozitiv. Problemi nuk është se Rama nuk ka transformuar qytetin. Problemi është se mënyra si e ka transformuar e ka zhvendosur urbanizmin nga e përbashkëta te autorialja, nga procesi te imazhi, nga qytetari te spektatori.
Duhet pranuar, së pari, se Tirana e fillimviteve 2000 kishte nevojë për ndërhyrje. Qyteti ishte i lodhur, i zaptuar, i çrregulluar, i mbuluar nga shtesa, kioska, pluhur, informalitet dhe mungesë e një horizonti estetik. Ndërhyrja me fasadat, sado e diskutueshme sot, pati një efekt psikologjik të menjëhershëm: ajo i dha qytetit një sinjal se ndryshimi ishte i mundur. Në një mjedis të rënduar nga grija postkomuniste dhe kaosi i tranzicionit, ngjyra u përjetua si çlirim.
Por pikërisht këtu qëndron ambiguiteti. Ajo që në fillim mund të ketë funksionuar si terapi vizuale, më vonë u kthye në metodë qeverisjeje. Fasadizmi nuk mbeti episod; u bë mënyrë për të menduar qytetin. Ndryshimi filloi të kuptohej gjithnjë e më shumë si transformim i dukshëm, si shenjë, si imazh, si akt i shpejtë që prodhon efekt publik. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton të thuhet se fasadat ishin të mira ose të këqija. Duhet parë se çfarë kulture politike krijuan: kulturën ku pamja paraprin strukturën dhe shpesh e zëvendëson atë.
Duhet pranuar, së dyti, se Sheshi Skënderbej, në disa aspekte, e çliroi qendrën nga dominimi i makinës. Një qytet ka nevojë për hapësira këmbësore, për sheshe të hapura, për vende ku njeriu nuk është i shtyrë vazhdimisht nga trafiku. Në këtë kuptim, rikthimi i një hapësire të madhe publike në zemër të kryeqytetit nuk mund të hidhet poshtë thjesht si propagandë.
Por një shesh nuk gjykohet vetëm nga sipërfaqja e tij. Ai gjykohet nga marrëdhënia që krijon me qytetin përreth. Nëse një shesh këmbësor rrethohet gradualisht nga kulla, nga volum privat, nga objekte që e mposhtin shkallën njerëzore dhe nga një ekonomi qendre gjithnjë e më e paarritshme për qytetarin e zakonshëm, atëherë hapja horizontale në nivel toke shoqërohet me mbyllje vertikale në nivel simbolik. Qytetari fiton një shesh për të kaluar, por humbet qendrën si hapësirë të vetën.
Duhet pranuar, së treti, se hapja ndaj arkitekturës ndërkombëtare nuk është në vetvete problem. Një vend i vogël, i dalë nga izolimi, ka nevojë për shkëmbim, për dije të reja, për konkurse, për ide, për standarde profesionale dhe për dialog me botën. Nuk ka asgjë të gabuar që Tirana, Vlora, Durrësi apo qytete të tjera shqiptare të jenë në kontakt me studio të njohura ndërkombëtare.
Problemi fillon kur arkitekti i huaj përdoret jo si partner i një procesi publik, por si vulë legjitimuese e vendimit të marrë nga lart. Emri ndërkombëtar mund të kthehet në alibi për mungesën e transparencës lokale. Renderi i bukur mund të zëvendësojë debatin. Autoriteti i studios mund të heshtë kritikën e banorit. Kështu, ajo që duhej të ishte hapje ndaj botës kthehet në instrument për ta bërë qytetin më pak të aftë të flasë për veten.
Duhet pranuar, së katërti, se Shqipëria ka nevojë për zhvillim ekonomik, për turizëm, për investime, për infrastrukturë dhe për rritje të cilësisë ndërtimore. Nuk mund të mbrohet një romantizëm i varfërisë, ku çdo ndërhyrje e re shihet si tradhti dhe çdo projekt turistik si armik. Bregdeti shqiptar nuk mund të lihet në degradim informal, në ndërtime pa cilësi, në ndotje, në mungesë shërbimesh dhe në kaos sezonal.
Por pikërisht sepse zhvillimi është i nevojshëm, ai duhet të jetë më i kontrolluar, më i drejtë dhe më i përgjegjshëm. Një zonë e mbrojtur nuk është rezervë toke që pret investitorin e duhur. Një ishull nuk është produkt luksi. Një lagunë nuk është sfond për resort. Një vijë bregdetare nuk është pronë e qeverisë së radhës për t’u futur në paketën e modernizimit. Zhvillimi i vërtetë nuk matet vetëm me sasinë e investimit, por me atë që ruan, me atë që nuk prek, me atë që lë të përbashkët.
Pra, kundërargumentet nuk e rrëzojnë kritikën; e bëjnë atë më të saktë. Po, Tirana kishte nevojë për ndërhyrje. Po, fasadat patën efekt psikologjik. Po, sheshi pati dimension pozitiv si hapësirë këmbësore. Po, arkitektura ndërkombëtare mund të sjellë cilësi. Po, Shqipëria ka nevojë për investime. Po, transformimi nuk mund të shmanget.
Por asnjë nga këto nuk justifikon personalizimin e urbanizmit. Asnjë nuk justifikon çarmatosjen e trashëgimisë. Asnjë nuk justifikon kullëzimin pa balancë. Asnjë nuk justifikon trajtimin e peizazheve apo zonave të mbrojtura si truall projekti. Asnjë nuk justifikon përjashtimin e qytetarit nga vendimmarrja. Asnjë nuk justifikon kthimin e polis-it në skenografi.
XIII. Përfundim: Shqipëria si telajo e detyruar
Rama nuk duhet lexuar vetëm si politikan që ka ndryshuar Shqipërinë. Ai duhet lexuar si autor i një regjimi estetik-politik ku hapësira publike, qendra historike dhe peizazhi natyror trajtohen si materiale të disponueshme për gjest, imazh dhe kapital. Në këtë regjim, qyteti nuk është polis, por suport; qytetari nuk është bashkautor, por spektator; territori nuk është trashëgimi kolektive, por sipërfaqe për projekt.
Kjo është arsyeja pse kritika ndaj Ramës nuk duhet ngushtuar te shija. Nuk është çështja nëse një fasadë është e bukur, nëse një shesh është elegant, nëse një kullë është guximtare, nëse një studio e huaj është e famshme, nëse një resort duket luksoz. Këto janë pyetje dytësore. Pyetja kryesore është: çfarë i ndodh polis-it kur qyteti dhe territori përfytyrohen nga një autor qendror? Çfarë i ndodh qytetarit kur vendi i tij projektohet për t’u parë më shumë sesa për t’u jetuar? Çfarë i ndodh kujtesës kur historia bëhet dekor i zhvillimit? Çfarë i ndodh natyrës kur peizazhi quhet potencial investimi? Çfarë i ndodh demokracisë kur urbanizmi kthehet në fakt të kryer?
Përgjigjja është e rëndë: qytetari mbetet fizikisht i pranishëm, por politikisht i zvogëluar. Ai ecën në shesh, por nuk është bashkautor i tij. Sheh kullën, por nuk ka vendosur mbi hijen që ajo hedh. Kalon pranë qendrës historike, por nuk e ka mbrojtur dot kujtesën e saj. Sheh bregdetin, por e ndien se ai po përkthehet në gjuhë që nuk është më e përbashkët. Jeton në qytet, por qyteti nuk e pyet më.
Ky është shpronësimi simbolik. Jo vetëm marrja e tokës, por marrja e kuptimit. Jo vetëm prishja e një ndërtese, por prishja e marrëdhënies së qytetarit me vendin. Jo vetëm humbja e një vile, por humbja e vazhdimësisë. Jo vetëm ndërtimi i një kulle, por privatizimi i horizontit. Jo vetëm rrethimi i një peizazhi, por përjashtimi i publikut nga e drejta për ta imagjinuar atë ndryshe.
Dhe ky shpronësim bëhet edhe më i dhimbshëm sepse ndodh shpejt. Shumë shpejt. Qytetari nuk e zbulon në fund të jetës se qyteti i tij ka ndryshuar; ai e sheh përditë duke iu larguar. Sheh kantierin aty ku dje kishte kujtesë. Sheh llamarinat aty ku kishte rrugë. Sheh kullën teksa ngrihet brenda muajsh dhe ia ndryshon dritën. Sheh qendrën që bëhet e panjohshme para se ai të ketë kohë ta kuptojë. Kjo shpejtësi është pjesë e dhunës: transformimi ecën më shpejt se debati, më shpejt se kujtesa, më shpejt se vajtimi, më shpejt se demokracia.
Këtu qëndron dimensioni më i errët i modelit: ai nuk ndryshon vetëm hapësirën, por edhe kohën qytetare. Pushteti dhe kapitali lëvizin me ritmin e vendimit, lejes, kantierit, renderit, shitjes. Qytetari lëviz me ritmin e jetës së përditshme, të kujtesës, të lidhjes emocionale, të nevojës për të kuptuar. Kur këto dy ritme përplasen, fiton ai që ka makinerinë. Qytetari mbetet gjithmonë vonë. Kur reagon, vendimi është marrë. Kur proteston, kantieri ka nisur. Kur kupton humbjen, objekti ka rënë. Kur kërkon të drejtën, fakti i kryer është ngritur në beton.
Prandaj kjo shkrim-dosje nuk është kundër zhvillimit. Është kundër zhvillimit si pushtim. Nuk është kundër arkitekturës bashkëkohore. Është kundër arkitekturës kur ajo përdoret për të mbytur qytetin. Nuk është kundër investimit. Është kundër investimit kur ai trajton të përbashkëtën si boshllëk për përfitim. Nuk është kundër ndryshimit. Është kundër ndryshimit që ndodh pa qytetarin, mbi qytetarin dhe më shpejt se qytetari.
Në fund, Rama duhet lexuar si simptomë dhe si autor. Si simptomë e një vendi me institucione të dobëta, me uri për modernitet, me kompleks provincial, me kujtesë të pambrojtur dhe me kapital ndërtimor agresiv. Por edhe si autor i një modeli ku këto dobësi janë shndërruar në metodë qeverisjeje. Ai nuk e shpiku i vetëm oreksin për ndërtim, por i dha formë, gjuhë, imazh, legjitimitet dhe ritëm. Ai nuk është i vetmi përgjegjës për shkatërrimin urban të Shqipërisë, por është figura që e ka estetizuar dhe centralizuar atë në mënyrën më të dukshme.
Tragjedia është se gjithçka paraqitet si e ardhme. Kulla është e ardhme. Resorti është e ardhme. Fasada është e ardhme. Sheshi është e ardhme. Studioja e huaj është e ardhme. Investitori strategjik është e ardhme. Por e ardhmja që nuk negociohet me qytetarin është vetëm emri tjetër i pushtetit. Një vend nuk bëhet modern kur pranon çdo gjë që vjen me gjuhën e së ardhmes. Bëhet modern kur di të thotë edhe jo: jo mbi qendrën historike, jo mbi peizazhin e mbrojtur, jo mbi hapësirën publike, jo mbi kujtesën, jo mbi qytetarin.
Sepse urbanizmi fillon pikërisht aty ku pushteti pranon kufi. Aty ku arkitekti dëgjon vendin. Aty ku investitori ndalet përballë të përbashkëtës. Aty ku kryeministri nuk është urbanisti i vetëm. Aty ku qytetari nuk është spektator, por bashkautor. Aty ku boshllëku nuk shihet si mungesë, por si frymëmarrje. Aty ku peizazhi nuk është mall, por trashëgimi. Aty ku sheshi nuk është skenë, por polis.
Shqipëria nuk ka nevojë për një autor të vetëm. Ka nevojë për institucione që dinë të dëgjojnë, për qytete që rriten pa harruar, për arkitekturë që ndërton marrëdhënie dhe jo vetëm imazh, për zhvillim që njeh kufij, për modernitet që nuk kërkon të poshtërojë kujtesën. Ka nevojë të dalë nga logjika e telajos së detyruar.
Vendi nuk është kanavacë personale. Qyteti nuk është doodle. Peizazhi nuk është suport telajoje. Sheshi nuk është skenë personale. Bregdeti nuk është render. Qytetari nuk është publik ekspozite.
Shqipëria është polis. Dhe polis-i nuk vizatohet nga një dorë e vetme.
© SYRI.net