Lajmi i fundit

Vrasja e çiftit të moshuarve në Dropull, tre persona shoqërohen në polici

Marrëveshja e Ramës për klandestinët është vetë klandestine në Shqipëri!

Marrëveshja e Ramës për klandestinët është vetë klandestine në Shqipëri!

Nga Bujar Leskaj - 08/11/2023

Edi Rama, kryetari i sektit në qeverisje në Shqipëri, në vizitën e tij në Romë nënshkroi me Kryeministrjen e Italisë Giorgia Meloni, marrëveshjen për krijimin në Shqipëri, përkatësisht në Shëngjin dhe në Gjadër, të dy qendrave pritjeje të refugjatëve që kapen në Itali dhe janë në pritje të miratimit ose jo të statusit si azilant.

Marrëveshja ka ngritur një frymë kundërshtimi, shqetësimi dhe pakënaqësie në Evropë dhe në të gjithë botën. Po përse?

Së pari, kjo marrëveshje është në kundërshtim flagrant me frymën dhe rregullat e Direktivës Nr. 2013/32/BE të Parlamentit dhe Këshillit Evropian të datës 26 qershor 2013 “Mbi procedurat e përbashkëta për dhënien ose refuzimin e statusit të refugjatit”  (https://eur-lex.europa.eu/eli/dir/2013/32/oj).

Kjo Direktivë flet qartë. Vendi anëtar i Bashkimit Evropian, i cili pret në tokën e tij një të ardhur në mënyrë klandestine nga një vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian, i kryen procedurat e dhënies ose refuzimit të statusit të azilantit brenda territorit të vet.

Pikërisht në frymën e kësaj Direktive, Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, u tha gazetarëve në Bruksel se “Nëse keni një anije brenda territorit, atëherë keni rekomandimin e procedurës së azilit te Direktives se Parlamentit Evropian, i cili zbatohet”.

Kjo nënkupton se kushdo që kapet në ujërat që i përkasin një vendi anëtar të BE-së, gëzon të drejtën të kërkojë azil atje, dhe jo të transferohet në një vend të tretë. 

Sipas gazetës amerikane “Kohët e Los Anxhelosit” (https://www.latimes.com/world-nation/story/2023-11-07/migration-experts-say-italys-deal-to-have-albania-house-asylum-seekers-follows-worrying-trend), Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian, sugjeroi se marrëveshja mund të rezultojë problematike, nëse Italia dërgon emigrantët e gjetur në ujërat territoriale të BE-së, në një vend jo anëtar të BE-së.

Së dyti, Drejtoresha e Asociuar e Institutit të Politikave të Migracionit në Evropë, Camille Le Coz, cilësoi se "Marrëveshja Meloni-Rama është pjesë e një tendence më të gjerë drejt eksternalizimit të politikës ndaj emigrantëve”. Ajo vuri në dukje se Danimarka dhe Britania e Madhe, vende të cilat u përpoqën të zhvendosnin azilkërkuesit ne territoret e tyre në Ruandë, përpara se të ndërhynte një gjykatë apeli, deri më tani nuk kanë arritur të zbatojnë masa të ngjashme. “Eshtë një politikë që e shoh paksa teatrale, por që në praktikë nuk e shoh se si do të zbatohet”, theksoi Le Coz.

Ligjvënësit danezë dy vjet më parë, votuan në favor të krijimit të një qendre të pritjes së refugjatëve në Ruanda në Afrikë. Por ideja u kritikua si minuese e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe që atëherë është lënë në pritje. Britania e Madhe bëri një marrëveshje të ngjashme me Ruandën, e cila është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.

Së treti, ekspertët ndërkombëtarë të emigracionit shohin shumë çështje problematike ligjore dhe juridiksionale me propozimin e Italisë dhe marrëveshjen e nënshkruar në Romë. Për shembull, emigrantët e shpëtuar në det nga një anije italiane, gjenden teknikisht në territorin italian. Nëse ata njerëz zbarkojnë më pas në Shqipëri, ky akt bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me të drejtën europiane.

Marrëveshja, siç është përshkruar deri më tani, nuk trajton gjithashtu se si Shqipëria do të arrije të dërgoje emigrantët në vendet e tyre të origjinës, pas refuzimit të dhënies së statusit të refugjatit, kur ndërkohë vetë Italia e ka shumë të vështirë ta bëjë këtë.

Së katërti, në një deklaratë të ashpër në CNN, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit(IRC) u shpreh se marrëveshja “i jep një goditje të mëtejshme parimit të solidaritetit të BE-së”. Ekspertë të njohur të jurisdiksionit ndërkombëtar dhe migracionit shprehen se marrëveshja Meloni-Rama i bën jehonë marrëveshjes së diskutueshme të Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruanda, e cila ka qenë e zhytur në sfida ligjore që nga fillimi i saj. Sipas tyre, një pikepyetje e madhe lind mbi zbatimin e juridiksionit italian në Shqipëri, pasi mbetet e paqartë se si njerëzit mund të kenë akses në azil dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore, në një territor jashtë BE-së.

xxx

Për shumë ekspertë të ligjit ndërkombëtar dhe të Acquis Communautaire, marrëveshja Rama-Meloni përfaqëson një pakt monstruoz, i cili i shkel të gjitha ligjet ndërkombëtare për emigracionin, si dhe ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Ajo sfidon strukturat ligjore ekzistente dhe shpërfill kriteret me të cilat do të bëhet përzgjedhja e refugjatëve në anije. Nuk i përgjigjet pyetjes themelore se cila strukture do të sigurojë respektimin e të drejtave themelore të njeriut për refugjatët që do të trajtohen në anijet ushtarake italiane dhe që do t’i sjellin në Shqipëri?  Marrëveshja nuk zgjidh se cili autoritet do të bëhet gjykatësi, në çdo rast, se si do të ndahen dhe trajtohen refugjatët nga vende të ndryshme.

Rama, i ashtuquajturi “Lider Global”, u shpreh në Romë se “Unë dhe Shqipëria po e nënshkruajmë këtë marrëveshje”. Jo more zotëri kryetar sekti! Ti nuk je Shqipëria!

Kjo marrëveshje për klandestinët është vetë klandestine këtu në Shqipëri! Ajo nuk është diskutuar as në Kuvend, as edhe madje në qeveri. Nuk është marrë opinioni i Komisionit Parlamentare të Sigurisë. Nuk është pyetur Këshilli i Sigurimit Kombëtar, i drejtuar nga Presidenti i Shqipërisë. Prandaj dhe kjo marrëveshje për qytetarët shqiptare është realisht një nulitet!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco