Manual praktik për gazetarët përballë Kryeministrit

Manual praktik për gazetarët përballë Kryeministrit

Nga Genc Pollo - 28/08/2023

Mbasi pashë në internet video nga pyetje-përgjigjet në konferencën e shtypit të kryeministrit Rama të premten (25 gusht) po shkruaj një shënim me shpresë se mund të jetë i dobishëm për gazetarë profesionistë e kurajozë. Për sot dhe për nesër e pasnesër. 

Rama duke theksuar pa mbarim e formalisht me të drejtë përgjegjësisë personale të vartësve të tij (të kapur në keqbërje nga gjyqësori) rrekej në fakt të evitonte përgjegjësinë e vet personale dhe institucionale. 

Nëse gazetarët që ndjekin skandalet e fundit kanë mbaruar me pyetjet konkrete faktet dhe duan të fokusohen tek përgjegjësia personale e poltikanëve përgjegjës dhe te pasojat konkrete në vijim të kësaj përgjegjësie personale atëhere lipset të bëjnë nga një pyetje konkrete, të thjeshtë e të fokusuar e konkrete. Me premisën e sforcuar se Rama ishte nisur për mirë porvetëm muajt fundit po e kuptonte se që nga v.2014 e pas shpinës së tij dhitë qeveritare kishin mësyrë në pemishte. 

Disa shembuj më poshtë: 

1- Zoti kryeministër! A duhej të ndërhynit ju me auditin tuaj kur për abuzimet e korrupsionin që sot zbardh akuza penale para disa vitesh ngriti alarmin opozita? Ose  aksh OJF ? Ose Kontrolli i Lartë i Shtetit? 

2-Pse duhej të priste një kryeministër dorëjashtë prangat e akuzat mbi ministrat e tij për të kuptuar se cfarë kishte ndodhur? Dmth për të kuptuar se cfarë kishte firmosur e shkaktuar? 

3- Qeveria juaj ka kundërshtuar nismën për pezullimin e sekuestrimin e në rastin e PPP-ve korruptive me shpjegimin se rrezikohej arbitrazhi (për Agon Channel nuk kishit druajtje). Por tani që kjo u bë jo me nismën tuaj por me nismën e një organi jashtë qeverisë a ndjeheni keq? A mendoni që ju thjesht gabuat? Apo ndikuan interesa të caktuara?

4- Ju i keni quajtur inceneratorët “krenaria ime”. A e dinit atë kohë që koncesionari në arrati arkëtonte miliona taksapará dhe nuk ka ndërtuar edhe sot një incenerator si p.sh. në Tiranë? 

5- Me njohuritë e sotme do e tërhiqini shprehjen “krenaria ime”? 

6- A quani normale që personat të cilët sipas aktakuzës janë të përfshirë dhe me gjasë me përgjegjësi në dy skandalet “inceneratorët” e “sterilizimi” të vazhdojnë të jenë ministra, deputetë në grupin PS dhe drejtorë në kryeminstrinë tuaj?

A mos duhet ndonjë lëvizje e ndryshim aty për të ruajtur besimin e publikut tek këto institucione dhe për të mbrojtur nga risku paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe europianë? 

Po e ndërpres këtu me një gjysëm dyzine pyetje. Gjithkush mund të vazhdojë të shtojë pyetje si t’ja marri mendja. Edhe më e rëndësishme është që këtë ta bëjnë gazetarët. Dhe që t'oa drejtojnë pyetjet Ramës në mundësinë e parë; nëse do e kenë e kurdo që t’a kenë. Edhe pse me gjasë  kryeministri do të japë përgjigje pa përgjigje. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco