Referendum për Asociacionin serb në Kosovë

Referendum për Asociacionin serb në Kosovë

Nga Sonila Meço - 04/06/2023

Serbia është duke përjetuar protesta të fuqishme, 5 të tilla në një muaj. Dhjetëra mijëra protestues të opozitës kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, si edhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive të cilat, sipas tyre promovojnë dhunën dhe mbështesin figurat e krimit.

Njëkohshëm Vuçiç ndodhet nën presion ndërkombëtar mbi dhunën e ushtruar në veri të Kosovës ndaj forcave të KFOR-it për të penguar hyrjen në zyra të të zgjedhurve për drejtimin e komunave atje, nga një proces votimi i njohur dhe mbështetur nga ndërkombëtarët.

Në kulmin e presionit si në morsë ndaj Vuçiç-it dhe Beogradit, vijojnë intensivisht intervistat në mediat ndërkombëtare të kryeministrit shqiptar, që sulmon e kundërshton kryeministrin e Kosovës.

Enkas nuk po vendos emrat e zyrtarëve të lartë shqiptarë, për t’i konsideruar si institucione në analizë. Asnjë logjikë diplomatike a gjeopolitike nuk e justifikon qëndrimin zyrtar të Tiranës në mediat ndërkombëtare ndaj Prishtinës. Çfarë po i kumton audiencës e publikut ndërkombëtar kryeministri shqiptar, kur kronikat në lajmet e vendeve të tyre dëshmojnë si dhunën serbe ndaj forcave të KFOR-it, si protestat ndaj pushtetit në Serbi? Se ka tjetër ndikim një qëndrim i kryeministrit shqiptar përtej dyerve të mbyllura të diplomacisë dhe tjetër ndaj publikut të gjerë në Europë dhe SHBA.

Por përtej kësaj sjelljeje poshtëruese të një kryeministri shqiptar ndaj një tjetër kryeministri shqiptar në ditën më të keqe për presidentin e Serbisë, ka një dinamikë ku vetë ndërkombëtarët ndjejnë peshën e zgjidhjeve të tyre të dobëta, kontroverse, jo vizionare. Dhe këtu do duhej, që Tirana e Prishtina zyrtare të kishin konsensus të fortë për të fuqizuar mundësinë negociuese në favor të shqiptarëve në rajon. Këtë logjikë nuk e ndjek as opozita në Kosovë, megjithëse një marrëveshje e vitit 2013 për Asociacionin e Komunave Serbe është nënshkruar nga njerëz të saj e ku kryeministri aktual dhe forca e tij politike kanë qenë kundër.

Ndaj puritanë në këtë histori nuk ka. As thirrjet për dorëheqje të kryeministrit të Kosovës nuk zgjidhin gjë, sepse mungesa e koherencës tek ata që pretendojnë t’i zënë vendin nuk garanton zgjidhje më të mirë.

Ndaj këtu duhet të flasë vetë populli, shqiptarët. Me një referendum, që tejkalon kokëfortësinë vetmitare të Kryeministrit të Kosovës, këmbënguljen e liderëve të opozitës të motivuar nga mundësia për pushtet dhe turizmin e kryeministrit shqiptar në mediat ndërkombëtare për interesa jo transparente. Referendum për çfarë duan shqiptarët e jo thjesht marrëveshje të nxituara nën presion ndërkombëtar, që e kanë dëmtuar Kosovën e paqen e rajonit dhe kanë bindur vetë ndërkombëtarët për lëmshin e gatuar me receta interesash momentale e lobizmi.

Një lëshim sot për Asociacionin mund të na lërë rrezikun e luftërave nesër siç ndodhi me konfliktin ruso-ukrainas. Një mungesë koordinimi me aleatët strategjikë sot, mund të na kushtojë izolimin nesër. Dhe me fitilin gati, një Zot e di nëse do mund të na shpëtonin si në 1999-ën.

Ndaj për mos të kërkuar zgjidhjen e nyjës nga kushdo e krijoi, a nuk do ishte më dinjitoze t‘i drejtohen popullit me referendum? Që askush mos flasë më në emër të tij. Çfarë duhet bërë me Asociacionin, të vetmen gozhdë ku i bie çekiçit Vuçiç për të gëzuar mbështetje të dyfishtë, Perëndimore dhe të Rusisë.

Që edhe të kuptojmë një herë e mirë nëse ndarja e kufijve është opsion i tryezave diplomatike. Dhe mbi të gjitha, që marrëveshjet e ardhshme mos shohin veç përfitimin e ditës së nënshkrimit, por të garantojnë paqen. Se tjetër gjë të fitosh luftën e tjetër të arrish paqen.

E bëjnë ndërkombëtarët këtë në vendin e tyre? Çfarë presioni do ushtronte publiku në vendet respektive?

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco