Mafia po konkurron si dërgatë e qeverisë në zgjedhjet lokale të 14 majit

Mafia po konkurron si dërgatë e qeverisë në zgjedhjet lokale të 14 majit

Nga Basir Çollaku - 12/04/2023

Tritoli ndaj Bernard Ndrecës, kreut të Partisë Demokratike në Vaun e Dejës, është tregues se mafia nuk do të dorëzojë pushtet me votë. Kanosje për shkak të detyrës politike, tha Ndreca para kamerave, duke mohuar të ketë telashe individuale, ndërsa policia, prokuroria, ende nuk janë marrë vesh me pushtetin për versionet e tyre. Kjo është qeverisje me kapuç, një ngjashmëri çetash hajdute, plaçkitëse, pengmarrëse, gjobëvënëse, duke mos njohur ndalesë para etjes së pushtetit. Lufta nuk është thjesht zgjedhore, elektorale, alternativash, votash, demokracie. Jo. Ne gjendemi në zgripin e pahasur asnjëherë në këto 3 dekada. Jemi në shtegun e përballjes për të mos vdekur nga mafia. Ajo është në garë. Ajo kandidon. Ka përfaqësuesit e saj, paratë e saj, investimet e saj, njerëzit e saj. Në Kuvend, drejtësi, qeveri, media, fundja kjo është forma e Mafias së Re. Nxirr në fasadë përfaqësues të ‘pastër’, dërgoji në zyra publike, se i mbajnë në këmbë paratë e pista. Ndaj mesazhet me eksploziv, me rrezik jete, janë një leje e Don Kryeministrit, të cilin ata nuk e lënë të ikë, sepse rregullat e Omerta-s, e dinë gjuhën e mospranimit.

14 maji me këtë hartë ngjarjesh, është së pari një betejë e domosdoshme për të mundësuar ekzistencën dhe zhvillimin e zgjedhjeve, ndarjen nga emërimet, përpjekje për të votuar dhe mos prekur vullnetin e qytetarëve. Agresiviteti i qeverisë-parti është në rritje, duke dëshmuar rrezikun serioz të fotokopjes elektorale, nga të njëjtët administratorë të proceseve të këtyre 10 viteve, ku pjesa më e madhe janë emra dosjesh hetimore. Tenderët me porosi e fitues të përcaktuar janë shtuar më shumë se trafiku i makinave në Tiranë, presioni ndaj administratës po bëhet dhunë e përditshme, hedhja në terren për blerjet e opozitarëve janë shënjestra të çdo ore. Gjoba ndaj bizneseve jo sevdallinj të PS, janë kërcënime të hapura thuajse çdo ditë. Paraja kriminale, e trafikut të drogave, korrupsionit, call-centerave, off-shoreve, është me prani të shtuar në qarkullim, me synim përfitimi me çdo kusht të mbajtjes së qyteteve të pushtuar nga organizata kriminale, pushtetmbajtëse nga vitit 2013-të.

Në një biznes shfaqet vëllai i Edi Ramës, në një tjetër baxhanaku, pak më tutje vajza zonjës së tij, diku matanë djali, më pas struktura vijon me lidhje të së shkuarës, rrethuese të këtij grupimi. Nuk mungon nxjerrja e kandidatëve teorikisht djathtas, të punësuar majtas, si skemë e vjetër në kohë të reja. Paratë për të mbuluar shpenzimet e përfitimet nuk kursehen. Organizata ka mjaftueshëm, për të vetët dhe kundërshtarët e sajuar.

Pyetja thelbësore me dukshmëri të madhe është:

A po konkurron mafia në zgjedhjet e 14 majit??!! Fakte, dëshmi, ndodhi, emra, qarkullime parash, lidhjet, mënyra se si po sillet, reagon e vepron pushteti, e kanë përgjigjen pohuese thuajse të panegociueshme.

Qasja e institucioneve nuk është aq e fortë, drejtpërdrejtë, sa realiteti kërkon. Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë për medien italiane ndër të tjera deklaroi se në 10 vitet e fundit ka një rritje të trafikut të kokainës në Shqipëri, si pasojë e lidhjeve të forta që organizatat kriminale shqiptare kanë vendosur me kartelet e drogës nga Ekuadori, Kolumbia, Peruja, Brazili dhe Meksika. Pyetjes nëse kemi mafia shqiptare, zoti Dumani duke marrë si model krahasues atë italiane, si Cosa Nostra, Ndrangheta, Camorra apo Sacra Corona Unita, shprehet se ne nuk gjendemi në këtë natyrë dhe përmasë. Megjithëse ka një shpërthim territorial, financiar, ekonomik, sërish kreu i Prokurorisë së Posaçme ndan mendimin se nuk kemi banda në dimensionet e mafia-s. Studiuesit e cilësojnë mafien si "organizatë pushteti", duke vënë në dukje se ekzistenca e saj nuk varet nga të ardhurat e shumta nga veprimtaritë e saj ilegale, por nga bashkëpunëtorët që kanë, pozita në institucione të ndryshme shtetërore, sidomos politikanë.

Dosjet të Krimeve të Rënda dje, e të Prokurorisë së Posaçme sot, flasin qartësisht se po. Ne kemi mafia. Dhe ajo po konkurron në zgjedhje.

Kemi një organizatë kriminale, mafioze, si ajo e inceneratorëve, me një dëm 1 miliardë dollarë, ku ka ministra, sekretar të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, ku është firmëtar edhe kryeministri, kur ka deputetë në qeli, disa zyrtarë të tjerë të arrestuar. Ato para janë përdorur nga zgjedhjet e 2017 e sërish nuk reshtin. Aty është kryebashkiaku Erion Veliaj, çuditërisht ende kandidat, por si pjesë e kësaj dosje. Gjendet diku, dikush urdhërues për moshetimin, e mosmarrjen e tij të pandehur, ashtu si faktet përcaktojnë të kundërtën. Janë sërish Veliaj dhe Rama të përmendur në dosjen e Ndranghetës, procedimin penal nr 17 të vitit 2020, ku Mafia e Ndrangheta-s, matanë detit, kërkonte dhe kishte ujdisur ndërtimin e pallateve shumëkatëshe në qendër të Tiranës, ku lejet mundësohen nga Rama dhe Veliaj. Janë ministra e kryebashkiakë sërish garues me 14 maj, si Durrës, Krujë, Fier, Mallakastër, me dosje të rënda penale, vizitorë çdo javë në prokurori. Ndërtim, turizëm, industri e lehtë, lojëra fati, janë adresat e pastrimit ku paratë e organizatave kriminale gjejnë strehë. Natyrisht investitorë strategjikë ku bën pjesë bashkëshorti ministres Xhaçka, apo privatizimet e bazave detare në Sarandë e Shëngjin, ku sërish zonja ministre është duke dhënë hesape në SPAK, nuk janë tërësisht rastësi. Ministrat Tahiri, Koka, e deputeti Bllako në qeli, deputeti ish-zëvendëskryeministër Arben Ahmetaj në prag arresti, ish-ministri Ilir Beqja e ish-ministri Damian Gjiknuri në hetime. Gjashtë kryebashkiakë konkurrues përsëritës për 14 majin me telashe të vjetra e të reja penale në botën e krimit, kanë mundur Ramën për të qenë aty ku ishin. Humbja e 120 milionë eurove në arbitrazh me Beketin, dosje të shumta në miliarda në radhë në këtë gjykatë, ku paguajnë qytetarët, padia e re e gjermanëve, për Portin e Durrësit, janë një faliment institucionesh përballë mafias. Të gjithë marrëzitë e mazhorancës kanë një përgjigje. Mafia po konkurron përsëri me 14 maj për të mos lëshuar pushtetin!!! Kush qëndron pranë, në prehër, në krah, në errësirë, apo portofol, është çirak i saj për llogari të saj...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco