Si duhet t’u përgjigjet Perëndimi kërcënimeve të Putinit?

Si duhet t’u përgjigjet Perëndimi kërcënimeve të Putinit?

Nga Mark Galeotti - 07/10/2022

Është e qartë që Vladimir Putin dëshiron që ne ta shohim si një i çmendur që mund të përdorë armë bërthamore taktike në Ukrainë. Kjo frikë u intensifikua këtë javë kur u shfaqën imazhe që disa – ndoshta gabimisht – i besonin se ishin të një treni të përdorur nga forcat sekrete të sigurisë bërthamore që lëvizte drejt Ukrainës. Pavarësisht kësaj, shumë besojnë se gjasat e një sulmi bërthamor mbeten jashtëzakonisht të ulëta. Megjithatë, kërcënimi është i mjaftueshëm që ta bëjë Perëndimin të shqyrtojë përgjigjet e mundshme nëse Putin do të përdorte armët bërthamore.

Rusia ka rreth 1,900 armë bërthamore jo-strategjike (NSNW), nga predha artilerie deri te mbushje luftarake për raketa; rendimenti i tyre varion nga vetëm 0.5 deri në 100 kiloton, më shumë se dyfishi i fuqisë së bombës që shkatërroi Nagasakin. Megjithatë, Rusia nuk ka bërë prova me predha bërthamore në manovra ushtarake që më 1990, dhe ne as nuk e dimë se sa prej tyre janë ende të përdorshme.

Putin ka një sërë opsionesh përveç goditjes së drejtpërdrejtë të Ukrainës, që nga fillimi i përgatitjes së mbushjes bërthamore deri te shpërthimet demonstruese në tokën apo ujërat ruse. Megjithatë, nëse përdoren NSNW, qëllimi i tyre nuk do të ishte dhe aq dominimi në fushën e betejës – Kievi nuk ka gjasa t’i grumbullojë forcat të gjitha në një vend – se sa shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake ose civile të Ukrainës, dhe mbi të gjitha terrorizimi i tyre. Shpresa do të ishte që Kievi të tërhiqej ose të dorëzohej, ose që Perëndimi i tmerruar do ta detyronte të ulej në tryezën e bisedimeve.

Nuk ka gjasa që secili prej skenarëve të ndodhë, por frika se Putini mund të besojë se kjo do të funksiononte është ajo që i mban zgjuar natën planifikuesit strategjikë. Lloji i masave të cilat ose do të demonstrohen për të penguar këtë lloj skenari ose përndryshe do të zbatohen si përgjigje, ndahen në katër kategori kryesore.

Së pari do të vinte hakmarrja ushtarake. Ndërsa Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë angazhim zyrtar për mbrojtjen e saj, ekziston një pikëpamje e fortë në shumicën e kryeqyteteve perëndimore se një veprim i tillë nuk mund të mbetet i pandëshkuar. Rusisë do t'i duhet të vuajë atë që këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA, Jake Sullivan i quajti së fundmi “pasoja katastrofike”.

Nuk ekziston përshtypja që NATO do të dëshironte – ose do të kishte nevojë – të përgjigjej me të njëjtën monedhë. Në vend të kësaj, ajo do të përdorte epërsinë e saj të qartë në fuqinë ajrore dhe raketat me rreze të gjatë, të drejtuara me saktësi, për t'i dhënë një goditje masive kapaciteteve ushtarake ruse dhe objektivave potencialisht simbolikë politikë. Ish-drejtori i përgjithshëm i CIA-s, David Petraeus, ka folur, për shembull, për një “përpjekje të kombinuar që do të nxirrte jashtë loje çdo forcë konvencionale ruse që mund të shohim dhe identifikojmë në front, në Ukrainë, në Krime, si dhe çdo anije në Detin e Zi”.

Objektiva të tjerë të mundshëm mund të përfshijnë çdo anije ruse në Detin Baltik, si dhe instalime në enklavën shumë të militarizuar të Kaliningradit, midis Lituanisë dhe Polonisë. Synimi ka të ngjarë të jetë të degradojë sa më shumë të jetë e mundur dhe me sa më gjakderdhje kapacitetin ushtarak rus, duke shmangur ndërkohë dhënien e përshtypjes se Perëndimi planifikon të shkojë më tej dhe të përbëjë një kërcënim ekzistencial për Rusinë. Kjo, në fund të fundit, mund ta fuste Moskën dhe NATO-n në një rreth vicioz përshkallëzimi. Sipas një burimi gjerman të mbrojtjes, radarët e paralajmërimit të hershëm, si ata në Lekhtusi, afër Shën Pjeterburgut, dhe në Dunajevka në Kaliningrad, nuk do të goditeshin, që Kremlini të mos mendonte se ky ishte preludi i një sulmi me raketa bërthamore.

Perëndimi ka edhe një numër mjetesh “jo-kinetike” për të ndëshkuar Rusinë për çdo përshkallëzim të tillë. Është e qartë se sanksionet ekonomike do të rriteshin më tej, por këto janë masa afatgjata. Shumë më të menjëhershme mund të jenë sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike kombëtare, të tilla si sistemet që kontrollojnë fluturimet e brendshme ruse dhe, mbi të gjitha, hekurudhat. Më shumë se 90 për qind e të gjitha mallrave të transportuara brenda vendit udhëtojnë me hekurudhë, duke përfshirë pjesën më të madhe të furnizimit me ushqime. Çdo ndërprerje në këto sisteme, sado e përkohshme, do t’ia demonstronte këtë dobësi jo vetëm Putinit, por gjithë vendit.

Përtej kësaj, ndërsa është e lehtë të përçmosh përgjigjet politike kur kemi të bëjmë me një autokrat si Putini, edhe ato kanë rol në arsenalin tonë. Pjesërisht problemi ynë ka qenë se sado që politikanët perëndimorë flasin shpesh sikur e gjithë bota është kundër Putinit, në të vërtetë atij nuk i kanë munguar aleatët, ose të paktën sehirxhinjtë neutralë. Sidomos në hemisferën jugore, ku Perëndimi nuk ka arritur të bëjë shumë përparim për të bindur shumë vende se ky nuk është vetëm një problem evropian.

Sikur Putin të përdorte armët bërthamore, kjo do të ndryshonte. Në samitin e shtatorit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Samarkand, si Narendra Modi i Indisë ashtu edhe Xi Jinping i Kinës ia bënë të qarta shqetësimet për luftën dhe ndikimin e saj në shkallë të gjerë. Sipas burimeve diplomatike britanike, Pekini e ka paralajmëruar Moskën kundër thyerjes së tabusë bërthamore. Në fund të fundit, ajo ka interesat e veta në rrezik: nëse një ditë vendos të përpiqet të marrë Tajvanin me forcë, flota e saj do të ishte vetë objektiv i armëve bërthamore të SHBA. Më drejtpërdrejt, ministri i jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar tha se “çështja bërthamore” ishte “një makth i veçantë”.

Izolimi gjithëpërfshirës diplomatik i Rusisë do të ishte më i madh se kurrë, veçanërisht duke pasur parasysh se vende të tilla si Turqia, të cilat deri tani janë përpjekur të luajnë me dy porta, do të detyroheshin të largoheshin nga gardhi. Ndonëse kjo mund të tingëllojë jo më shumë se një vlerë simbolike, nëse Rusisë do t'i mohohej mundësia për të tregtuar si më parë me Kinën dhe Indinë, ose për të pastruar pará përmes bankave të Emirateve të Bashkuara Arabe, ose për të dërguar mallra që thyejnë sanksionet përmes Bosforit, kjo do të kishte shumë ndikim praktik në vend.

Së fundi, përdorimi i NSNW-ve do të ndryshonte rrënjësisht tonin dhe shtysën e politikës perëndimore. Duke gjykuar nga bisedat me zyrtarë si në Londër ashtu edhe në Washington, mantra aktuale se “Putini duhet të dështojë” do të zëvendësohej me “Putini duhet të ikë”.

Ka pasur ngurrim të kuptueshëm jashtë disa prej qarqeve më të ashpra evropiane për të hapur temën e ndryshimit të regjimit, jo vetëm për shkak se historia e Perëndimit është më e fortë në rrëzimin e diktatorëve sesa në kontrollimin e asaj që ndodh më pas. Një Rusi bërthamore në duart e një lideri të zemëruar – apo e copëtuar nga lufta civile – është padyshim një perspektivë edhe më e tmerrshme se ngërçi aktual.

Megjithatë, do të ekzistonte një frikë e pashmangshme dhe e justifikuar se pasi kishte thyer një tabu, Putinit nuk mund t'i besohej se nuk do të thyente edhe të tjera. Tentativa për vrasje mund të mos shtrohet mbi tryezë – siguria personale e Putinit është e frikshme dhe ai mund të tundohet të kthejë favorin – por kjo ende lë një menu të gjatë opsionesh, nga inkurajimi i grushteve të shtetit deri te përpjekjet për të nxitur mosmarrëveshje në rajonet jo-ruse.

Më mirë akoma është të parandalosh se sa të ndëshkosh më pas. Një pyetje legjitime është se sa shumë po i bëhen të qarta të gjitha këto opsione Putinit dhe popullit të tij dhe, mbi të gjitha, se si po demonstrohet në të vërtetë vullneti për t'i përdorur ato. Joe Biden mund të kërcënojë në Kombet e Bashkuara dhe zyrtarët perëndimorë të japin paralajmërime të rrepta në TV, por Putini mund të besojë ende – pavarësisht unitetit dhe shkallës së papritur të përgjigjes perëndimore ndaj pushtimit – se ne nuk do t’i bëjmë fjalët realitet. Në të vërtetë, shpresa e tij e vetme e vërtetë për të qenë në gjendje të shpëtojë diçka nga aventura e tij e pamenduar në Ukrainë është se, nëse lëkundemi, ai mund të besojë se ne nuk mund t’i përgjigjemi dot vendosmërisë së tij.

Pra, ndoshta ka ardhur koha që Perëndimi të braktisë politikën e tij tradicionale të “paqartësisë strategjike”, duke mos e bërë të qartë se si do t'i përgjigjej një sulmi bërthamor. Biden, për shembull, kur u pyet se cilat do të ishin pasojat, u përgjigj: “Mendoni se do t'jua thosha nëse do ta dija saktësisht se cila do të ishte? Sigurisht që jo! Do të ketë pasoja... sipas aktit të tyre do të jetë dhe përgjigjja që do të japim”.

Kjo qasje dështoi në shkurt. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, në veçanti, ishin shumë të qarta në besimin se Rusia po planifikonte të pushtonte Ukrainën dhe se ata do të përgjigjeshin në mënyra të papara. Megjithatë, për Putinin këto ishin fjalë boshe; Mbreti Lir që gëmushej pafuqishëm: "Do të marr hak kundër ju të dyve... Se si, nuk e di, por do të jetë tmerr mbi dhé”.

Duke pasur parasysh gamën dhe thellësinë e opsioneve të mundshme të Perëndimit, është koha për t'i paraqitur Putinit – dhe elitës ruse në tërësi – një pasqyrë të qartë e të dhimbshme të asaj me të cilën do të përballeshin nëse Moska do të ndërmerrte opsionin bërthamor. Edhe nëse, siç ka të ngjarë, nuk mund të arrihet konsensus i NATO-s për këtë, asgjë nuk e ndalon Washingtonin dhe një “koalicion të të shqetësuarve” që ta bëjnë këtë jashtë kuadrit të Aleancës.

Putin ndoshta po luan blofin, duke shpresuar se vetë mendimi i resë së kërpudhave është i mjaftueshëm për të na bërë të lëkundemi në mbështetjen tonë për Ukrainën. Megjithatë, është koha për t’ia treguar qartë se me çfarë katastrofe do të përballej ai vetë nëse shkon më larg se sa fjalët./https:/spectator.co.uk/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

MANI USA07/10/2022 22:59

HEU, SI DUHET TU PËRGJIGJEJ PERENDIMI KËRCËNIMEVE T'PUTINIT?! EU, SI DRUHET
TU NDERGJIGJEJ PRETENDIMIT PËRCËLLIMEVE TË PUTINIT OUUUH, SI TË HUTINIT!!.
SIKUR NË KOHËRAT E LASHTA, STËRLASHTA: NË MUNGESË TË PËRKOHSHME MU TË
MBRETËRESHES TË SHPNEDËVE SHQIPONJES LEGJENDARE; QË ME PËRKRAHJEN O,
FERRKAHJEN E SORRAVE OR HORRAVE DHE KORBAVE ËH, HORBAVE; QË JELLIN DHE
PJELLIN VETËM KOBE O KORBE; DUKE MASAKRUAR, KASAPRUAR PRER GJALLËRINË,
STRALLËRINË, NË MALE VËRRINË, MË IDALE PËR NJERËZINË NJERËZORE, BREZORE!
DHE, HUT-HUTAÇIN SI FUT-FUTAÇIN HË SYTË U PLAÇIN, ME URDHËR SI T'MBRETIT OR
TË SHKRETIT, URDHËRON E KURTHËRON QË PËR ÇDO MENGJES NË ZGORIN E LISIT
SHEKULLORË, TRISIT TEMPULLORË; TË IA SJELLIN OR PJELLIN NGA NJË ZOG BILBILI
QË SËPARI TA DHUNOJË, MADJE TA GLLABËROJË!! AH, KUR VËRTETUAN SHPENDRIA
BJESHKEKATARE Q'U TMERRUAN DHE U LËMËRUAN DHE URDHËRUAN URGJENTË O,
RIKTHIMIN E MBRETRESHËS SHQIPONJË; QË MU KJO ZONJË TA DENOJË, BLLOKOJË,
DHE TA MALLKOJË HUT-HUTAÇIN AUH, FUT-FUTAÇIN, QË TY MORE HUTAÇ-FUTAÇ AH,
FUTA MË E ZEZA, ÇFUTA NDËR BREZA; PO SI ME DHUNUAR ZOGJET E BIBLIT ËH, TANI
MË I GLLABËRUAR E SHKATTRUAR KËNGËN RIGJALLËRIMIT TË PRANVERËS SI EDHE
TË KTHEJË DHE THEJË BRENGËN E RIVARRËZIMIT TË LOGJE ZIMBILIT OUH LULËZIMI
ORE VULËZIMI T'MBARË RIGJALLËRIMIT DHE RITRASHGIMIT TË RIBASHKIMIT EDHE TË
RIATDHESIMIT MBARË BOTËS O, NJERËZORE, MË BREZORE!!. MANI USA, REFUGJATË
T'LUFTËS NGA TROJET E GLLABËRURA SHQIPTARE PREJ RUSOSERBO JUGOSLLAVE!

Shto koment

Denonco