Berisha si fobi e Ramës dhe 'kërbaçi' low cost i Librazhdit!

Berisha si fobi e Ramës dhe 'kërbaçi' low cost i Librazhdit!

Nga Armand Maho - 19/08/2022

Ata që e njohin prej kohësh, e dinë fare mirë se Edi Rama është njeri paranojak.

Nuk i beson kurrkujt, dhe mendja e tij kullot vetëm nëpër komplotet që mund t'i bëhen. Është pikërisht kjo lloj paranojë dhe sjellje aspak e zakontë që po përvijon idenë se prej asaj karrigeje ku ka hedhur rrënjë tash nëntë vjet mund ta rrëzojë Sali Berisha.

Megjithëse në daljet e tij mundohet të shfaqet me një qetësi që nuk e ka, duke e konsideruar si të vdekur politikisht dhe jo vetëm, sërish fobia e hershme e tij kundrejt politikanit më të fortë që është prodhuar në këto 30 vite është e dukshme. Ai e njeh forcën e Sali Berishës, e di se çfarë është i aftë të bëjë. Frika se Berisha me shumë gjasë mund ta degdisë në gjirizet nga ku ai mezi doli në vitin 1998 me ndihmën e Fatos Nanos duket se i është bërë një ide fikse.  

Kjo sepse vetë Edi Rama (i lindur me emrin Edvin) është një njeri që ka pasur një të shkuar jo pak frustuese. Si një mish i huaj për shoqërinë shqiptare u kap me thonj pas mundësisë që iu dha. Historia njeh shumë të tillë, dhe janë pikërisht këta individë që gjërat i kanë çuar për dreq sa herë kanë marrë pushtet. 

Në rininë e tij të hershme ka qenë një figurë groteske. 

Në gjimnaz e tallnin për karakterin e çuditshëm, në sport e fërshëllenin kur nuk pranonte të dilte nga fusha megjithëse e kishin përjashtuar nga loja, ndërsa në Institut e qesëndisnin duke i vënë në pah paaftësinë e tij e cila shtyhej përpara nga mbështetja e të atit anëtar i Komitetit Qendror, për të cilin djali i tij i madh ishte dhe brenga e tij më e madhe. Shpesh Rama shndërrohej në personazh barsolatesh nga të rinjtë që uleshin në trotuaret përgjatë Bulevardit, pasi në zboret ushtarake që zhvilloheshin në atë kohë thuhej se ishte i vetmi që nuk lejohej të mbante armë të vërtetë por një armë druri në stërvitje. Këtë lloj tallje të qytetit ai e ka vuajtur jo pak.

Në pushtet erdhi në mënyrën më të pandershme të mundshme, si peng i krimit, mënyrë tjetër nuk kishte dhe tashmë duket se po shket çdo ditë e më shumë në batakun e ngrehinës së amoralitetit qeverisës që ai ka ngritur. Si një politikan i vogël që është, në pamundësi të plotëspojë egon e tij qesharake për të qenë faktor në politikat ndërkombëtare, ndërmerr nisma në dëm të vendit dhe çështjes kombëtare siç është fjala vjen Ballkani i Hapur.

Akoma më meskin dhe i ulët politikisht shfaqet kur lobon pa fund kundër kundërshtarëve të tij politikë. I pafuqishëm dhe pa asnjë argument të godasë vetë dhe burrërisht pavarësisht pushtetit që ka, përdor levat sorosiane apo lobingjet serbe për t'i linçuar ndërkombëtarisht me mendimin se do i dobësojë dhe ky dobësim do sjellë zgjatjen e pushtetit të tij. Por si mediokër që është, nuk parashikoi efektin boomerang që do i sillnin këto veprime. 

Ai, Rama pra, me Bashën në krye të opozitës kishte një qeverisje të patrazuar, sepse Berisha i kishte lënë lojërat e oborrit politik, Meta kish ikur drejt Presidencës, ndërsa vetë ish-kryetari i PD kish rënë pre e pazareve të tij. E megjithatë paranoja nuk e la, por ndërmori një represion politik brenda dhe jashtë vendit për ta asgjësuar plotësisht opozitën, pavarësisht se në ato kushte siç e kish katandisur ish- kryetari i siguronte një pushtet të qëndrueshëm dhe të gjatë. 

Dhe nuk mbaron me kaq. Kur nuk ka pak që u përkujtua 34-vjetori i varjes në litar të poetit Havzi Nela, (kujtojmë se babai i tij Kristaq Rama ka firmën për ekzekutim krah Ramiz Alisë), ai po kërkon një tjetër revansh që s’është dëgjuar në asnjë demokraci qofshin dhe në ato që kanë shkarë qartazi drejt autoritarizmit. Madje as në Rusinë e Putinit. 

Edi Rama, pasi nuk ia doli të qullosë asgjë me lobingjet dhe sulmet e pandershme, tashmë kërkon që me forcën e kartonit, por dhe me ndihmën e ndonjë bashibozuku me gjoja opozitar të miratojë një ligj i cili duhet të shpërfillë atë që është vendosur me votë. Pra duke i kujtuar zotit Berisha të shkuarën e tij, por duke harruar se vetë ai, Rama, deri në vitin 1990 ka qenë pjesë e nomenklaturës së lartë komuniste, privilegj që i vinte nga ati i tij anëtar i komitetit qendror, por dhe dajë Spiros (Koleka), një prej 6 më të akuzuarve të nomenklaturës së lartë Komuniste për gjenocid. 

Këtë ligj, pra atë paçavuren që folëm më lart, ai ka zgjedhur ta lançojë nëpërmjet zërit të Taulant Ballës, një shembull tjetër se si nuk duhet të jetë një qytetar qoftë dhe nën mesataren e jo më një deputet. Po nëpërmjet Taulant Ballës, mikut të Edmond Begos ish-anëtar i bandave të Lushnjës, sot biznesmen ndërtimi që fiton nga paratë publike pa hesap, natyrisht nëpërmjet mikut të tij. 

Pikërisht atij Taulantit, bujtësit të rregullt të Gjergj Lucës (gazetari Bledian Koka do e nxirrte zbuluar Ballën gjatë një debati me të në zgjedhjet e vitit 2021) një abuzivisti tjetër që ka përfituar me mijra metra katrorë pronë publike në Labinot falas. Një njeri që kur shfaqet në publik të jep përshtypjen e një kllouni të dëshpëruar  që nuk lë rast pa ju lëpirë me debil-llëkun e tij shefit të qeverisë,  por ja që kjo i jep të drejtën të shfrytëzojë pa asnjë lloj kriteri resurset e deteve tona. 

Por jo vetëm kaq. Taulant Balla nuk është as më shumë e as më pak, por lidhja mes bandave të Elbasanit dhe qeverisë. Këto lidhje i siguruan titullin e më të votuarit në Shqipëri në një nga qarqet më të varfra të vendit, duke bërë kurban Pjerin Xhuvanin, të cilin sot nuk e përmend më. E dhimbshme ta mendosh por ne jemi katandisur në një derexhe të tillë sa ky lloj karikature e denjë për komeditë e zeza, na flet sot  për ligje dhe zbatimin e tyre. O tempora o mores (oh çfarë kohësh, oh çfarë zakonesh) do thërriste Ciceron. Vërtet kemi rënë shumë poshtë

E pra, Rama me anë të kërbaçit të tij gungaç të blerë lirë në Librazhd, po rreket të kalojë një ligj, i cili do përjashtonte Sali Berishën, por edhe Ilir Metën nga Parlamenti. Me pak fjalë, kur nuk ekziston ligji hajt ta shpikim. Kjo nuk ndodh as në diktaturat më mediokre. 

Ai shpreson ende se shqiptarët vazhdojnë të jenë të trallisur nga budallaqet me okë në formën e yamamotos që ai shpërfaq sa herë mundet. Shpreson se me debatin që do lindë prej kësaj nisme do mundohet të heqë vëmendjen nga skandali i vjedhjes me inceneratorët, nga çmimi i naftës që rritet pa asnjë llogjikë, nga varfëria, nga braktisja e vendit, nga borxhi 106% e të tjera me radhë. Pra, kërkon të rrijë dhe një herë majë m...t që e ka bërë kala me tollovi dhe pehlivanllëqë që spin doctors-at e tij i nxjerrin sa herë shefi i tyre injorant në qeverisje, por i aftë në vjedhje është në siklet.

E megjithatë, Rama harron se sado të përdorë Taulantin, sado të mundohet të bëjë shqiptarët për budallenj, një ditë drejtësia do vihet në vend. Nuk mund ta ndihmojnë as gjyqtarët e prokurorët që kaluan Vettingun, se në fund të ditës para Ramës do duan veten e tyre. Sepse sado të mundohen ata s'kanë ç'i bëjnë aferës së incineratorëve ku me firmën e Ramës deri më tani rezulton se janë vjedhur 189 milionë euro. As borxhit që ka marrë pa kriter për të paguar oligarkët miq të tij. S'mund të mbulohen qindra mijëra metra pronë publike që përdoren për pastrimin e parave. Është pasuri e të gjithëve dhe Rama s’është padron i saj... 

Dhe kur të vijë dita që do marrë rrugën drejt gjirizit të tij, i pari që do e pështyjë do jetë pikërisht Taulanti më pas Elisa, Kumbaro, Çuçi e të gjithë me radhë. E sa për atë ligjin që kërkon të miratojë ai e di fare mirë se për çfarë ta përdorë, sepse për atë kohë ai është i fundit që duhet të flasë për 1001 arsye. Diktaturën e rrëzuan qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe as Rama e as Balla, askush tjetër që sot vjedh në emër të ish PPSH-së, s’mund ta përdorë këtë akt heroik për kredo politike që nuk i takon. Do ishte turp e marre po ta lejonim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Muhametfani@gimeil.com19/08/2022 22:57

Ai ligje qe kerkon te vendose edi kurva me tauland motren duan si duket QE vdekja originale dhe spitalore e Kane ate dite kur te hidhet ne parlament per diskutim.

Shto koment

Denonco