Partia Demokratike dhe protestat!

Partia Demokratike dhe protestat!

Nga Bujar Leskaj - 22/06/2022

Popullit i ka ardhur në majë të hundës! Varfëri ekstreme, rritje galopante e çmimeve, braktisje masive e Shqipërisë! Një sekt në pushtet që vetëm vjedh djersën, pasurinë, të ardhmen e shqiptarëve, që bëhet zëdhënës i Beogradit e i Vuçiç e luan me të ardhmen europiane të Shqipërisë me “Open Balkan”.

Kundër një sekti që keqqeveris, pa përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie, janë vetëm disa nga arsyet se përse shqiptarët duhet të ngrihen në protesta.

Një nga drejtuesit e rinj të PD hodhi idenë e rifillimit të protestave, të cilat i kërkojnë qytetarët në muajin shtator! 

Por përse duhet të humbasim kohë? Përse protestat duhen shtyrë për në vjeshtë? E njëjta gjendje do të jetë, e njëjta varfëri, e njëjta krizë, ndoshta edhe më keq se ç’është tani... Qytetarët janë të gatshëm qysh sot!

Ndodhën procese shumë të rëndësishme e radikale këta muaj në Partinë Demokratike, në jetën e saj të brendshme, në mënyrën e organizimit e të funksionimit. Kryesia e re e PDSH u zgjodh, u zgjodh Këshilli Kombëtar, nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm, sekretarët funksionalë...

Organizimi në bazë i partisë është shumë i rëndësishëm!

Çfarë presin të zgjedhurit e rinj dhe deputetët për të zbritur në bazë, të takohen me strukturat, me demokratët e thjeshtë, të forcojnë strukturat, të shmangen mbledhjet formale në seksione e grupseksione dhe të preket fryma e ndryshimit? Foltoret e zhvilluara gjatë gjithë këtyre muajve ishin të nevojshme, por jo të mjaftueshme për t’u organizuar PD.

Këtu duhet të fillonte një analizë e thellë për shkaqet që çuan në humbjen e 25 prillit 2021. Dhe një analizë e tillë do të dëshmonte për masakrën zgjedhore të sektit Rama që vodhi e deformoi vullnetin e lirë të shqiptarëve, por do të ndihmonte edhe në organizimin e partisë.

Shumë të mira janë tryezat e debatit me grupet e ndryshme të interesit me tematika të ndryshme që po organizon kryetari i PD, Sali Berisha, por drejtuesit e tjerë të PD nuk duhet të mjaftohen vetëm me to.

Sot është koha për veprim, për një aksion politik të Partisë Demokratike, për kauzat që janë të demokratëve e të shqiptarëve dhe të luftojmë për to. PD duhet të përdorë të gjitha mjetet e metodat e ligjshme politike, të cilat do të kenë kryefjalë mendimin politik dhe aksionin politik - protestat popullore kundër sektit Rama.

Mosveprimi nuk është zgjidhja. Shtyrja për…, më pas, nuk është zgjidhje. Nuk ka fitore magjike dhe të lehta. Duhet kurajo, gjakftohtësi, guxim dhe aksion qytetar që të fitojmë për e me qytetarët e demokratët!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Rakia23/06/2022 13:25

Se cka nje si stil komunisti ne te shkruajtur qe se ka heq dot akoma. I dalin fjalite si dogma proletare.

Shto koment

Denonco