Defektet e listave dhe realiteti demokrat

Defektet e listave dhe realiteti demokrat

Nga Ilir Levonja - 01/05/2022

Mosmarrja pjesë e atyre 35 deputetëve në kuvendin e djeshëm të Partisë Demokratike a të Sali Berishës, quajeni si të doni, se një është, nuk shënoi ndarjen e demokratëve. Tregoi një defekt nga zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar, janë firot e përgatitjes së tyre, ku shumë nga ata emra janë pjesë e listës Basha, jo e primareve.

Nëse do ishin emra primaresh, pra të ofruar nga vota e anëtarëve në qytetet përkatëse, sot tranzicioni reformues i demokratëve nuk do ishte kaq i gjatë. Po t'i referohesh listës aty ka emra që demokratët nuk i njohin fare. Për më tepër që në dekadën e fundit u bë e modës që deputet bëhej kush paguante më shumë.

Kjo kultura e ryshfetit apo jep një dorë që të kapësh një vend nuk bëri përjashtim as në karrierën për deputet. Tek të të dy krahët, këtë e verifikon kollaj. Mjaft të shikosh kurrikulat e kuvendeve nga viti 2000 e këtej, gjithnjë në raport me ato pas 1992. Kuvendet e para kanë tjetër stof, aktivistë social nga të katër qendrat universitare të Shqipërisë. Kurse kuvendet e mëvonshme aktivistë me diploma të çuditshme nga autoshkollat e Zvicrës a Universitete fantazmë nga Maqedonia e Veriut.

Nga ana tjetër është gropa e madhe e sistemit zgjedhor ku Basha nuk i rezistoi fare formulës gjoja daneze. Keni një raport jo normal votash në lidhje me emrat e parë në listë dhe atyre që mundën herësin. Shto edhe emrat e partive në koalicion, një dështim total i përsëritur, ku sot përshembull Fatmir Mediu dhe të tjerë duhet të ishin përfaqësues të demokratëve. Por nuk janë, dërdëllisin studiove për formula pajtimi, por përfaqësues të demokratëve nuk janë.

Janë aty me votat e demokratëve, por nuk denjojnë të flasin me bazën, me votuesit.

Kjo është e thjeshtë, nuk kanë asnjë lidhje me ata. Dëmet e epokës Basha dhe eleminimit të forumeve, janë kaq të mëdha sa Partia Demokratike do t'i ndiej gjatë. Por në një të ardhme të afërt edhe Partia Socialiste, pasi modeli i saj është më totalitar akoma ku Edi Rama mund të shpallet nga momenti në moment perandor. Kësisoj kur e blen deputetllëkun nuk ke se si i afrohesh një kuvendi. Unë do çuditesha nëse shumë prej tyre do shkonin. Prandaj ajo mospjesëmarrje, ai numër është i pranueshëm.

Nuk është ndarje por një lloj vetëpastrimi i brendshëm për të mundur kohën e humbur, vendi ka kaq shumë nevoja jetike dhe imediate. E gjitha qe një atmosferë brilante dhe rrëzimi i Sali Berishës nuk bëri asgjë tjetër por prishi syrin e keq. Ka ardhur koha për një opozitë që të ngjisi me protestat sociale, madje një opozitë avokate e mirëfilltë.

Opozita nuk është dysh, është një. Nuk mund të krijohet fronti me teknicienë kuvendesh, grupesh, a kryetarë partish pa anëtarë por me votat e demokratëve. Fronti bëhet me ata që e fillojnë nga rruga dhe e kanë Kuvendin princip po të rrugës, sheshit, qytetarit, jo të atyre që marrin rrogën, dietat shtesë, telefonin pa pagesë, fërkojnë duart, i hipin ndonjë makine me dopjo fenerë dhe kokat çafshin demokratët.

Është humbje kohë me u marrë me ata. As me teoricienët jo po nuk konkurroj unë se, Berisha i ka votat. Për çfarë të konkurroj? E para, konkurrimi nuk është luftë zotëri. 

Dhe e dyta, po nuk u mate me malet kot që e çon në mend të jesh nesër një lider.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari01/05/2022 23:01

Analize e shkelqyer. Ndaj te njejtin mendim me Z. Levonja. Besoj cdo demokrat I vertete eshte dakord. Fatmir Medinj e kompani nuk duam me ne listat per deputet te PD. Po u katandis PD qe te beje koalicion me particka qe nuk marin as votat e familjes se tyre kurre mos ardhet ne pushtet.

Shto koment

Denonco