Plaku, ujku, dhia, lakra

Plaku, ujku, dhia, lakra

Nga Agim Xhafka - 02/02/2022

Sapo Berisha kumtoi se Komiteti i Rithemelimit të PD-së ishte dakordësuar me LSI për koalicion zgjedhor “Shtëpia e Lirisë” në votimet e 6 marsit, nisën buçitjet mosaprovuese. Qesëndisëse nga krahu i Bashës, që kur ia donte halli Lulit, firmoste dhe me komunistët e Hysni Milloshit, por dhe agresive nga plot mbështetës të Berishës. Kujtonin koalicionin qeverisës me Metën e para syve u shfaqeshin llufitja e pjesës më të madhe të pushtetit në raport me peshën e LSI në elektorat. E vërteta nuk harrohet. Në ato vite qeverisja pati plot arritje, por dhe korrupsion që sipas perceptimit vinte prej ministrave e drejtorëve të LSI.

Sali Berisha ka muaj që po ringrihet nga hiri. Ky vit për të është më i rëndë se 1997. Se kundër ka jo vetëm Ramën me gjithë aparatin shtypës të tij, por dhe aparatçikët e Sorosit në DASH. Ata nuk u mjaftuan me non-gratën që firmosën, por ngrenë zërin sa herë Berisha ia fillon ndonjë aksioni politik.

Në këtë ndeshje ai vërtetoi se nuk e kishte shqiptuar kot në Parlament: “Jam Sali Berisha unë, or budallenj!” Një lider që për dinjitetin lufton me këdo, paçka moshës që ka. Që nga maji, nuk rreshti së foluri me njerëzit. Me gjuhën e tij, me denoncime aferash dhe me frymëzime turmash. Deri sa mbushi një stadium me delegatë e si një busull biologjike u tregoi njerëzve nordin.

Tani ka arritur në kulmin e arritjeve. Përcaktimin e kandidatëve bashkiakë me primare. Me garë ashtu si në lojërat olimpike. Që ka rëndësi trajneri, po kryesor është muskuli e zemra e atletit. Ky instrument duhet quajtur “Leva e demokracisë”. Kryetarëve iu hoqën gradat,favoret, ryshfetet, preferencat. Shoqëria prej këtyre primareve do sjellë në qeverisje mendjet e spikatura. Largoi servilët e lëpirësit.

Deri këtu udhëhoqi Saliu. Më tej problemi hyn në ngërçe ligjore. Që të marrësh pjesë në zgjedhje duhet një vulë,duhet një vërtetim, një seli. Këto i mban Basha me ndihmën e policisë politike. U shfaq kështu problemi si tek ai rebusi “Plaku, ujku, dhia, lakra”.

Një varkë që çonte te ana tjetër e lumit veç një nga pjesëmarrësit. Nëse plaku çonte në fillim ujkun, dhia në breg do hante lakrën. Nëse do kalonte matanë lakrën, do zhdukej dhia nga ujku. Ndaj plaku bëri disa rrugë. Çoi dhinë, pastaj çoi ujkun dhe e ktheu sërish dhinë atje ku e mori. Çoi lakrën te ujku dhe rrugën e fundit çoi edhe dhinë matanë.

Kështu dhe historia e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Do bashkohen partitë nga programi, por dhe nga stërkëmbëshat e shumtë ligjorë. Kryesorja, të arrihet fitorja. E sivjet ajo ka garanci më shumë se kurrë. Se kandidatët i zgjodhi populli, sovrani.

Ndaj mos bërtasim, dhia do hajë lakrën. T’i besojmë mençurisë së varkëtarit me përvojë…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco