Çfarë është 11 Dhjetori edhe përtej PD-së?

Çfarë është 11 Dhjetori edhe përtej PD-së?

Nga Ndriçim Kulla - 05/12/2021

Gjithçka që po ndodh aktualisht brenda PD-së nga shumica e analistëve po trajtohet si luftë midis Berishës dhe Bashës ose akoma dhe me keq, në mënyrë shumë sempliste dhe qëllimkeqe si një përplasje midis amerikanizmit të thekur të përkrahësve të Bashës dhe antiamerikanizmit të nënkuptuar të Berishës.

Diçka e tillë jo vetëm që redukton shumë gjëra, por edhe shfokuson qëllimin primar që pritet të ndodhë më 11 dhjetor. Nuk ka rëndësi më shumë se ku, se si dhe se sa delegatë do të mblidhen aty, edhe pse kjo është e rëndësishme për të dëshmuar shumicën.

Ajo që i jep këtij tubimi të paprecedentë në demokracinë brendapartiake shqiptare, fuqinë dhe dimensionin e një lëvizjeje të tërë rigjeneruese të të gjithë sistemit demokratik dhe politik të pluralizmit tonë të gjithë këtyre viteve, janë vendimet, statuti i ri dhe rithemelimi mbi baza krejtësisht të reja i partisë pararojë të këtij pluralizmi.

Vihet re një anashkalim i plotë i qëllimit të lëvizjes. Luhet me një gjuhë ndarëse, konfliktuale, si luftë për jetë a vdekje. Në një kohë që, pavarësisht se përballja parimore është e fortë, ajo u takon vetëm liderëve dhe nuk mund të shtrihet horizontalisht edhe mbi gjithë bazën demokrate.

Le të mendojmë për një çast se nuk është Berisha ai që i formulon dhe i vendos si parime të pashkelshme statutore, demokracinë e brendshme të zgjedhjes së çdo forumi, hapjen totale të partisë, “primariet”, rotacionin e mjaft risi të tjera themelore. Le të mendojmë edhe se ai që i parashtron të gjitha këto ndryshime nuk do të qe i shpallur " non grata".

Atëherë të gjithë analistët, të majtë e të djathtë, e gjithë klasa jonë politike do të ndjente shijen e përpiktë të një revolucionarizimi të paprecedentë të jetës së brendshme të partive shqiptare, të përfaqësimit të drejtpërdrejtë politik të bazës, që pas kësaj revolucionarizon përfaqësimin institucional dhe ajo që ka më shumë rëndësi, demokratizon rrënjësisht vendimmarrjen.

Po a nuk ka vuajtur tranzicioni shqiptar i gjithë këtyre 30 viteve pikërisht nga plagë të tilla? A nuk ka ngecur ekonomia, drejtësia dhe sipërmarrja shqiptare nga mungesa e hapjes dhe transparencës që gjeneron kjo demokraci e brendshme partiake? A nuk do të qe kjo një vlerë e shtuar apo një model edhe për vetë demokracinë e brendshme të PS-së dhe kësisoj e gjithë sistemit politik shqiptar?

Demokracia është perceptim; nëse një ndryshimin i tillë rrënjësor do të realizohet suksesshëm në radhët e PD-së, ai do të vendoset si model krahasimtar edhe për të gjitha forcat politike.

Shihet pra se po të shikohet e ndarë nga paragjykimet mbi "personin Berisha", për të cilën unë mendoj se koha do ta kristalizojë mjegullën mbi të - Lëvizja që ai propozon është gjëja më e mirë e mundshme që mund t’i ndodhë sistemit tonë në kushtet në të cilat ndodhet.

Le ta shohim kësisoj 11 Dhjetorin, nën këtë dimension, nën optikën se a do t’i përmbushë apo jo rezultatet statutore, praktike e pse jo dhe ideologjike që janë parashtruar në takimet e "Foltoreve". Tek e fundit demokratët dhe Shqipëria kanë nevojë pikërisht për këtë lloj kontributi.

11 Dhjetori është opozitë e vërtetë, është demokraci partiake dhe nuk është thjesht një karrige për kryetarin e partisë.

Urojmë që kjo të ndodhë, sepse do të qe vërtet përmbyllja e kalvarit të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar .

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp05/12/2021 16:41

Z.Pllumbi, " ha....ha ..ha, "qeshi miza e gëzuar dhe fshiu mustaqet e djersitura". Fjetoria 30 vjeçare e partitokracisë, befas do kthehet në foltore. Medemek zëri qytetarëve dëgjohet. "C'don populli thotë partia, çthotë partia bën populli". Fjetore thanë partitë, gjumë bëri populli. "Kur u doli gjumi, befas konstatuan se ju kishin vjedhur vreshtin. Flisni, thonë tani dacibaot e partitokracisë, Foltoria është mbledhja e Frontit Demokratik. Siç na rekomandoni, do bëjmë,Modelin e Foltores do ta aplikojmë edhe për revolucionarizimin e të majtës. Ky shkrim do jetë besoj plan pune edhe për Erion Velinë e Monikën me të tijtë ,e me të sajtë. Aq më shumë që rekomandimi ju vjenë nga një ish këshilltar predidenti. Po ajo puna e vreshtit si do shkojë?. Ka një zgjidhje. Disa prej 140 deputetëve të vitit 2016, mund të jenë bërë pishman. Reforma në Drejtësi prek sovranitetin e partitokracisë.Në qilarët e partitokracisë, ku rrushi i vreshtit është shndërruar në verë, duan të zbresin Prokurorët dhe BKH. Këta janë të yshtur nga Amerikanët. Kontrolli në qilarë duhet të bëhet nga Ata që ishin. Por që s'janë. Ndaj duhet ta prishim Reformën në Drejtësi. Me Amerikanët dhe me BE merremi vesh më vonë. Po deshën. Edhe kështu si më sipër, mund ta perceptoi 90% e qytetarëve, atë që gumëzhin në kosheren e Foltoristëve.

,

Kasemi05/12/2021 15:37

Dakort Z. Pellumb!
Do Zoti te ndodhe.
Perse kaq vone, perse pikerisht tani?
A ka nje sjpjegim llogjik, se ku ishin deri me dje keto probleme te demokratizimit?
Kush po i pengonte? per cfare arsyeje et. etj.?

Shto koment

Denonco