Dilema e madhe e zotit Rama për qëndrimet e Presidentit Erdogan

Dilema e madhe e zotit Rama për qëndrimet e Presidentit Erdogan

Nga Agim Nesho - 24/10/2021

Presidenti Erdogan ishte modeli i suksesit për një lider sidomos kur ai vinte nga pushteti lokal i drejtimit të bashkive. Vizioni i tij si lider autoritar, nëpërkëmbja e opozitës, medias si dhe qëllimi për të arritur projektin e rikthimit të perandorisë neo-otomane ishte një frymëzim për të në rrugën për të arritur përjetësinë. Zoti Rama prishi çdo skemë aleance që Shqipëria gjatë tranzicionit kishte përdorur dhe i dha prioritet lidhjes strategjike me Turqinë.

Ai mori doktrinën e politikës së jashtme të Turqisë së re neo-otomane të ‘zero problemeve me fqinjët’ dhe e paraqiti si politikën e jashtme të Shqipërisë. Kjo ishte një fitore për Turqinë e Erdogan-it e cila rriste influencën e saj në Ballkanin Perëndimor nga Bosnja-Hercegovina, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Një lider i përmasave të zotit Erdogan e kishte të qartë filozofinë e dominimit të Ballkanit Perëndimor, e cila fillonte me ‘blerjen’ e interesave të liderëve të korruptuar, të cilët gjithmonë kërkonin një garanci për paratë dhe sigurinë e tyre pas pushtetit.

Për më tepër, Turqia do të ishte një strehë alternative për çdo projekt të dështuar europian të vendeve të mësipërme. Vasalët kërkonin financim për projekte për vendet e tyre, por zoti Erdogan ishte i kujdesshëm të investonte në infrastrukturë, aeroporte, objekte kulti dhe ato të kulturës otomane, pa harruar t’iu japë si bonus ndonjë spital për zgjedhje, nga një video-përkrahje apo ndonjë qëndrim politik që përcaktonte përkrahjen e Perandorisë për zonat e saj të vjetra të influencës.

Por qëndrimet e Turqisë ishin të prera dhe pa kompromis kur vinte puna për dënimin e armiqve të brendshëm gulenistë, në politikën e jashtme për përkrahjen e rezolutave të Turqisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe të ndryshonin legjislacionin për mbylljen e shkollave, ekstradimin e gulenistëve dhe për më të zellshmit të ndërtonin përkujtimore për dëshmorët e grushtit të shtetit 2016.

Që vasalët të mos ndjeheshin të fyer dhe të përdorur zoti Erdogan ishte i kujdesshëm t’i ftonte dhe t’i priste me të gjitha nderet e pashallarëve qëi kishin shërbyer me devocion,si dhe t’ju mundësonte atyre komfort me aeroplanë të ‘Turkish Airlines’ që do të shërbenin më shumë për lëvizjen e vetë vasalëve sesa si linja të qarkullimit publik.

Për më tepër që në projektet e rëndësisë strategjike, si Aeroporti i Vlorës, të gjenden formula që interesat e vasalëve të ishin të plotësuara brenda investitorëve besnikë individualë apo konsorciumeve që nuk dihet kush lëviz brenda tyre.

Por marrëdhëniet e tilla të interesit sigurisht që do të krijonin keqkuptime, sidomos kur vasalët ballkanikë njihen për pabesinë e tyre dhe në rastin kur janë delirantë kërkojnë famën dhe përjetësinë e vetë sulltanit. Për presidentin Erdogan prania e faktorëve të tjerë të huaj në Ballkan, duke përfshirë edhe George Soros, përbën një ndërhyrje në punët e brendshme të këtyre vendeve por edhe të vetë Turqisë.

Erdogan është aq i fortë sa nuk mund të bëjë kompromis as me individë dhe as me shtete perëndimore kur këto të fundit ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë. Propozimi i tij për shpalljen non-grata të ambasadorëve të 10 vendeve perëndimore e vë Turqinë në një pozicion të vështirë në marrëdhëniet me Perëndimin. Por më në vështirësi vë vasalët e tij, si Zoti Rama që kokën e ka në Perëndim dhe këmbët në Anadoll.

Çfarë pozicioni do të zgjedhë zoti Rama në këtë situatë ku miqtë ndahen? Mos zoti Erdogan ka aq shumë informacion për zotin Rama sa ky është i destinuar të mbetet peng i politikës turke dhe lidhjeve të tij okulte të deritanishme?

Zoti Rama është një aktor i suksesshëm që ka ditur të navigojë midis dy alternativave dhe këtë shembull suksesi e dha me mbijetesën me administratën Trump, ku nga armik i liderit u kthye në aktor klientelist i klasit të parë duke u shtrirë barkas përpara ‘gjigantit’ Trump. Por Erdogan si lider ballkanik nuk influencohet nga lobimet, për më tepër vasalët e tij duhet të ekzistojnë përsa kohë ai i shikon të përshtatshëm.

Çfarë rruge do të zgjedhë zoti Rama:Drejt perëndimit, ku asnjë njeri nuk e pranon me standardet e tij të shtetit të kapur,apo drejt lindjes në aventurat e përbashkëta me Vuçiç dhe nën ombrellën e Erdoganit?

A do të mbijetojë edhe kësaj here? Le të presim ta shikojmë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gjovalin27/10/2021 15:44

Ketyre pleqve iu ka ngel ora ne kohe te Xhaxhit me teorina lindje perendim. Turqia eshte nje nder vendet me te rendesishme ne Nato, Ka GDP 100 here me te madhe se ne, ka industri armatimi. Parnere strategjike e Gjermanise e SHBA.

Edhe ky fshati jone me breke te shqyera jep mend, me mentalitetin e 100 viteve. Zdi pse shkruajn akoma kto topet.

krasasi tp25/10/2021 16:27

Z.Ambasador, grushti i shtetit në Turqi vinte pas zgjedhjeve, të lira të drejta e të barabarta, të pranuara nga 'jashtë'e nga 'brenda'. Turqia është caku lindor i NATO-s me udhëheqsi Amerikane dhe këtë gjendje nuk mund ta tjetërsojnë fuqi rajonale,mesdhetare e globale apo lobe të tyre në Uashington. Pas 'erës' Trump dhe Bajden e në vazhdim SHBA do kthehen në një fuqi që rrezaton demokraci,dialog dhe përbashkim. Z.Rama siç e nënvizoni Ju, e ka "kokën në Perëndim dhe këmbët në Stamboll". Këmbët i komandon koka apo jo?. Lexo kujtimet e Eqerem 'bej' Vlorës, pi kafe me P.Mishën e me pinjoll të vrionsve e të zogollianve, çkëmbe ndonjë përshëndetje me Z.Gylen dhe shikoni ëndrra me revolucion, ku SHBA shpërbëhen, Turqia gjithashtu, Lutni Zotin të vdes Rama dhe lobet ruso-serbe-greke e kineze ta dominojnë Ballkanin.

O Gimiiii24/10/2021 21:39

Po O Agilm Nesho, ke për të pritur gjate dhe per të parë çdo beje Edi Rama. Të pakten do presesh edhe 8 vjet të tjera. Ti bashke me Birishen dhe BashLulin
:))

Shto koment

Denonco