Demokratët në udhëkryq

Demokratët në udhëkryq

Nga Artan Hoxha - 15/09/2021

Me 8 shtator ndodhi ajo që pakkush e priste. Lulzim Basha mori personalisht vendimin e largimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar Demokrat. Kërkesa ultimative amerikane u zbatua në ditën e fundit të afatit, një ditë para hapjes së punimeve të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhje që shënuan një fitore sa të pamerituar të Qeverisë së gjithëpushtetshme aq edhe humbje të pamerituar të Opozitës së zhveshur nga çdo pushtet.

Paradoksalisht opozitari më i thekur, anti-rilindësi më i vendosur, denoncuesi me i guximshëm, akuzuesi më i pafre, debatuesi më i palodhur në 8-të vitet opozitare demokrate, njëherazi kontribuuesi kryesor për 620 mijë votat opozitare të 25 prillit, duhej me doemos të mos ishte më pjesë e opozitës së mandatit të tretë. E, meqë synimi maksimal për ta detyruar të vetëtërhiqej për fare nga mandati parlamentar dështoi, asgjësuesit e tij politikë u kënaqën momentalisht me goditjen morale - largimin formal e deklamativ nga grupi parlamentar të cilit i përket - por që nga i cili as që ka ndërmend të largohet, të paktën jo pa betejë të fortë politike.

Sali Berisha e filloi betejën e vet që në maj kur u bë me dije vendimi i Departamentit të Shtetit. Më së shumti besonte se i kishte shpatullat e mbrojtura në partinë e vet por, me eksperiencën e pasur që ka, asnjëherë nuk e fjeti mendjen dhe, pa krijuar panik a dëshpërim të parakohshëm tek mbështetësit, gjithnjë e trajtonte si jo të pamundur edhe opsionin tjetër, atë qe ndodhi në fakt.

Lulzim Basha e mbajti vetë peshën plumb të rëndë të këtij vendimi. Sipas tij, kjo ishte mënyra më e mirë për të shmangur qoftë konfliktin, çarjen e përçarjen e partisë, qoftë e aq me keq, një vendim populisto-partiak të demokratëve në favor të Sali Berishës kundra amerikanëve, qoftë e po aq keq një vendim të kundërt, në favor të amerikanëve e masakrues për Sali Berishën. Çështja s’mund t’i lihej emocioneve, instinkteve apo oportunizmit të turmës. Ai vendosi.

Por, mesa duket, do ndodhë ajo që Lulzim Basha u përpoq ta shmangte. Sali Berisha shpalli aksionin e tij politik - drejt një procesi referendar “për të rivendosur sovranitetin dhe dinjitetin e partisë”, siç shprehet ai. Sali Berisha do i drejtohet masivisht anëtarësisë. Karizmën e ka të fortë, vullnetin të hekurt, fjalën të zjarrtë, energjinë të pamatë.

Qofsh kundër Sali Berishës, por pranoje që një proces i këtillë është sa e drejtë e vetë atij, të dëmtuarit, aq edhe dobi për shkundjen dhe gjallërimin e demokratëve të dërrmuar sa nga humbja e zgjedhjeve aq më shumë edhe nga ky akt “atvrasjeje” që e kishin parë t’u ndodhte të tjerëve, e që ju mburreshin se atyre vetë nuk do iu ndodhte kurrë.

Një rrugë e dy punë, procesi do shndërrohet vetiu edhe në sfidë për legjitimitetin e Kryetarit. Ndaj, vetë Lulzim Basha do bënte mirë t’i paraprinte këtyre ngjarjeve, të hidhej në bazë për t’i informuar e sqaruar vetë e drejtpërdrejt demokratët për arsyet e marrjes së atij vendimi, njëherazi t’u rikërkonte votëbesimin. Sot për sot, legjitimiteti i dobët i Lulzim Bashës nga zgjedhjet e sforcuara partiake të qershorit, pas humbjes së dytë zgjedhore, është minimalisht i dyshimtë (maksimalisht i rrënuar) dhe, pa daravitur këtë dyshim Lulzim Basha nuk mund të udhëheqë me sukses asnjë betejë të vërtetë opozitare ndaj Qeverisë.

Në ngjarjet e pritshme, demokratët janë në udhëkryq. Ata mund të ndjekin rrugën e zakonshme, përcjelljen me tifozeri të ndeshjes Berisha – Basha, të rrëzojnë Kryetarin për hatër të Liderit apo t’i kthejnë shpinën Liderit për hatër të Kryetarit.

Kjo nuk prodhon asgjë të re. Fitorja e këtillë e Sali Berishës do ishte fitorja e radhës e tij ndaj një kundërshtari në parti. Gjë e parë. Fitorja e këtillë e Lulzim Bashës do ishte diçka e ngjashme me “atvrasjet” në të majtën shqiptare, e që e bëri Partinë Socialiste nga demokratike në pikënisje në autokratike aktualisht. Gjë e parë.

Demokratët kanë edhe një rrugë tjetër, atë të një procesi parimor - jo thjesht ç’do bëhet me Sali Berishën apo me Lulzim Bashën, por se si kjo parti do veprojë - me ç’metodë, ç’mënyrë, ç’strukturë e ç’mjet demokratik do të marrë, respektojë e zbatojë sot e tutje vendimet për dhe në të ardhmen, duke sjellë në qendër të vendimmarrjes anëtarin e fuqizuar e të respektuar, seksionet dhe degët sa më aktive dhe autonome, forumet kombëtare që mblidhen e vendosin me votë, kryetarin që shërben duke udhëhequr dhe udhëheq duke shërbyer.

Ashtu siç i ka hije, ashtu siç e nisi në dhjetor 1990.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ilia 15/09/2021 16:37

KY artikulli I Artan Hoxhes ,I qendisur,Po I qendisur.Ka Shqiperia akoma patriote,atdhe dashes,intelektuale te mrekullueshme.Do zoti e shpirti. Ramen me kliken e tij,dhe Bashen tradhetarin me kliken e tij.
Rrofte Shqiperia,rrofte demokracia!

Ilia 15/09/2021 16:36

KY artikulli I Artan Hoxhes ,I qendisur,Po I qendisur.Ka Shqiperia akoma patriote,atdhe dashes,intelektuale te mrekullueshme.Do zoti e shpirti. Ramen me kliken e tij,dhe Bashen tradhetarin me kliken e tij.
Rrofte Shqiperia,rrofte demokracia!

t15/09/2021 10:25

"L.B.nuk mund te udheheqë me sukses asnje betejë te vertetë opozitare ndaj qeverise".
Kjo shprehje e autorit eshte postulat per demokratet.L.B.me kete goditje te dyte ndaj betishes e futi ne qorrsokak pd duke e larguar apo harruar fare betejen per demaskimin nderkombetar te masakres zgjedhore,pikerisht ate qe donte funderrina rama.Ne fillim ramen e ndihmuan amerikanet sorosiane me shpalljen nongrata te berishes dhe ne fund e ndihmoi L.B.me perjashtimin e
berishes nga grupi pd. Ne vend qe pd te merret egersisht me ramerilindjen,luli i dha mundesi rames te sundoje qetesisht dhe pd te hahet me veten.
Demokratet dhe te gjithe opozitaret duhet ta kene te qarte që: nqs ramërilindja e çon mandatin e 3 deri ne fund,opozitarizmi mbas 2025 mund te quhet i vdekur.

Shto koment

Denonco