10 rregulla nga Machiavelli i shekullit XXI për Princin e Ballkanit

10 rregulla nga Machiavelli i shekullit XXI për Princin e Ballkanit

Nga Florian Bieber - 21/07/2021

‘Çfarë do të thoshte Machiavelli për Ballkanin e sotëm?’, pyet Florian Bieber. Në letrën për një Princ Ballkani të kohëve moderne, ai përcakton dhjetë rregulla që do t’i lejonin Princit të qëndronte në pushtet pavarësisht kushteve. ‘Pushteti është si vallëzimi në buzë të vullkanit’, paralajmëron, megjithatë ekzistojnë mënyrat për të qenë i sigurt.

I dashur Princ i Ballkanit,

Urime për fitoren në zgjedhjet e fundit.

Supozoj se do t’ju pëlqente të qëndronit në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur. Ndërsa nuk është po aq e lehtë si më parë, prapë mbetet e mundur, nëse ndiqni dhjetë rregullat që kam renditur më poshtë.

Duhet të kini gjithmonë parasysh se konsiderimi si demokrat apo reformator është një vlerësim që merr më tepër rëndësi nëse vjen nga jashtë, për shembull nga BE, organizatat apo vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata mund të jenë më kërkues se audienca e brendshme, por janë edhe më injorantë dhe të prirur ta humbasin shpejt interesimin.

1. Kontrolloni zgjedhjet, jo në ditën e zgjedhjeve, por më parë

Ndërsa disa nga paraardhësit tuaj mund të kenë qenë të zotë të mbushin kutitë e votave apo të ngrenë të vdekurit nga varri për të votuar për ju, apo edhe më mirë, për t’u siguruar që të mos keni fare kundërshtarë në zgjedhje, kjo nuk është më e mundur. Duhet t’i fitoni zgjedhjet, si dhe të njiheni nga të jashtmit. Këta të jashtmit mund të jenë më pak sqimatarë në Kaukaz apo Afrikë, po në Ballkan duhet të dukesh si demokrat i lindur. I dashur Princ, kjo nuk do të thotë që duhet të jesh patjetër. Ende ka disa mënyra për të pasur sukses.

Së pari, shihini zgjedhjet si një mënyrë për t’u fuqizuar. Zgjidheni mirë kohën e tyre: zgjedhje të shpeshta e të parakohshme mund të ndihmojnë për ta kapur të papërgatitur opozitën, si dhe për të fituar vota me shumicë kur je në kulmin e popullaritetit. Ofrojuni ca pará votuesve, ose faluni faturat e mëdha të dritave, ka shumë mënyra për të fituar vota për pak gjë. Ndonjëherë merrni në konsideratë t’u ofroni pará njerëzve që të mos votojnë (e dini që ata do ta hidhnin votën për kundërshtarët tuaj). Kjo ndihmon edhe për të njollosur opozitën si mosbesuese, seksualisht e devijuar, jo besnike karshi shtetit dhe në përgjithësi e dyshimtë.

2. Kontrolloni median, sigurohuni të keni shumë zëra që thonë të njëjtën gjë dhe mbani zagarët tuaj

Media është ajo që ka rëndësi për të mbajtur pushtetin. Tani, nuk ju keni atyre ndonjë borxh më tepër se princat e tjerë para jush. Megjithatë, pak media janë në gjendje të mbajnë veten ekonomikisht dhe mënyra më e mirë për t’i kontrolluar është duke iu dhënë reklama vetëm atyre që flasin mirë për ju (dhe mos harroni, ju jeni ai që bëni më tepër reklama). Shumë gazeta e TV zotërohen ose nga kompani mediatike perëndimore që vlerësojnë fitimet para standardeve, ose nga biznesmenë lokalë të dyshimtë të cilëve mund t’u gjesh pa problem ca taksa të papaguara.

Gazetarët ndonjëherë mund të jenë problematikë dhe mënyra më e mirë për t’u siguruar që të sillen mirë është duke i kërcënuar pakëz, jo në publik, por duke u bërë presion disave. Shumica do të jenë të lumtur të vetë-censurohen.

3. Flisni për BE dhe integrimin në të, por mbajeni tërhiq e mos këput

Ju mbase nuk e kuptoni BE apo nuk ju bëhet vonë për të dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, por dëshira për të hyrë në BE është detyrim. Pa këtë ndoshta nuk do të ishit zgjedhur, duke ditur që të gjithë zgjedhësit duan anëtarësinë në BE. Për më tepër, mund t’ju mënjanojnë nëse nuk përkrahni BE, pasi formimi i qeverisë kërkon vulën e miratimit nga BE. Prandaj, dëshirojeni BE-në, por fusni edhe një dozë ekuivokesh. Të jesh shumë pro-evropian në ditët e sotme duket sikur po përpiqesh më tepër se ç’duhet me një partner që nuk të dëshiron vërtet. Prandaj, hidhni ca dyshime mbi projektin.

4. Flisni për reforma dhe luftë kundër korrupsionit. Flisni e flisni, dhe fusni ndonjë në burg

Kush është pro korrupsionit? Askush. Ndaj, nuk ka temë më të sigurt për të bërë fushatë e për të folur gjithë kohën. Është mirë ta pozicionosh veten si luftëtar i patrembur kundër korrupsionit dhe të paraqesësh çdo të korruptuar si kundërshtar të pushtetit tuaj, çka hedh dyshime korrupsioni mbi opozitën.

Sigurisht, është e vështirë të qëndrosh në pushtet pa toleruar pakëz korrupsion. Sigurohuni që herë pas here të arrini suksese, të bëni disa arrestime, gjyqe. Kujtoni që arrestimet janë më të rëndësishme se dënimet. Kapni edhe ca nga njerëzit tuaj. Ju bën të dukeni më serioz. Raportimet për stil jetese modest ndihmojnë dhe deklarimi i pasurive mund të bëhet me pak liri krijuese.

5. Zgjidhni problemet me fqinjët për të marrë lëvdata dhe krijoni ca të tjera për t’u bërë popullor

BE dhe të jashtmit duan që ju të shkoni mirë me fqinjët, ndaj ia vlen të gjeni kohën e t’i vizitoni, jo vetëm se ata mund të qytete bregdetare më të mira: flisni për bashkëpunimin rajonal, se si të gjithë kemi të njëjtën të ardhme evropiane.

Tani, problemet e reja apo të vjetra me fqinjët janë shumë të dobishëm në shtëpi. Ata tërheqin vëmendjen nga çështjet e tjera, ju japin mundësi për t’u bashkuar rreth flamurit. Nuk ka gjë më të mirë për të rritur popullaritetin se sa ca qortime karshi fqinjëve. Është thelbësore të gjesh balancën midis kënaqjes së të jashtmëve dhe ushqimit të ndjenjave të brendshme.

6. Zgjidhni miq të huaj të ndryshëm, disa do t’ju pëlqejnë për atë çka jeni, disa për atë çka pretendoni se jeni

BE është investuesi dhe donatori juaj më i madh, por mos u fokusoni vetëm aty. Flirtimi me të tjerë do ta bëjë BE-në pak xheloz dhe do t’ju kushtojë më tepër vëmendje. Plus, mund të prezantoheni sikur jeni zot i vetes. Është e rëndësishme të kujtoni edhe që investues e donatorë të tjerë shpesh kanë disa bishta prapa. Ndaj, duhet të përdorni disa burime për të siguruar përfitime politike në vend, por edhe duhet të kuptoni që ata mund të jenë duke ju përdorur, ndaj përgatituni që t’ju kthejnë krahët kur të mos kenë më interes te ju.

7. Punësoni votuesit tuaj, pushoni kundërshtarët

Mënyra më e mirë për të qëndruar në pushtet është të punësoni votuesit tuaj. Ka shumë vende punë që mund të ofroni, nga këshilltar në pastruese.

Nëse bëhet e qartë që përkatësia në partinë tuaj është ajo që ka rëndësi, kjo do t’ju ndihmojë në përkrahjen për partinë dhe për vota. Shumë nga punonjësit civilë do të rekrutojnë duzina votues vetëm për të ruajtur vendin e punës. Kundërshtarët mund t’i pushoni, si në shtet, ashtu edhe në privat, ose prindërit, motrat, vëllezërit. Ka shumë mënyra për t’i bërë të mendohen dy herë për ato që thonë për ju.

8. Shtet ligjor, shteti juaj, ligji juaj

Ndërkombëtarët flasin e flasin për shtetin ligjor. Për këtë, i dashur Princ i Ballkanit, ju rekomandojmë plane e strategji të panumërta. Megjithatë, në realitet, është e rëndësishme të siguroheni që ligjet janë mjaftueshëm të ndërlikuara sa të mos aplikohen tërësisht, por ka gjithmonë një hije paligjshmërie që qëndron pezull e që mund të përdoret atëherë kur duhet. Protestuesit mund të gjobiten për bllokim trafiku, e gjëra të tjera të vogla si këto që ju ndihmojnë t’u kujtoni atyre se ju jeni ai që bën ligjin.

9. Mos përvetësoni një ideologji, vetëm dëme ju sjell

Mos kini një ideologji të qartë, ajo vetëm sa ju angazhon në ca pozita që më vonë mund të sjellin vetm telashe. Përqendrohuni në synime më të mëdha, si Evropa, liria, begatia, dhe qëndroni larg ambicieve tepër specifike.

Është në interesin tuaj të bashkoheni me një familje partiake evropiane apo ndërkombëtare, si Internacionalja Socialiste apo Partia Popullore Evropiane. Ato ju japin një farë legjitimiteti ndërkombëtar dhe modelojnë një pjesë të kritikave të mundshme ndërkombëtare. Megjithatë, mos e ngatërroni këtë me ideologjinë, askush nuk ju voton për ideologjinë. Ju votojnë sepse jeni ju dhe për vendin e punës ku iu futët tezen.

10. Premtoni ndryshime, por sigurohuni që të qëndrojë njësoj

Ndryshimi është ai që duan të gjithë, votuesit tuaj kanë jetuar përmes krizave ekonomike në 28 nga 35 vitet e fundit. Ata duan përmirësim të situatës, ndaj mos premtoni se do t’i mbani gjërat siç janë, por pikturoni një tablo se si do të jenë. Megjithatë, ndryshimi është me zarar. Ndaj mbajini gjërat njësoj. Ndryshimi është premtim i lehtë, por realitet me rrezik. Ndryshimi do të thotë të bësh fushatë pa pushim. Ushtroheni pushtetin njësoj sikur të jeni duke kandiduar për të ardhur në pushtet. Kjo ju bën të dukeni energjik, ju mban gati për zgjedhje të parakohshme dhe ju bën të dukeni sikur jeni ende në opozitë, edhe pse nuk jeni. Ndaj, ndryshimi i përbërjes së qeverisë, ndryshimi i politikës, njoftimi i planeve të mëdha janë mënyra të mira për të folur për ndryshimin.

I dashur Princ Ballkanik,

Pushteti është njësoj si të vallëzosh në buzë të vullkanit. Mund të sundosh vetëm nëse deklaron se je demokrat në favor të integrimit në BE, por mund të qëndrosh gjatë në pushtet vetëm nëse nuk bën asgjë për ato që deklaron. Të dyja mund të sjellin të tjerë në pushtet dhe mund t’ju çojnë juve në burg. Ndaj, duhet të ecni në vijën e ngushtë midis të thënit të gjërave të duhura për votuesit tuaj e BE-në, dhe bërjes së diçkaje tjetër.

Paçi fat, ka disa që po ecin shumë mirë, kështu që me pak zotësi edhe ju mund të bëheni si ata.

*Shkrim i botuar në vitin 2015, por aktual edhe pas 6 vitesh

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari21/07/2021 17:23

Shkrim brilant,fix per pallaveshin qe na qeveris ,ka tete vite qe vjedh dhe pjerdh dhe delet kullosin bar,une sjam me i mir thot, po me te mire nga mua nuk ka ,po i thone delet ti je me i miri,kurse larot e tij thone, ja iku ky kush do ta zvendesoj,dhe vazhdon golloveshi pa i hyre gjemb ne kembe te qevrrise delet e Albanistanit.

Skrapari21/07/2021 17:20

Edvin qelbesira i ka zbatuar pike per pike te 10 porosite, duke gjetur nje teren teresisht te pershtatshem me nje popull krejt injorant. Fatkeqesi per ate pjese shume te vogel te ketij qen mileti qe di c'eshte demokracia.

Shto koment

Denonco